Alarmi i ministrit britanik: ISIS-i do të godasë në Europë

415
Sigal

Shteti Islamik mund të sulmojë Britaninë e Madhe, pasi xhihadistët po
detyrohen të largohen nga bazat e tyre në Mosul të Irakut, bëri të ditur një
ministër britanik. Ministri për Zhvillimin Ndërkombëtar, Rori Stjuart, tha se
ishte e qartë që forcat irakiane, të mbështetura nga ajri prej aleatëve, do t’i
detyrojnë militantët e ISIS-it të largohen nga Mosuli.




Megjithatë mendohet se shumë nga luftëtarët e
huaj, të cilët ndodhen në zonat e luftimit, mund të planifikojnë kthimin në
atdhe, në vende si Britania. Nga qyteti i Mosulit mund të largohen qindra
mijëra banorë dhe për luftëtarët e Shtetit Islamik nuk do të jetë e lehtë të
përfshihen mes grupeve civile.




Sipas ministrit britanik, presioni i shtuar ndaj
ISIS-it në Irak, mund t’i shtyjë ata të hakmerren, duke bërë sulme terroriste
në Europë dhe Britaninë e Madhe. Ai shtoi se grupet terroriste e kanë dëshmuar
gjatë 5 viteve të fundit se janë të paparashikueshëm.