22 të sëmurë në SHBA, kërkohet rikthimi në supermarkete i 200 milionë vezëve

108
Një fermë në Indiana të SHBA-ve ka kërkuar rikthimin në supermarkete të mbi 200 milionë vezëve të shpërndara në 9 shtete amerikane.
Lajmi bëhet i ditur nga “CNN”, rrjet i cili raporton se “Rose Acre Farms” kanë kërkuar mos konsumimin e 206 749 248 milionë vezëve, të cilat mund të jenë të kontaminuara me Salmonelë.
Sipas Administratës për Ushqimet dhe Ilaçet (FDA), të paktën 22 persona janë raportuar të prekur nga virusi i Salmonelës deri më tani.
Salmonela shkakton infeksione të rënda, shpesh edhe fatale, veçanërisht tek fëmijët, pleqtë dhe njerëzit me sistem të dobët imunitar. Virusi zakonisht merret nëpërmjet mishit, vezëve dhe ujit.
“CNN” raporton se vezët ishin shitur në supermarkete dhe restorante në Kolorado, Florida, New Jersey, North Carolina, Pennsylvania, South Carolina, Virginia dhe West Virginia.
“Konsumatorët nuk duhet t’i hanë ato vezë. Hidhini ose rikthejini në vendin e blerjes duke tërhequr pagesën”, tha komisioneri i FDA, Scott Gottlieb, në një tweet.
Në mesin e firmave të prekura janë “Country Daybreak”, “Coburn Farms”, “Crystal Farms”, “Sunshine Farms” dhe “Glenview”.
Të prekurit kanë shfaqur simptoma të etheve, vjelljes, diarresë dhe dhimbjeve abdominale.
Nga një situatë e ngjashme në vitin 2010 u infektuan qindra persona, ndërsa kompanitë kërkuan kthimin mbrapsht të mbi 500 milionë vezëve.