Administrata Trump fillon procesin e rinegocimit të NAFTA-s

464
Administrata e Presidentit Donald Trump thotë se ka njoftuar Kongresin që duhet ta rinegociojë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore me Kanadanë dhe Meksikën, NAFTA.
Në një letër që i dërgoi të enjten udhëheqësve të Kongresit, përfaqësuesi i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara Robert Lighthizer tha se administrata ka në plan të zhvillojë për 90 ditë konsultime me ligjvënësit, lidhur me mënyrën e rishkrimit të marrëveshjes, pas negociatave me Kanadanë dhe Meksikën, që mund të fillojnë pas 16 gushtit.
Rinegociimi i NAFTA-s ishte një nga premtimet kryesore të fushatës presidenciale të zotit Trump, i cili i referohej marrëveshjes si një “traktat skandaloz”.
Zoti Lighthizer i tha gazetarëve se NAFTA ka ndihmuar për fuqizimin e bujqësisë, shërbimeve të investimeve dhe sektorëve të energjisë në Shtetet e Bashkuara, por ka dëmtuar uzinat e vendit dhe ka sjellë eksportimin e punëve të paguara mirë në Meksikë.
Ai tha përmes një letre se NAFTA duhet rishikuar, në mënyrë që të trajtojë më mirë çështje që kanë të bëjnë me tregtinë në internet, të drejtat e pronës intelektuale, si dhe standartet e punës.
Në një konferencë shtypi të enjten në Departamentin e Shtetit me zyrtarë amerikanë dhe me Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, Ministri i Jashtëm i Meksikës Luis Videgaray tha se vendi i tij e “mirëpret” rinegociimin e NAFTA-s.
Sigal