Sigal

Detaje të reja kanë dalë në dritë për grupin italo-shqiptar që u arrestua nga autoritetet italiane, pasi trafikonin shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kreu 42-vjeçar shqiptar dhe bashkëshortja e tij sllovake janë arrestuar në juglindje të Anglisë, në Kent.

Udhëheqësi i bandës mbikëqyrte çdo aspekt të udhëtimit nga një distancë, ndërsa gruaja e tij merrej me integrimin e të sapo shkuarve në Britani të Madhe.

Gjatë operacionit “Tower Bridge”, krahas tyre, janë arrestuar tetë italianë dhe shqiptarë në Itali.

Policia e vendit fqinj tha se italianët në mënyrë të paligjshme i kanë pajisur emigrantët me pasaportat e tyre, të cilat më pas janë modifikuar me foto të personave që synojnë të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar, për një pagesë që arrinte deri në 9,500 euro.

Sapo shtetasit shqiptarë shkonin në vendin ishullor, dokumentet do t’u ktheheshin pronarëve italianë.

Hetimi ndaj grupit italo-shqiptar filloi në shkurt 2017, pasi tre shtetas shqiptarë u arratisën nga burgu Rebibbia i sigurisë së lartë në Romë.