​Eurostat: Mbi 66 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE’së

109
Gjatë vitit 2015 janë sirianët ata që kanë kërkuar më së shumti strehim në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat (agjenci për statistika e BE’së), kosovarët radhiten në vendin e dytë. Që nga janari i viti 2015 deri në fillim të muajit gusht 66.045 qytetarë nga Kosova kanë kërkuar azil në vendet anëtare të BE’së. Eurostat numëron vetëm ata që kanë dorëzuar formalisht një kërkesë për azil, kjo nënkupton që mund të ketë më shumë kosovarë që kanë lëshuar vendin. Deri më tani, në BE kanë kërkuar azil mbi 600 mijë persona, duke llogaritur këtu vetëm ata që zyrtarisht kanë kërkuar azil, që nuk e përjashton mundësinë e një numri më të madh të tyre.

Sipas të dhënave të Eurostatit, shanset për të fituar azil në BE i kanë më të mëdha të ardhurit nga Siria, Eritrea apo Iraku dhe të tjerët që aplikojnë për azil në Bullgari, Danimarkë apo Maltë. Të dhënat e Eurostatit tregojnë se nga fillimi i vitit e deri më tani në vendet e BE’së kanë kërkuar azil 600 mijë persona, numër rekord ky krahasuar me vitin e kaluar ku gjatë gjithë vitit kanë qenë gjithsej 662 mijë azilkërkues. Sipas ligjeve të BE’së, në përgjithësi azilkërkuesit duhet të aplikojnë për azil në vendin e parë të BE’së në të cilin hyjnë, mirëpo në realitet pjesa dërrmuese e azilkërkuese po e kalojnë Europën Juglindore për të arritur destinacionet e tyre të preferuara që janë Gjermania e Suedia, të cilat ofrojnë kushte më të mira për emigrantët duke ofruar më shumë përfitime dhe mundësi punësimi.

Numri më i madh i azilkërkuesve vjen nga Siria, ndërsa më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve në BE e përbëjnë emigrantët nga vetëm pesë shtete: Siria, Kosova, Afganistani, Shqipëria dhe Iraku. 72% e tyre janë meshkuj dhe më shumë se gjysma (54%) janë midis 18 dhe 34 vjeç. Në anën tjetër, destinacioni më i preferuar i emigrantëve mbetet Gjermania, ku kanë aplikuar 41% e azilkërkuesve. Në vendin e dytë radhitet Hungaria me 16.3%. Emigrantët që kanë ikur nga zona të konflikteve kanë shanset më të mira për të fituar azil, bazuar në vendimin që është marrë në pjesën e parë të vitit 2015. Ballkanasit që kanë aplikuar për azil nuk kanë pasur edhe aq fat. Kjo pasi që Ballkani ka qenë në gjendje paqeje që nga viti 2001. Kështu, nga Ballkani, azil kanë fituar vetëm 6.4% shqiptarë nga Shqipëria, 1.9% kosovarë dhe 1.3% serbë.