Zef Preçi/ Ndërsa draft-ligji për arsimin e lartë është hedhur për diskutim…

48

Personalisht, e çmoj dhe respektoj diversitetin e debatit dhe mundësinë e pjesëmarrjes së palëve të përfshira në një proces reformues, e kjo vlen më shumë se kudo, kur bëhet fjalë për arsimin. Për ata që s’e dinë: Qysh në fillimet e funksionimit të shtetit kombëtar shqiptar (1920), arsimi së bashku me shëndetësinë kanë qenë prioritet i politikave (kuptohet edhe i buxhetit) shtetëror, pak a shumë si sot…

Nga një lexim vertikal i draft ligjit në fjalë, nuk munda të gjej përgjigje për dy çështje, që sipas meje duhej të ishin adresuar në atë dokument:

1) Në ç’mënyrë arsimimi ynë kombëtar do të harmonizohet me prirjet e tregut të punës në vend, rajon e më gjerë?

2) Duke ditur se cilësia e arsimimit është edhe “thembra e Akilit” e hapjes që është shënuar në këtë sektor, si do të garantohet një arsimim cilësor, gjë që do të bënte edhe rritjen a aftësive konkurruese të të shkolluarve që diplomohen në universitetet shqiptare?

Në morinë e shkrimeve rreth draftit të hedhur për një debat “blitz”, pëlqeva komentin dashamirës dhe të drejtpërdrejtë të prof. Fugës, që po e risjell këtu më poshtë…

Ndërkaq kam nevojë që dikush që di më shumë se unë, duke përfshirë dhe ish-ministrat socialistë e demokratë, që kanë qenë përfshirë në procesin e Bolonjës të sqarojnë publikun (dhe mua me këtë rast): Sa kemi avancuar me zbatimin e atij procesi? Ku kemi gabuar? Çfarë korrigjimesh ofrojnë këta 10-12 vjet që është zbatuar ai model? Ndoshta këtu, duhej të kishte filluar edhe reforma në fjalë…

Gjithashtu, nuk kuptoj ngutjen e madhe për të miratuar këtë draft, por edhe faktin se përse nuk dalin autorët apo autoritetet e përfshira vendase dhe të huaja (nëse ka pasur vërtet autoritete që kanë punuar për draftin në fjalë) që ta prezantojnë dhe mbrojnë këtë dokument? Ndoshta kështu krijohet terren për rishikim për ta sjellë në standardin e një reforme siç është premtuar dhe për të evituar amatorizmin e dukshëm, eksperimentimin e panevojshëm, apo më keq akoma, në emër të “reformimit” rritjen dhe sofistikimin e ndërhyrjes qeveritare në jetën akademike, gjë që dëmton më tej vetë sektorin e arsimit e bashkë me të edhe të ardhmen e vendit….