Albana Lifschin/ Xhon Adams Presidenti i dytë i SHBA-ve dhe gruaja e tij Abigell Adams

580
Sigal

Xhon Adamsi ka qenë Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ( 1797-1801)

Ai ishte avokat i shquar. Me mendjemprehtësinë dhe fjalën e tij bindëse kontribuoi në çështjen e pavarësisë së kolonive amerikane nga Anglia. Si diplomat në Europë, përsa i përket suksesit, ai vinte i dyti pas Benxhamin Frenklinit. Xhon Adamsi (John Adams) u lind në 19 tetor të vitit 1735 në Baintree (sot Quincy) Masaçusets. Në rininë e tij ai vendosi të ndiqte studimet për avokaturë. Historiani Riçard Morris shkruan se Xhon Adamsi vazhdoi arsimimin e vetarsimin e tij gjithë jetën”. Ai ishte lexues i palodhur dhe një koleksionist i madh librash. Dhjetë vjet të praktikës së tij si avokat e ndihmuan që rreth vitit 1771 të ndërtonte një bibliotekë të madhe. Ai porosiste në Londër çdo libër apo pamflet që dilte e kishte të bënte me qeverinë apo ligjet. Biblioteka e Xhon Adamsit me 3000 tituj përfaqësonte radhën e gjerë të interesave të tij. Si avokat i shquar, emri i Xhon Adamsit është i lidhur me atë që ka hyrë në histori si “Masakra e Bostonit”,  5 Mars 1770, ku Xhon Adamsi me reputacion të madh si avokat, duke respektuar ligjin mbrojti “kapotkuqtë ” (ushtarët britanike). Kjo shkaktoi zemërimin e qytetit. Ndërsa Xhon Adamsi e kujtonte këtë gjyq gjithë jetën e vet si “shërbimin më të mirë që i kam bërë vendit tim (Amerikës). Kjo pasi i tregoi Anglisë dhe Europës që edhe në kolonitë, të cilat konsideroheshin si inferiore, vepronte ligji”. Xhon Adamsi ishte figura kryesore në lëvizjen revolucionare në Masaçusets,- vatra e nxehtë e luftës së kolonive kundër Anglisë. Xhon Adamsi luftoi kundër ndërhyrjes së Britanisë në punët e kolonive. Në shkrimet e tij ai argumentonte që Anglia nuk ka të drejtë morale dhe ligjore për të qeverisur kolonitë e Amerikës. Në një artikull të firmosur “novanglus” ai deklaronte se, Amerika nuk ishte pjesë e Anglisë dhe Amerika duhet të ngrihej në luftë kundër shtypjes angleze. “Ne nuk do të qëndrojmë pasivë e të presim derisa të na therin. Ne do ta mbrojmë jetën tonë derisa Zoti të na japë fuqi”,-shkruante ai.

Xhon Adamsi u martua me Abigell Smith, të cilën për nga inteligjenca e vlerësonte të barabartë me veten e tij. Në letrën që ajo i dërgonte të shoqit kur ai ishte në mbledhjen kushtetuese në Filadelfi, e porosiste të mos harronte “gruan dhe të drejtën e saj për të gëzuar frutet e Kushtetutës, pasi edhe ajo qe pjesë shoqërisë.”

Në këtë pikëpamje Abigell, madje ishte më e avancuar se i shoqi. Si delegat i Kongresit Kontinental, Xhon Adams u bë figurë kyçe në krijimin e bindjeve të delegatëve në marrjen e dy vendimeve kryesore: emërimin e Xhorxh Uashingtonit kryekomandant i ushtrisë kontinentale dhe caktimin e Tomas Xhefersonit për përpilimin e tekstit të Deklaratës se Pavarësisë. Natyrisht, kjo e fundit për rezultatin e jashtëzakonshëm që pati dhe famën e madhe që i dha Xhefersonit si autor i saj, e bëri xheloz Xhon Adamsin dhe la një krisje në miqësinë midis dy burrave të mëdhenj, e cila u riparua plotësisht në vitet e fundit të jetës së tyre.

Si zëvendëspresident i parë i SHBA-ve, nën Xhorxh Uashingtonin,  duke mos qenë gjithnjë i ftuar në marrjen e vendimeve, ai është shprehur për rolin e këtij posti se është “puna më e parëndësishme që ka pjellë ndonjëherë imagjinata njerëzore “. Si president,  Xhon Adamsi u kritikua nga të dy palët, nga federalistët dhe nga republikanët. Partia federaliste, që ai përfaqësonte, po shkatërrohej. Problemet me Francën u bënë shqetësuese. Atë kohë francezët i konsideronin anijet amerikane armike dhe kur ndesheshin me to në ujërat e Europës i konfiskonin. Presidenti Adams dërgoi një grup përfaqësuesish nga të dy partitë për t’u marrë vesh me Francën. Qeveria franceze refuzoi t’i priste përfaqësuesit e SHBA, por nga ana tjetër tre zyrtarë të lartë francezë hyjnë në bisedime duke kërkuar një shumë të madhe dollarësh si kusht për të zgjidhur çështjen. Kjo ka hyrë në histori si ” aferi XYZ. Ky incident i zemëroi federalistët me në krye Hamiltonin, të cilët i kërkuan Presidentit t’i shpallte luftë Francës. Vendi i zëmëruar deklaroi “Miliona për mbrojtjen, as një cent për bakshish.” Mirëpo Presidenti Adams, u përmbajt. Ai dërgoi një delegacion tjetër për bisedimet me Francën dhe lufta u evitua. Më 1800, Xhon Adamsi humbi zgjedhjet për turin e dytë presidencial. Në vend të tij u zgjodh Tomas Xhefersoni, zëvendëspresidenti, me të cilin ishte kundërshtar politik.

Ai u kthye në fermën e tij në Quincy, Masaçusets. Ai jetoi edhe 25 vjet të tjera pas asaj dite duke iu gëzuar rritjes se reputacionit të të birit, Xhon Kuinsi Adams, deri në zgjedhjen e tij si president i SHBA. Këto qenë edhe vitet e ripërtërirjes së miqësisë me Tomas Xhefersonin. Që nga viti 1812 e 14 vjet të tjera rresht, deri në fund të jetës së tyre dy burrat e mëdhenj i shkruan pareshtur njëri tjetrit. Midis tyre u shkëmbyen 160 letra. Për ironi të historisë të dy burrat vdiqën në të njëjtën ditë, në 4 Korrik 1826, ditën e 50 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë për të cilën dhanë kontribut të jashtëzakonshëm.

Abigell Adamsin, gruaja e rrallë e Adamsit

Kur flasin për Abigell Adamsin njerëzit i referohen asaj si grua dhe nënë presidenti. Ajo ishte gruaja e presidentit të dytë të Amerikës, Xhon Adamsit, dhe djali i saj Xhon Kuinsi Adams ( John Quincy Adams) u bë presidenti i gjashtë i Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Por Abigell Adamsi ka qenë gjithashtu një dëshmitare aktive e periudhës më të rëndësishme në historinë e Amerikës, Shpalljes së Pavarësisë. Ajo jetoi çdo moment të asaj kohe të lavdishme e ngjarjet ashtu si i përjetoi i hodhi në 2000 letra të cilat janë pasuri e çmuar e historianëve. Si grua avokati, gruaja e Xhon Adamsit kishte arritur në konkluzionin se nën zgjedhën britanike problemi kryesor për gratë mbetej nënshtrimi legal ndaj burrave. Sipas ligjit anglez, për mendimin e saj, raporti i grave me burrat e tyre ishte i ngjashëm me ato të shërbëtoreve me zotërinjtë e tyre. Burrat vendosnin për çdo gjë dhe kishin kontroll të plotë mbi pronën e grave . Tani që Amerika po përgatitej të shpallte pavarësinë e vet nga Anglia ishte rasti për ta ndryshuar këtë traditë të trashëguar nga e kaluara. Abigali kërkonte që gruaja të kishte një status legal sipas të cilit t’i njihej e drejta të gëzonte frutet e punës se saj, të merrej në konsideratë mendimi i saj në çështjen e edukimit te fëmijëve dhe t’i njihej e drejta për të kërkuar mbrojtje ligjore kundër burrit nëse ky ishte abuziv. Ajo ishte për kufizimin e pushtetit të plotfuqishëm të burrit siç qe trashëguar. Ajo madje mendonte që gruaja dhe burri të trajtoheshin si të barabartë por sigurisht jo në kuptimin e gjerë që ka sot ky koncept. Zonja Adams me këtë nuk nënkuptonte pjesëmarrjen e gruas në jetën politike e shoqërore. Për gratë e shek 18-të roli i tyre ishte feminin. Gruaja ishte një qenie delikate dhe fusha e veprimit të saj ishte shtëpia, familja, burri dhe fëmijët. Sidoqoftë vetë Abigelli ka qenë për burrin e saj më shumë se aq. Ajo ishte për të një grua, një shoqe, një partnere, një frymëzuese e karrierës së tij.