Vasili: Nikolla dhe Beqaj ndërhynë në proces, u prish konkurrimi

43

Specializimet në mjekësi, një proces i nisur keq dhe i kundërshtuar fort nga konkurruesit

Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili akuzon ministrin Ilir Beqja se ka shkelur rregullat e konkurrimit për specializimet në mjekësi, duke krijuar kushte për konkurrim të pabarabartë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Vasili deklaroi se është absurditet që të konkurrojnë studentë që nuk kanë dhënë provimin e shtetit dhe kjo me urdhër të ministres së Arsimit, e cila së bashku me ministrin Beqaj kanë ndërhyrë pa të drejtë në proces. “M’u duk absurde të mendoja që njerëz që nuk kishin dhënë provimin e shtetit mund të merrnin pjesë në konkurs, sepse ishte një kusht përjashtues shumë i egër. Por u trondita shumë kur në intervistën e dhënë nga dekania e Fakultetit të Mjekësisë mësova që ky është një fakt i vërtetë dhe ishte bërë me një urdhër të Ministres së Arsimit, e cila nuk ka asnjë tagër mbi procesin. Tagrin mbi procesin fillim-mbarim e ka vetëm rektori dhe dekani. Mbi këtë ligj kanë qenë ndërtuar specializimet, mbi këtë ligj kam qenë dhe unë ministër i shëndetësisë por nuk kam patur të drejtë të firmos. Nuk e kuptoj se si mund të firmoset. Përse ligji i arsimit të lartë ka krijuar të tilla deformime. Duke marrë shkak nga tronditja që më shkaktoi vërtet se si mund të shkelen rregullat e garës, sigurisht shkelja e rregullave nuk vjen nga motive pozitive. Ka në mend emra të përveçëm. kurse në momentin e shpalljes së këtyre rregullave, cenimi nga kushdo, qoftë edhe ministri, nuk flet për transparencë, por për të kundërtën e transparencës” – deklaroi Vasili.

Një tjetër pikë ku Petrit Vasali ka qenë i ashpër ka qenë edhe paragjykimi ndaj klasës mjekësore shqiptare dhe studentëve që kanë mbaruar në Shqipëri universitetin. “Unë e gjej të pamundur të shpjegohet mënyra se pse unë do prish konkurrimin e barabartë dhe do fus të tjerët për çfarëdolloj shkaku në botë. Nën mesatare 7 nuk mund të marrin pjesë në specializim, kjo është e qartë. Ndërkohë që ata që kanë mbaruar në këto vendet perëndimore, që vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, kanë të drejtë edhe me më pak, edhe me 5.1.”- tha ai.

Për Petrit Vasilin, testimi i mjekëve nuk duhet të bëhet, dhe për këtë deklaroi se ministri Ilir Beqaj është këshilluar keq.

Konkursi i specializimeve, një proces i bërë keq që në fillim

 

Gjithçka nisi keq për konkurrentët e specializimeve të mjekësisë. Fillimisht ata nëpërmjet protestës, arritën të ndryshojnë një nga pikat e rregullores për konkursin, kriterin e gjuhës së huaj. Ish ministri i Shëndetësisë Vasili zbardhi problematika të tjera, që sipas tij, kanë krijuar kushte për konkurrim të pabarabartë. Ndërsa vetë konkurrentët kanë hedhur dyshimet e tyre për rregullsinë e procesit të konkurrimit; intervistomi dhe testimi, shqetësime të cilat “Telegraf” ia ka përcjellë me profesionalizëm opinionit publik.

 

PROTESTA PËR GJUHËN E HUAJ

Para se të fillonte procesi i konkurrimit, kandidatët për specializantë në mjekësi protestuan për shkak të ndryshimit të kriterit të gjuhës së huaj, sipas rregullores së re të miratuar nga Rektorati. Ky i fundit kishte vendosur të mos njihte më dëshmitë që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, por vendoste si kusht të regjistrimit në konkursin e specializimit, pasjen e dëshmisë së gjuhës së huaj mbi nivelin B2, dëshmi që ofrohet vetëm nga shkollat private. Pas protestës se kandidatëve për specializantë në mjekësi, Ministria e Arsimit vendosi të ndryshojë rregullat, duke pranuar për aplikim dokumentin e njohjes së gjuhës së huaj, në nivel B2, ose ekuivalentin përkatës për gjuhët e tjera, të parashikuar në rregulloren e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me test ndërkombëtar ose me certifikatë të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

PROCESI I KONKURRIMIT

Intervistimi

Intervistimi, ndryshe është realizuar për disa kandidatë dhe ndryshe për disa të tjerë. Sipas kandidatëve për specializantë të mjekësisë kush kishte “mikun” merrte 100 % të pikëve.

Testimi te AKP

Testimi i bërë në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ishte faza e dytë e konkursit, fazë e cila vlerësohet me 70 % të pikëve. Kjo është faza e cila edhe u kontestua më shumë nga studentët e mjekësisë. Sipas tyre, ata që kanë marrë 99 – 100 % të pikëve, nëse ritestohen, zor se do të arrijnë në gjysmën e rezultateve të arritura në këtë fazë. Ata e njohin mirë nivelin e përgatitjes së këtyre studentëve (shokëve të grupit) gjatë viteve të shkollimit.

– Kandidatët për specializantë thonë se disa shokë të tyre konkurrentë kanë dalë për 15 minuta nga testimi. Për 15 minuta, as që nuk arrin të lexosh dot 100 pyetjet dhe jo më t’u japësh përgjigje. Këtë gjë Ministria e Arsimit mund ta verifikonte fare lehtë, pasi ambienti është i pajisur me kamera.

– Nëse do të verifikohej nota mesatare e kandidatëve, të cilët kanë dalë shkëlqyeshëm në test, do të vihej re një mospërputhje në përgatitjen gjatë gjithë viteve shkollore me rezultatet e shkëlqyera në testim..

– Konkurruesit hodhën dyshimet e tyre se kandidatët “ekselentë” mund ta kenë ditur paraprakisht tezën me 100 nga 3000 pyetjet që do të afishoheshin në kompjuter ditën e vlerësimit, ose ata kanë pasur zotësinë për të gjetur derën e prapme të IT-së në Ministrinë e Arsimit. Konkurruesit janë shprehur për “Telegraf” se intervista dhe testi i informatizuar nxori arritje maksimale 100 % për gjithë fëmijët e mjekëve, nipërit dhe mbesat e atyre që kanë akses, qoftë në fakultet, ministri apo AKP. Sipas tyre, nëse testi do të ishte zgjedhje rastësore nga kompjuteri dhe jo nga Komisioni (miqtë e tyre), atëherë do matej me të vërtetë dija e tyre.