18-vjeçares i shpërthen iPhone 7 Plus, kompania Apple nis menjëherë hetimet

114
Apple njoftoi se ka nisur hetimet në lidhje me pretendimet e një 18-vjeçareje amerikane, e cila postoi në rrjetet sociale video dhe foto të telefonit të saj iPhone 7 Plus i shkatërruar nga flakët.
Brianna Olivas, thotë se nuk ishte duke e përdorur pajisjen, kur ajo ka marrë flakë. Ajo dhe i dashuri i saj ishin duke fjetur gjumë dhe ka qenë ky i fundit që ka dëgjuar zhurmën dhe më pas ka parë flakët që vinin nga pajisja shkruan BBC.
Ai ka larguar telefonin menjëherë dhe më pas e ka filmuar atë. Filmimi ishte një provë e mjaftueshme që Apple të shpërblente 18-vjeçaren me një telefon të ri, ndërkohë që gjiganti teknologjik amerikan shton se ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.
Në shtator të vitit 2016, ishte Note 7 i Samsung që rezultoi një dështim total për kompaninë. Qindra raste të shpërthimit të pajisjes u raportuan në një kohë të shkurtër, aq sa detyruan kompaninë koreano-jugore që ta tërheqë përfundimisht atë nga tregu.