A do e sulmojë Sirinë? Trump merr vendimin

583
Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar një përgjigje të ashpër ndaj sulmit kimik në Siri.
“Kemi shumë mundësi ushtarake dhe do të vendosim shumë shpejt se çfarë përgjigje do t’i japim këtij sulmi. Aktualisht, po qartësohemi se kush janë përgjegjësit e sulmit në Douma, ditën e shtunë”, deklaroi Trump.
Mendohet se janë dhjetëra viktima nga ky sulm, por numri i saktë ende nuk dihet.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin kimik në Siri, ndërkohë që në një mbledhje të Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe SHBA kërcënuan njëra-tjetrën me fjalë të forta.
Vassily Nebenzia, ambasadori i Rusisë, tha se sulmi ishte i inskenuar dhe një përgjigje ushtarake nga ana e amerikanëve do të kishte pasoja të rënda. Ndërsa përfaqësuesja e Amerikës, Nikki Haley tha se Rusia ka në duar gjakun e fëmijëve sirianë.
Damasku dhe aleatja e tij Moska mohojnë çdo përgjegjësi dhe SHBA i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të nisin një hetim për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha me herët se nuk ishte gjetur asnjë provë për sulm me armë kimike në Douma. Shoqata mjekësore siriano-amerikane pretendon se mbi 500 persona u dërguan në spitalet e Duomës me simptoma që sugjeronin ekspozim ndaj agjentëve kimikë.
Viktimat e sulmit të së shtunës thuhet të jenë mbi 60, por bilanci pritet të rritet edhe më shumë, ndërsa grupet mjekësore po përpiqen të fitojnë akses në bodrumet ku janë strehuar shumë familje.
Sigal