86 të vdekur, bilanci i viktimave nga 2 shpërthimet në Turqi

507
Dy shpërthime gjatë një tubimi për paqen në kryeqytetin e Turqisë kanë lënë të vrarë të paktën 86 persona, ndërsa 186 të tjerë u plagosën.
Shpërthimet ndodhen në qendër të Ankarasë. 62 persona vdiqën në skenë, ndërsa 24 të tjerë ndërruan jetë në spital.
Pamjet televizive tregojnë skenat e panikut dhe njerëzve të shtrirë në tokë të mbuluar nga gjaku dhe banerat e protestës.
Presidenti, Rexhep Taip Erdogan i ka cilësuar sulmet si “akte terroriste”. Zyrtarët po hetojnë se pas kësaj qëndron një person që vrau veten me shpërthim.
Në protestë merrnin pjesë mbështetësit e partisë pro kurdë HDP, ku bëhej thirrje për t’i dhënë fund dhunës mes separatistëve kurdë dhe qeverisë turke.
Lideri i partisë kurd, fajësoi shtetin për sulmin dhe e cilësoi atë “masakër të madhe” dhe anuloi të gjitha tubimet elektorale.
Sigal

Erdogan: Sulm kundër unitetit dhe paqes!

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi sot sulmin kriminal kundër militantëve të opozitës, të cilët do të merrnin pjesë në një manifestim për paqe në Ankara. “Dënoj ashpër këtë sulm kriminal kundër unitetit dhe paqes së vendit tonë”, reagoi Erdogan në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të presidencës turke. ”Vendosmëria dhe solidariteti që ne do të tregojmë pas këtij sulmi do të jetë përgjigja më e fortë dhe më domethënëse kundër terrorizmit”, shtoi Erdogan.

BE: Qëndroni të bashkuar kundër terroristëve

Shefja evropiane e Diplomacisë, Federica Mogherini, kërkoi që Turqia të qëndrojë e bashkuar kundër terroristëve dhe kërcënimeve të tjera, pas atentatit kundër përkrahësve të opozitës në Ankara. “Populli turk dhe të gjitha forcat politike duhet të qëndrojnë të bashkuara përballë terroristëve dhe kundër të gjithë atyre që përpiqen të destabilizojnë vendin, që po përballet me shumë kërcënime”, deklaroi Mogherini në një komunikatë të përbashkët me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn.

Meta shpreh ngushëllime

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u ka shprehur ngushëllime autoriteteve turke dhe familjeve të viktimave të aktit terrorist në Ankara. “Ky akt i shëmtuar që godet njerëz të pafajshëm duhet të na rrisë edhe më shumë ndjenjën e solidaritetit dhe të na bashkojë në përpjekjet dhe luftën kundër së keqes. Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithnjë pranë popullit turk me të cilin kemi lidhje të ngushta historike dhe veçanërisht në këto momente të vështira”, shprehet Meta.