30 mijë banorë vuajnë mungesën e ujit në Kumanovë

432
Në temperatura të larta prej 40 gradësh, 30 mijë qytetarë të rajonet të larta të Kumanovës ballafaqohen me mungesë të ujit. Qytetarët janë të revoltuar nga situata në të cilën gjenden, pasi ata thonë se i paguajnë rregullisht faturat, por, ujë nuk marrin. Drejtuesit e Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” nuk saktësojnë se deri kur do të vazhdojë situata e tillë, por ia hedhin fajin për mungesën e ujit, Drejtorisë për Ekonominë e ujërave “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”, duke shpjeguar se në vend që të sigurojë 110 litra në sekondë, ata po sigurojnë vetëm 45 litra.
“Qytetarët nuk do të kenë ujë për aq kohë sa nuk ka njerëz të ndërgjegjshëm që të bëjnë presion. Ndërmarrja për Ekonominë e Ujërave duhet ta ketë të qartë se prioriteti është furnizimi me ujë në këtë qytet, problemet e dy ndërmarrjeve zgjidhen në ndonjë mënyrë tjetër. Problemet e këtyre dy ndërmarrjeve ekzistojnë që nga vitet ’70 kur edhe janë formuar por asnjëherë nuk ka ndodhur që qyteti të mbetet pa ujë, tani kur erdhi kjo garniturë, problemet i zgjidhin me mbylljen e rubinetit”, u shpreh Goran Stojkovski, Drejtor i NP “Ujësjellësi” në Kumanovë. Nga Ndërmarrja për Ekonominë e Ujërave thonë se fajin e ka Ndërmarrja “Ujësjellësi” për shkak se nuk i ka paguar faturat.
Nga keqkuptimet mes dy ndërmarrjeve, janë qytetarët ata që po pësojnë, veçanërisht në këto ditë të nxehta.
Sigal