Afganistan – “Nëna” e të gjitha bombave shkakton 36 të vdekur, banorët tregojnë pasojat

621
Dëshmitarët në rrethin Achin të Afganistanit rrëfejnë se si kanë ndjerë lëkundje të mëdha të tokës si pasojë e shpërthimit të ashtuquajturës nëna e të gjitha bombave me shënjestër militantët e Shtetit Islamik të kësaj zone.

“Bomba shpërtheu mbrëmë rreth orës 20 në zonat e kontrolluara nga militantët e Shtetit Islamik, shpellat dhe pozicionet e tyre. Ishte shumë e fuqishme dhe u përdor për të shkatërruar tunelet dhe shpellat”, thotë kryetari i rrethit Achin.

“Aty ishin bazat e ISIS-it, në të gjithë ato zona militantët kanë pasur aktivitet. Por, bomba e djeshme ishte vërtet gjigante, kur ra ajo këtu u drodh toka. Mund të ketë vrarë nja 70 apo 80 prej tyre. Ishte një lëvizje shumë e mirë sepse Shteti Islamik duhet eliminuar. Atje nuk ka pasur këmbë civili”, thotë Palstar Khan , banor i zonës.

36 ekstremistë mbetën të vrarë pas lëshimit të pajisjes nga amerikanët. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se nuk ka pasur civilë në mesin e viktimave, pasi bomba kishte shënjestër shpella dhe tunele, vende ku strehohen militantët.

Në fshatin rreth 5 kilometër nga zona e largët malore ku shpërtheu bomba, shtëpitë dhe dyqanet duket të padëmtuara. Sulmi i të enjtes erdhi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dërgoi delegacionin e tij të parë të nivelit të lartë në Kabul, mes pasigurisë për planet e tij për gati 9,000 trupat amerikane të stacionuara në Afganistan.
Sigal