Zonja ministre, Luarasi, i Petro Ninit, ka mbetur pa shkollë

1479
Sigal

Rilindësit i dhunohet shtëpia muze dhe busti i tij

Duket si një ritual i zi, si një revansh që nuk ka forcë ta ndalë, dhe kjo është ajo që ka nisur të ndodhë me simbolet dhe bustet që na kujtojnë heronjtë dhe historinë kombëtare. Dhunohen emra rrugësh, dëmtohen buste heronjsh, përmendore, e shkatërrohen vende të shenjta, por askush nuk flet, askush nuk ngrihet dhe të kërkojë arsyen dhe përgjegjësit e kësaj përdhosjeje të vlerave tona historike që po synojnë zhdukjen e identitetit tonë si

komb. Kjo gjë ka ndodhur edhe në një fshat të vogël në juglindje, në Kolonjë, në fshatin Luaras, ku duar të zeza kanë dhunuar dhe shkatërruar jo vetëm bustin e rilindësit martir Petro Nini, por edhe shkollën e fshatit. I ndodhur rreth 2 orë larg qytetit të Ersekës, fshati ku lindi u rrit dhe mbylli sytë pas helmimit nga qarqet antishqiptare greke, rilindësi i madh i gjuhës dhe i shkronjave shqipe, Petro Nini, fshati Luaras të shfaqet para syve me gjithë madhështinë dhe emrin e madh, i paharruar për gjithë brezat e shqiptarëve. Duke marrë njëherësh mbiemrin e fshatit, Petro Nini Luarasi, ky luftëtar dhe kolos i paepur i gjuhës dhe i shkronjave shqipe, qysh në vogëli do të shfaqej si një krijesë inteligjente, kurajoze dhe shumë patriot, duke përqafuar literaturën e kohës, rrëfenjat e paraardhësve të tij, por edhe të bashkëkohësve, duke nisur qysh në moshën 18 vjeçare misionin e mbrojtjes dhe të përhapjes së gjuhës së të parëve. Petro Nini Luarasi vinte nga një familje e hershme nga i njëjti fshat, që asokohe kishte mbi 150 shtëpi. Rilindësi shumë shpejt do të radhitej në armatën e emrave të shquar që po mbronin me jetën dhe gjakun e tyre gjuhën shqipe, nga sulmet dhe skenarët e asokohe të kishës Orthodokse greke, por edhe hordhive turke. Petro Nini Luarasi, lindi si pishtar dhe u bë legjendë e gjuhës shqipe dhe mbeti i tillë. Deri para viteve ’90 fshati Luaras, qyteti i Ersekës (por edhe Tirana me gjimnazin e saj të famshëm) kishin një shkollë me emrin e Petro Ninit, duke marrë vendin që i takonte në historinë e themeluesve të gjuhës shqipe. Ai sot renditet tek “Martirët e gjuhës shqipe”. Në fshatin Luaras, deri në vitin 1996, ekzistonte një shkollë, një shtëpi muze dhe një bust i rilindësit të madh Petro Nini Luarasi, duke vendosur kështu emrin dhe veprën e tij në piedestalin e duhur të heronjve të kombit. Ardhja e tranzicionit, ndryshimi i sistemeve, aspak nuk kishte si qëllim ndryshimin e emrave, shembjen e busteve të rilindësve, të cilët kanë meritën e madhe të shpëtimit të gjuhës shqipe. Dhunimi i tyre ka ndodhur pikërisht nga qarqet antishqiptare dhe papërgjegjshmëria e drejtuesve të Arsimit në rrethin e Kolonjës. Janë pikërisht këta të fundit që me “pakujdesinë” e qëllimshme e kanë katandisur sot fshatin e Petro Nini Luarasit, në gërmadhë. Atje sot nuk ka shkollë, pasi ajo është rrënuar, busti i rilindësit është thyer nga “duart e padukshme”, dhe kjo ka ndodhur gjatë vitit të zi 1997, nga segmente antishqiptare me prapavijë  greke. Krahina  dhe sidomos fshati Luaras, ka qenë shembull i mbarëvajtjes dhe tolerancës fetare, por, si për habi, atje kanë nisur të “mbijnë” kishëza ortodokse, duke patur ndoshta si qëllim edhe fshirjen nga faqja e dheut e simboleve të historisë së Luarasit, fshatit që i dha kombit dhe historisë tij Petro Ninin. Interesimit pranë Drejtorisë Arsimore, zyrtarët e saj në Ersekë iu përgjigjën se “atje nuk kanë mbetur as 10 familje”, por asnjë përgjigje për bustin e thyer të Petro Ninit, as për shkollën e rrënuar. Kjo, padyshim, nuk është arsye për ta lënë Luarasin pa mësues, apo më keq me një mësuese, e cila mbledh nja 15 fëmijë të moshave të ndryshme, duke u bërë atyre jo mësim, por gallatë, e duke i lënë analfabetë për gjithë jetën. Situata dramatike në Luaras, në fshatin e Petro Ninit, duhet të shqetësojë gjithë zyrtarët vendorë në Kolonjë, Drejtorinë Arsimore, Ministrinë e Arsimit, Drejtorinë e Muzeumeve të vendit, pasi atje janë dhunuar vlerat e kombit dhe simbolet e gjuhës shqipe. Banorët e Luarasit shprehen se “fakti që shteti prej 19 vitesh nuk merr masa për të ringritur vlerat e rilindasit të madh Petro Nini, tregon për një dorë të kujdesshme dhe dashakeqe që shënjestrën e kanë diku larg, për të krijuar vatra harrese ndaj figurave të tilla me përmasa gjigante. Por ne nuk i kemi harruar dhe nuk do t’i harrojmë patriotët e fshatit, por edhe të krahinës së Kolonjës, ata janë në memorien e kombit. Mbetet detyrë e MAS dhe ministres Nikolla të kthejë sytë nga vlerat e shkelura, nga ringritja dhe respektimi i figurave kombëtare që i dhanë kontribute madje edhe jetën e tyre gjuhës së bukur shqipe.

Artur AJAZI