​Ambasadorja holandeze: Korrupsioni është shtrirë në institucionet e Kosovës

56
Lëvizja FOL në bashkëpunim me ambasadën e Holandës kanë bërë hapjen e Qendrës Edukative Kundër-Korrupsion, qendër kjo e cila do t’u japë hapësirë studentëve por edhe njerëzve të tjerë që të bëjnë hulumtime lidhur me korrupsionin. Ambasadorja e Holandës Gerrie Willems tha se që nga pavarësia Kosova po ballafaqohet me sfida të mëdha, dhe sipas saj sfida më e madhe edhe tani mbetet korrupsioni.
Ajo tha se kjo është për shkak të nivelit të ulët të besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë, si dhe për shkak të shtrirjes së madhe të korrupsionit në këto institucione. Më tej ajo tha se korrupsioni nuk ka vetëm implikime politike, por prek edhe jetën e qytetarëve.
“Përfundimi është se korrupsioni duhet të luftohet dhe kjo mund të nis me edukimin e drejtë, dhe Lëvizja Fol po e hap këtë qendër edukative. Rinia luan një rol kyç në hulumtimin e modelit të korrupsionit në Kosovë. Dhe kjo qendër është e vetmja për edukimin anti-korrupsion meqë nuk ka ndonjë institucion i cili merret me të”, tha Willems Ajo përfundoi fjalimin e saj duke thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe tani duhet të veprohet kundër kësaj dukurie.