25 vjet shërbim për popullin e Kosovës, Shoqata “Nënë Tereza” mban simpozium

545
Me simpoziumin e mbajtur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka vazhduar shënimi i 25 vjetorit të themelimit dhe veprimit të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Terezë” (ShNT), e cila për më shumë se një çerek shekulli, që nga 10 maji 1990, ka punuar për të zhdukur varfërinë në Kosovë, përmes sigurimit të ndihmave dhe mjeteve financiare për ndryshime të qëndrueshme për njerëzit e varfër dhe shtresën më të cenuar të shoqërisë nga uria, dhuna dhe sëmundjet, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekspozita e mbrëmshme e mbajtur në Katedralen “Nënë Terezë” në Prishtinë, titulluar “SHHBK Nëna Terezë 25 vite në shërbim të popullatës”, sot u pasua nga Simpoziumi në të cilin u prezantuan punime të ndryshme shkencore dhe këndvështrime për kontributin e kësaj shoqate në zbutjen e varfërisë në Kosovë, përmes aktiviteteve humanitare dhe bamirëse, që nga viti 1990.
Hapjen e simpoziumit e bëri kryetari i Shoqatës Nënë Terezë, Zef Shala, ndërsa Safete Rugova recitoi vargje për Nënë Terezën, në gjuhën shqipe, frëngjishte, angleze dhe italiane. Pjesa e prezantimit të kujtimeve dhe këndvështrimeve lidhur me punën e ShNT-së, filloi me fjalimin e ekspertit të letërsisë shqipe dhe asaj arbëreshe, profesorit në Universitetin e Kalabrisë në Itali, Anton Nikë Berisha.
Ndër tjera, veçojmë observimin e Ibrahim Berishës, gazetarit, sociologut dhe publicistit i cili kishte raportuar nga fillimi për aktivitetet e ShNT. Fillimisht, Berisha foli për ndjenjën e solidaritetit i cili ka mbretëruar ndër shqiptarët e Kosovës, gjatë periudhës së vështirë 1990-1999, duke rikujtuar rastin e vitit 1991 kur, gjatë aksionit të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Kodrën e Trimave në Prishtinë, kryefamiljari që e kishte radhën për t’i pranuar ato ndihma i lë radhën fqinjit të tij, pasi që ai nuk kishte asgjë për të ngrënë ndërsa, rezervat e personit i cili u tregua zemërgjerë ishin edhe dyditëshe. 
“Në popullin tonë ka ekzistuar një frymë shumë e thellë e solidaritetit tradicional, e cila është shprehur në mënyrën më sublime gjatë këtyre viteve të vështira… ky humanitet dhe solidaritet në kuptim dhe dashuri për njeriun, vlerave dhe virtyteve të popullit tonë u ngritën në kulturë dhe institucion të mbijetesës dhe mosnënshtrimit ndaj regjimit okupues serb. Pra, nuk ishte i rastësishëm krijimi i institucionit kaq të fuqishëm të solidaritetit” tha Berisha.
Ibrahim Berisha foli edhe për veprimtarinë e ShNT paslufte dhe transformimin e saj në bazë të nevojës së qytetarëve. Ajo ndihmoi dhe mbështeti kosovarët, përveç me ndihma humanitare, edhe me mbështetje për krijimin e bizneseve të vogla familjare, në bujqësi, blegtori, bletari dhe arsimim.
Në fund të simpoziumit, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji rikujtoi lëvizjet e rëndësishme të viteve 90-të, siç ishin Pajtimi i Gjaqeve dhe themelimi i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Terezë”, sistemi paralel shkollor “Motrat Qiriazi” dhe sistemi paralel shëndetësor “Nënë Terezë” me doktor Gani Demollin në krye. 
“Ideja për themelimin e shoqatës ka qenë në rend të parë e disa të rinjve dhe intelektualeve të Prishtinës, bashkë me famullitarin e atëhershëm Zef Gashin, tani Arkipeshkvin e Tivarit” tha imzot Gjergji duke treguar për kronologjinë e themelimit të shoqatës, duke u frymëzuar nga bamirësia e Gonxhe Bojaxhiut, për t’i mbrojtur qytetarët nga urrejtja e atëhershme e shtetit serb.
Shoqata Nëna Terezë është themeluar më 10 maj 1990, si Organizata Jo Qeveritare e parë vendore në Kosovë, me qëllim që të shuajë varfërinë dhe të krijojë zinxhirin e solidaritetit për mbijetesë, gjatë kohës së masave represive dhe të dhunshme të aplikuara nga regjimi serb i asaj kohe.
Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Terezë”, gjatë 25 viteve të punës së saj në Kosovë, ka ndihmuar komunitetin duke siguruar ushqim, ujë, strehim, kujdes shëndetësor dhe furnizime të tjera humanitare kur popullit të Kosovës i është dashur më së shumti. Këtë punë humanitare dhe bamirëse, ShNT e ka bërë përmes projekteve Socio-ekonomike, mbështetjes në ngritjen e infrastrukturës së komuniteteve, projekteve udhëheqëse të shoqërisë civile, si dhe projekteve humanitare.
Shoqata Nëna Terezë veprimtarin e vet e vazhdon edhe sot, në tërë Kosovën, përmes kryetarit të shoqatës, Kuvendit si një strukturë udhëheqëse dhe organit Ekzekutiv i cili, në bashkëpunim me zyrat regjionale zbatojnë projektet e veta, me ndihmën e personelit 12 anëtarësh dhe një rrjet të madh të vullnetarëve, në tërë territorin e Kosovës.
Pas ekspozitës së mbrëmshme dhe Simpoziumit të sotëm, për nder të 25 vjetorit të veprimtarisë së Shoqatës “Nënë Terezë” në Kosovë, manifestimi do të vazhdojë pasnesër, më 5 shtator, në sheshin “Nënë Tereza”, ku pranë bustit të Nënës Terezë do të do të ndizen qirinjtë, kurse është parashikaur edhe një aktivitet i përbashkët i shënimit të “Festës së Nënës Terezë” nga institucionet e Qeverisë së Kosovës dhe Katedrales në Prishtinë. – See more at: http://shqiptarja.com/kosova/2727/shoqata-bamirese—39-nene-tereza–39–25-vjet-sherbim-per-popullin-e-kosoves-313334.html#sthash.T74qrnHh.dpuf
Sigal