6 miliardë euro për emigrantët, shtohen debatet në Gjermani

494
Koalicioni i kancelares gjermane, Angela Merkel ra dakord për një financim gjigant prej gjashtë miliardë eurosh për t’i ardhur në ndihmë valës së emigrantëve, numri i të cilëve në Gjermani vetëm gjatë fundjavës arriti në rreth 20 000, shumica të ardhur nga Siria e përfshirë nga lufta civile.
Paketa me vlerë gjashtë miliardë euro u miratua sot gjatë orëve të para të mëngjesit, pas bisedimeve të mbrëmshme në Berlin.
Tre miliardë euro vijnë nga buxheti federal për vitin 2016, ndërkohë që pjesa tjetër është rezervuar për të ndihmuar shtetet federale dhe qeveritë lokale për akomodimin e migrantëve.
Për vitin në vazhdim, një miliard euro nga buxheti federal do të përdoren për të ndihmuar emigrantët.
Gjermania dhe Austria ranë dakord të shtunën për të marrë refugjatë, të cilët deri tani ishin ndaluar nga Hungaria për të udhëtuar më në perëndim të Evropës duke cituar rregullat e BE-së sipas të cilave kërkuesit e azilit duhet të aplikojnë në të parin shtet perëndimor që mbërrijnë.
Gjermania pret 800 000 azilkërkues për këtë vit, më shumë se çdo vend tjetër i BE-së.
Rreth 20 000 refugjatë, kryesisht nga Siria, mbërritën në Mynih këtë fundjavë.
“Ne po mbërrijmë në limitin e kapaciteteve tona”, deklaroi sot zëdhënësja e qeverisë, Simone Hilgers.
Gjermania pret rreth 800,000 refugjatë dhe migrantë këtë vit dhe do që pjesa tjetër e Evropës të bëjë më shumë për akomodimin e tyre.
Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika udhëtojnë përmes Ballkanit, përkatësisht Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, përpara se të arrijnë në kufirin jugor të Hungarisë, pastaj në Austri dhe Gjermani.
Sirianët përbëjnë grupin më të madh të tyre dhe ndiqen nga afganët dhe eritreasit.
Edhe pse jo të gjithë azilkërkuesit do të qëndrojnë në Gjermani për tërë vitin, “Frankfurter Allgemein Zeitung” raportoi se duhet të merren gjithashtu parasysh edhe kosto të mëtejshme prej rreth gjysmë miliardë euro për shpenzimet për mësimdhënën dhe punonjësit e administratës pranë Zyrës Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF). Po ashtu po diskutohet edhe për të shtuar forcat policore në Gjermani.
CSU-ja kritikon qëndrimin e Merkelit ndaj krizës
Zëvendëskancelari Sigmar Gabriel, i Partisë Social Demokrate, propozoi javën e kaluar që qeveria duhet të japë 3 miliardë euro për shpenzimet për strehimin e refugjatëve. Tani qeveria gjermane po diskuton për shpërndarjen e kostove mes federatës dhe landeve si dhe për shpërndarjen e refugjatëve në vend. Pas një takimi deri në orët e para të mëngjesit koalicioni qeveritar ra dakord për të vënë në dispozicion të refugjatëve një paketë ndihmash në miliarda.
Por brenda palëve të koalicionit konservator të Angela Merkelit ka ndërkohë mosmarrëveshje në lidhjen me trajtimin nga ana e saj të krizës së refugjatëve.
Në një konferencë telefonike partia simotër bavareze e CDU-së, CSU-ja, thuhet se e ka kritikuar Merkelin për pranimin e më shumë refugjatëve që ishin bllokuar në Hungari këtë javë. Sekretari i Përgjithshëm i CSU-së Andreas Scheuer e quajti këtë masë si “vendim të gabuar.”
PERCARJE BRENDA BE
Mënyra e trajtimit të krizës me migrantë ka krijuar përçarje të mëdha brenda Bashkimit Evropian.
Hungaria ka akuzuar Gjermaninë se inkurajon fluksin e migrantëve. Autoritetet hungareze janë duke forcuar kontrollin kufitar dhe kanë paralajmëruar dërgimin e ushtrisë në kufirin jugor, nëse parlamenti e miraton një masë të tillë.
Kryeministri i Hungarisë, Orban, po ashtu ka thënë se vendi i tij nuk do emigrantë myslimanë dhe ka tërhequr vërejtjen se Evropa “mund të humbasë identitetin e saj të krishterë”.
Shefi i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se kriza do të ishte “e kontrollueshme” nëse shtetet anëtare të BE-së do të pajtoheshin për një plan të përbashkët.
Papa Françesku, ndërkohë, i ka bërë thirrje çdo famullie evropiane dhe çdo komuniteti fetar të pranojë nga një familje refugjatësh, në shenjë solidariteti.<
Sigal