​Jahjaga në Londër takon edhe ish-kryeministrin e Britanisë Tony Blair

1813
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër, në ambasadën e Kosovës, me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair dhe bashkëshorten e tij, Cherrie Blair. Presidentja Jahjaga vlerësoi angazhimin e ish-kryeministrit Blair për Kosovën, në mbrojtjen e popullit të Kosovës gjatë kohës së luftës, me vendimin për fushatën ajrore të NATO-s dhe ndihmën në rindërtimin e vendit dhe procesin e shtetndërtimit të tij. Ajo gjithashtu e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në ruajtjen dhe kultivimin e vazhdueshëm të tolerancës ndërfetare, një vlerë e veçantë e shtetit të Kosovës. Presidentja Jahjaga dhe ish-kryeministri Blair vlerësuan arritjet e Kosovës, ndërtimin demokratik e gjithëpërfshirës të vendit, sfidat në procesin e integrimeve evropiane, dialogun me Republikën e Serbisë dhe marrëveshjet e arritura që duhet të zbatohen, ndërtimin e shtetit të së drejtës, si dhe sfidat në fushën e sigurisë në luftën kundër ekstremizmit. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova si dhe gjithë rajoni i Ballkanit duhet të ketë perspektivën e qartë evropiane dhe të përfshihet në të gjitha nismat dhe projektet e BE-së për rajonin dhe të ruhet momenti i klimës së bashkëpunimit ndërmjet vendeve në rajon. Ish-kryeministri Blair tha se Kosova ka arritur shumë në proceset e shtetndërtimit dhe ajo duhet të vazhdojë të forcojë demokracinë e saj të brendshme dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar.
Sigal