Urdhri i mësuesit, nuk do të ketë më mësues pa arsim të lartë dhe pa licencë. Drejtorët do licencohen nga MAS

1730
Sigal

Reforma në arsimin parauniversitar/ Zbardhet drafti i ri: Sistemi parauniversitar si Kosova; 5+4+3. Vlerësime kombëtare periodike për klasat 5 dhe 11, në disa lëndë

Sistemi arsimor parauniveristar nuk do të jetë ai 6 + 3+3, siç e parashikonte ligji i ri i arsimit parauniversitar, i cili hyn në fuqi në shtator, por do të ndiqet modeli i Kosovës dhe ai i disa vendeve europiane 5+4+3. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se modeli ekzistues nuk funksion më, prandaj ka nevojë për një reformim. Në këtë ndryshim parashikohet që ngarkesat e lëndëve të shmangen dhe nxënësit të orientohen më tepër drejt praktikës se sa të mësuarit përmendësh. “Kjo qasje e re merr parasysh vizionin bashkëkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Modeli kurrikular, i përzgjedhur konform standardeve të BE-së, frymëzohet nga një histori efektive e njohjes dhe një logjikë e re kurrikulare. Në themelin e këtij modeli qëndron ideja që përvetësimi në procesin e nxënies synon gjetjen e përgjigjeve që shtrojnë situatat reale, duke vendosur lidhjet mes dijeve lëndore dhe koncepteve jetësore”.

Profesionaliteti i mësuesve

Në raport thuhet se në sistemin aktual të arsimit bazë dhe të mesëm kompetencat profesionale të mësuesve nuk janë në nivelin e duhur. Kjo ka vështirësuar mësimdhënien në lëndët kyçe si gjuhë shqipe, gjuhë e huaj dhe matematika. Ministrja tha se në këtë ndryshim mësuesit janë ata që do të luajnë rol kyç në këtë strategji të re. Sipas Ministres, do të jenë përvojat më të mira europiane ato që do të sjellin dhe ndryshimin në reformën e arsimit parauniversitar. “Sot prezantojmë raportin e grupit të punës për reformimin e arsimit parauniversitar si një dokument i domosdoshëm për të rihapur diskutimet dhe këshillimin me aktorët e përfshirë. Qasja e re ndaj kurrikulës, duke u bazuar në kompetenca, paraqet një zhvendosje domethënëse nga kurrikula tradicionale, duke e përafruar me kurrikulat e vendeve europiane dhe kërkon ndryshime të thella që prek të gjithë sistemin arsimor, dokumentacionin kurrikular, organizimin dhe vlerësimin e nxënieve, reformimin e sistemeve të formimit fillestar, kualifikimin rreth zhvillimit profesional të burimeve njerëzore deri tek infrastruktura fizike e institucioneve arsimore”.

 

 Organizimi i sistemit arsimor parauniversitar (SAPU)

 Në draftin e ri parashikohet të ruhet struktura e SAPU-së sipas skemës 5+4+3. Kjo është skema, me të cilën funksionon aktualisht SAPU-ja, por që, sipas ligjit, është përcaktuar të ndryshojë, pas vitit 2015. Skema e propozuar kushtëzohet nga niveli i kompetencave profesionale të mësuesve tanë që punojnë në arsimin fillor. Gjithashtu, kjo skemë është e njëjtë me skemën e organizimit të SAPU-së në Republikën e Kosovës

*Për përmirësimin e frekuentimit dhe të cilësisë së arritjeve, të trajtohen me përparësi:

-Përfshirja graduale, deri në vitin 2018 , e të gjithë fëmijëve, që plotësojnë moshën 5-vjeçare, në grupin III të arsimit parashkollor ose në klasat përgatitore.

-Rritja me përparësi (me 5% çdo vit ) e numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuar në arsimin parashkollor dhe në klasa përgatitore.

-Trajnimi i mësuesve të arsimit parashkollor për punën me nxënësit me aftësi të kufizuar dhe futja e mësuesit ndihmës në shkolla, ku janë integruar nxënës me aftësi të kufizuara

Rritja e numrit të fëmijëve romë (me 5% çdo vit) në arsimin parashkollor dhe në klasa përgatitore.

*Përmirësimi në afat mesëm i rajonalizimit dhe i konsolidimit të institucionale arsimore të përqendruara. Transferimi i nxënësve në shkollat e afërta, duke mbështetur transportin e tyre me fonde publike, deri ndërtimi i konvikteve atje ku është e mundur, të krijojë mundësi që mësimi të zhvillohet me mësues me arsim përkatës, në mjedise nxënieje miqësore që mundësojnë pjesëmarrjen në veprimtaritë kurrikulare.

*Të përmirësohet dixhitalizimi i sistemit arsimor dhe i procesit të nxënies në tri komponente kyçe: Infrastrukturë; Burimet për nxënie dhe Kompetencat profesionale të mësuesve

*Të konsolidohet shërbimi psiko-social, nëpërmjet ngritjes së njësisë së shërbimit psiko-social në njësitë arsimore vendore. Këtij objektivi t’i shërbejë trajnimi i vazhdueshëm i 150 psikologëve dhe 150 punonjësve socialë, të nevojshëm për këtë shërbim;

KURRIKULA, e bazuar në kompetenca. Alterteksi jo efikas

 Ky draft vlerëson si joefikase Altertekstin si dhe shumë problematika në kurrikulën aktuale, ndaj propozon ndryshimin e kurrikulës, me fokus zhvillimin e kompetencave kyçe për të nxënit gjatë gjithë jetës. Nga ana tjetër, reforma mbështetet në njësimin e kurrikulës së Shqipërisë me atë të Kosovës, si synim i politikës arsimore qeveritare.

*Del i nevojshëm përmirësimi i cilësisë së të nxënit, përmes reformës kurrikulare që të konceptojë dhe të organizojë kurrikulën sipas një qasjeje që zhvillon kompetencat e të nxënit gjatë gjithë jetës.

*Kurrikula e re të ofrojë zgjidhje që mbajnë parasysh nevojat vetjake dhe stilet e të nxënit, si dhe përvojat mësimore paraprake të nxënësve, si kusht për përmirësimin e nivelit të arritjeve të tyre. Ajo të hartohet dhe të zbatohet në harmoni me veçoritë kryesore të grupmoshave dhe në varësi të mundësive dhe të gatishmërisë së fëmijëve për të nxënë.

*Nxënia sipas kurrikulës së reformuar të bëhet nëpërmjet situatave të lidhur me kontekstet e të nxënit, të cilat mbështetin dhe ndihmojnë zhvillimin e kompetencave.

*Kurrikula e reformuar e arsimit parauniversitar të bazohet në qasjen me kompetenca dhe të organizohet sipas një strukture që mbështet zhvillimin e tyre (kompetenca, fusha të nxëni, shkallë kurrikule, rezultate të nxëni për kompetencë dhe fushë).

*Si kompetencat kyçe, sipas të cilave organizohet kurrikula e reformuar, draft Korniza Kurrikulare (KK) ka përcaktuar: 1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit. 2. Kompetenca e të menduarit. 3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë. 4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin. 5. Kompetenca personale. 6. Kompetenca qytetare. 7. Kompetenca dixhitale

*Ndërtimi i kurrikulës së APU-së mbi këto kompetenca do të krijojë mundësinë e përmbushjes së nevojave për ndryshime kurrikulare dhe do të mundësojë formimin e një brezi të ri të aftë për të përdorur njohuritë në praktikë.

 

Fushat e të nxënit

Veçmas apo të integruara, fushat e të nxënit të shërbejnë për zhvillimin e kompetencave kyçe dhe specifike. Ato të përbëjnë bazën e organizimit të procesit mësimor-edukativ në shkollë, për çdo nivel arsimor dhe çdo shkallë kurrikule. Kurrikula e reformuar të organizohet në shtatë fusha të nxëni që të përfshijnë një ose më shumë lëndë apo module me tipare të përbashkëta. Lëndët dhe modulet të orientohen nga rezultatet e të nxënit, të përcaktuara për çdo fushë. Disa lëndë të fushës mund të jenë pjesë e disa shkallëve kurrikulare.

*Si fusha të nxënit KK ka përcaktuar: 1. Gjuhët dhe komunikimi 2. Matematika 3. Shkencat e natyrës 4. Shoqëria dhe mjedisi 5. Artet 6. Edukimi fizik, sportet dhe shëndeti 7. Teknologjia dhe TIK-u.

*Kurrikula e re do të strukturohet në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën me zgjedhje.

 Kurrikula bërthamë do të përbëhet nga fusha/lëndë të cilat shoqëria (shteti) i kërkon për këdo që përfundon arsimin parauniversitar. Kurrikula bërthamë do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e një klase për nga lloji, numri dhe rezultatet e të nxënit.

-Kurrikula me zgjedhje do të ofrohet nga shkolla dhe do të zgjidhet nga nxënësit, sipas interesave të veta për kurrikulën dhe karrierën e tyre. Zgjedhja do të nisë që në klasën e parë dhe do të shtohet përgjatë itinerarit shkollor.

*Kurrikula e reformuar do të strukturohet sipas kompetencave kyç dhe rezultateve të të nxënit për kompetencë dhe për fusha të nxënies dhe jo sipas objektivave, si e tanishmja. Reforma do të ndryshojë konceptin për të nxënit.

*Mësuesit duhet të jenë, gjithnjë e më shumë, drejtues dhe krijues të situatave të të nxënit. Ata do të jenë të lirë të hartojnë vetë programet dhe planet mësimore për klasë, brenda një shkalle të caktuar të kurrikulës, do të zgjedhin burimet dhe mjediset e të nxënit. Konceptimi i kurrikulës me bazë kompetencat do t’i bëjë ata krijues dhe më të përgjegjshëm për profesionin e tyre.

*Planifikimi, hartimi, zbatimi i kurrikulës dhe, mbi të gjitha, arritja e rezultateve të të nxënit do të kërkojnë bashkëpunim të përgjegjshëm të aktorëve dhe palëve të interesuara.

*Formimi fillestar dhe trajnimi i mësuesve është domosdoshmëri për garantimin e suksesit të reformës. Rol të veçantë merr kurrikula e formimit të mësuesve në universitet që do të jetë në koherencë me konceptimet e reja të reformës kurrikulare.

*Burimet e të nxënit do të jenë më të zgjeruara dhe teksti nuk do të jetë burimi i vetëm i të nxënit. Tekstet shkollore do të konceptohen ndryshe, në funksion të konceptimit dhe të strukturës së kurrikulës me bazë kompetencat.

*Reforma do t’i japë përparësi alfabetizimit dixhital, që të arrihet shkalla e alfabetizimit të plotë funksional.

*Reforma kurrikulare do të shoqërohet me reformën e vlerësimit, e cila do të kushtëzohet nga qasja me bazë kompetencat.

* Konceptimi i ri i kurrikulës do t’i japë shkollës përmasat e një qendre shumëplanëshe që do të ofrojë shërbime arsimore cilësore, në bashkëpunim me komunitetin dhe në shërbim të tij.

*Reforma e kurrikulës do të zgjerojë autonominë dhe përgjegjshmërinë e shkollës.

*Dokumentet e kurrikulës së reformuar do të jenë: Korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar të Republikës së Shqipërisë; Korniza kurrikulare e arsimit parashkollor; Kurrikula bërthamë për arsimin parashkollor; Kurrikula bërthamë për klasën përgatitore dhe arsimin fillor; Kurrikula bërthamë për arsimin e mesëm të ulët; Kurrikula bërthamë për arsimin e mesëm të lartë; Programet mësimore për shkallë; Materiale ndihmëse për zbatimin e kurrikulës së re.

*Korniza Kurrikulare është dokumenti më i rëndësishëm ku përshkruhen orientimet dhe udhëzimet kryesore për qëllimet arsimore, brendinë, mënyrat e nxënies dhe arritjet e nxënësve. Si dokument kyç për organizimin e sistemit arsimor, Korniza do të orientojë aktorët arsimorë dhe palët e interesuara për aspektet kryesore të kurrikulës, si bazë për të siguruar në mënyrë efektive arsimin cilësor për të gjithë.

*Korniza Kurrikulare ka përcaktuar: qëllimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar;

kompetencat kyçe që do të fitohen nga të gjithë nxënësit pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë; parimet e përgjithshme që orientojnë zhvillimin dhe zbatimin kurrikulës;

veçoritë e niveleve të arsimit parauniversitar nga këndvështrimi i reformës kurrikulare;

shkallët e kurrikulës dhe rolin në organizimin dhe vlerësimin e procesit të nxënies; fushat e të nxënit dhe lëndët, sipas niveleve dhe shkallëve të kurrikulës, si dhe kohën mësimore për çdo fushë; mësimdhënien dhe të nxënit e efektshëm; sistemin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve; dokumentet kurrikulare.

*Kurrikula bërthamë (për arsimin parashkollor dhe për arsimin parauniversitar) do të integrojë dokumentet e kurrikulës bërthamë të cilët rregullojnë ecurinë e procesit mësimor, bazuar në Kornizën Kurrikulare të APU-së së Shqipërisë. Ato do të përshkruajnë rezultatet e të nxënit për çdo kompetencë kyçe dhe fushë të nxëni, sipas shkallëve të kurrikulës, metodologjitë e zbatimit të kurrikulës, vlerësimin e nxënësve dhe shpërndarjen kohore (plani mësimor) për secilën fushë.

* Programet e parashkollorit do të hartohen për secilën grupmoshë fëmijësh: 2-4, 4-5 dhe 5-6 vjeç, që përkon me grupin I, II, III të kopshtit.

*Kurrikula e arsimit parauniversitar t’i referohet me përparësi parimit të shumëgjuhësisë

dhe të shumë kulturave, duke u kushtuar rëndësi nxënies së gjuhëve të huaja dhe gjuhëve të minoritetit.

*Reforma kurrikulare të reformojë përgatitjen dhe certifikimin e teksteve shkollore, duke përfshirë ligjin për tekstet shkollore dhe aktet nënligjore përkatëse, hartimin e standardeve të teksteve shkollore dhe të procedurave për vlerësimin dhe certifikimin.

*Pilotimi i kurrikulës të jetë i planifikuar, koherent, gjithëpërfshirës dhe të ndërtohet mbi bazën e bashkëpunimit. Procesi të shërbejë për sensibilizimin e publikut, për kualifikimin e mësuesve, për përgatitjen e plotë të programeve, të teksteve për zbatim masiv, si dhe për korrigjimet e mundshme në programe dhe në tekste pas pilotimit.

*Objektivat e pilotimit të kurrikulës së arsimit parauniversitar do të jenë: Sigurimi i cilësisë së kurrikulës së reformuar; Efektiviteti i kurrikulës së reformuar; Efiçenca e kurrikulës së reformuar.

*Pilotimi i kurrikulës së re do të realizohet hap pas hapi, duke filluar nga klasat I, VI, X

Të nxënit dhe vlerësimi

*Vlerësimi i të nxënit të konceptohet dhe të realizohet si mjet për arritjen e qëllimit, jo si qëllim më vete. Nxënësit nuk nxënë që të vlerësohen, por ata vlerësohen që të ndihmohen të nxënë më mirë.

* Që të shërbejë nxënien, vlerësimi duhet të mbajë parasysh të gjitha elementet që formësojnë kurrikulën: kompetencat lëndore, ato ndërlëndore dhe fushat e të nxënit dhe rezultatet e të nxënit.

*Sistemet e sigurimit të cilësisë duhet të përgatitin kuadrin e ri rregullator për vlerësimin e brendshëm/të jashtëm dhe për certifikimin e arritjeve, të njohurive dhe të kompetencave të nxënësve, sipas filozofisë së re të kurrikulës kombëtare. Rezultate e vlerësimit nga Ministria, ose nga agjencitë e tjera, të përfshihen në informacionin mbi të cilin mbështetet vlerësimi.

Institucionet e vlerësimit

*IShA të riorganizohet në dy nivele. Niveli qendror të shërbejë si njësi bazë për hartimin e orientimeve dhe të udhëzimeve për procesin e inspektimit, për planifikimet e ushtrimit të inspektimeve në nivel kombëtar dhe vendor, për mbledhjen dhe për përpunimin e të dhënave, për inspektimin dhe raportimin e cilësisë së arritjeve në nivel shtetëror, vendor dhe institucional etj. Zyrat e inspektimit të nivelit rajonal, të varura nga niveli qendror, të funksionojnë si njësi operative që, në bashkëpunim me inspektoratin qendror, realizojnë të gjitha llojet e vlerësimeve të jashtme dhe të verifikojnë dhe vlerësojnë zbatimin e kuadrit ligjor në institucionet arsimore.

*AKP-ja të fuqizohet në drejtim të burimeve materiale si dhe të ketë më shumë hapësira për të organizuar trajnime të stafit të saj, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve.

*AKP-ja të ketë më shumë pavarësi profesionale në përcaktimin e strukturave të testeve, të pilotimit të pyetjeve etj.

*Struktura e testeve të provimeve kombëtare duhet të ndryshojë dhe të rishikohet përmbajtja e pyetjeve, sasia e pikëve dhe peshat e niveleve të vështirësisë (testi duhet të  jetë të paktën me 100 pikë, për një vlerësim më të zgjeruar të njohurive dhe të kompetencave të nxënësve).

  

Maturantët do i drejtohen vetë fakulteteve, sipas degëve që preferojnë

 Provimet e maturës shtetërore, sipas draftit të ri, do të jenë thjeshtë përmbyllëse të shkollës së mesme. Tashmë maturantët do i drejtohen vetë fakulteteve për t’u regjistruar në degët që preferojnë, sipas kritereve që do të venë universitetet.

*Lidhja midis shkollës së mesme-maturës dhe shkollës së lartë nuk është tërësisht funksionale. Ndërkohë që shkalla e vështirësisë dhe përmbajtja e provimeve të p[provimeve të maturës përputhet me programin e shkollës së mesme, lidhja duket nuk funksionon në hallkën maturë-shkollë e lartë. Prandaj, dhe në respekt të autonomisë së universiteteve, matura duhej të shërbejë vetëm si provim dalës që pajis nxënësit me diplomë të përfundimit të shkollës së mesme.

*Rezultatet e provimeve duhet të jenë të krahasueshme midis nxënësve, shkollave dhe njësive arsimore vendore.

*Organizimi, drejtimi dhe rezultatet e provimeve duhet të gëzojnë besimin e publikut.

*Të hartohen vlerësime kombëtare periodike për klasat 5 dhe 11, në disa lëndë.

 *Të trajnohen mësuesit për hartimin e instrumenteve të vlerësimit të kompetencave dhe për përdorimin në klasë të metodave dhe teknikave bashkëkohore të vlerësimit.

*Të përdoren vlerësimet kombëtare për të siguruar informacion në shkallë vendi, në lidhje me rezultatet e të nxënit sipas standardeve kombëtare dhe për të identifikuar zonat ku të përqendrohet vëmendja e të gjithë aktorëve të arsimit.

*Të përdoren rezultatet e provimeve dhe vlerësimeve kombëtare / ndërkombëtare për të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme cilësore në kurrikul, në efektivitetin e mësuesve, në drejtimin e shkollës dhe për të krahasuar nxënësit, shkollat dhe njësitë arsimore vendore.

*Institucionalizimi i bashkëpunimit mes institucioneve të lehtësojë marrjen në kohë të informacioneve të nevojshme për gjithsecilin. Kjo do të sigurojë përdorimin e të dhënave të AKP-së në vlerësimet kombëtare, ndërkombëtare dhe të IShA-s në raportet e saj, për rezultatet e të nxënit sipas standardeve si dhe për të identifikuar zonat/institucionet arsimore ku të përqendrohet vëmendja e aktorëve.

*Përmirësimi i bashkëpunimet ndërinstitucional të vlerësohet si faktor kyç për përgatitjen e raportit vjetor për arritjet në SAPU.

 Formimi, trajnimi në punë dhe kualifikimi i mësuesve

 FORMIMI I MËSUESVE

Në draftin e ri propozohet që programet e formimit të mësuesve të përfshijnë metodologjitë e kërkimit dhe të hulumtimit, që mësuesit e rinj të jenë në gjendje të zbatojnë kërkimin në praktikën shkollore. Njohja e tyre me shkollën dhe me nxënësit të nisë që me fillimin e studimeve. Programet e reja, për të gjitha kategoritë e mësuesve, të reflektojnë risitë e kurrikulës së APU-së, të pasurohen me lëndën e TIK-ut dhe me teknikat e hartimit të testeve për vlerësimin e nivelit të zhvillimit të kompetencave. Të gjitha këto, të sigurojnë që studentët të vijnë në auditorë për të diskutuar dhe jo për të riprodhuar ato që u janë dhënë në leksion, në libra dhe në materiale të tjera, të shtypura apo në formë elektronike.

*Modeli i ri i formimit të mësuesve, drejt përafrimit me modelet më të përparuara europiane, ndihmohet edhe nga fuqizimi i qendrave të ekselencës në fakultetet që përgatitin mësues. Këto qendra mund të ndihmojnë studentët për përsosjen e kompetencave profesionale, të aftësive dhe të kapaciteteve të nevojshme për kërkimin arsimor, si dhe mund të aktivizohen fuqimisht si operatorë profesionalë në tregun e shërbimeve trajnuese. Gjithashtu, qendrat mund të ndihmojnë në përgatitjen e mësuesve mentorë. Pjesë e tyre të jenë dhe shkolla ku mësuesit e ardhshëm zhvillojnë praktikën pedagogjike.

*Paga, gjatë vitit të praktikës pranë institucioneve të arsimit, pas diplomimit të studentëve me diplomën Master, të jetë sa 1/2 e rrogës së mësuesit.

TRAJNIMI NË PUNË I MËSUESVE

  Sistemi i reformuar i trajnimit të punonjësve arsimorë: të konceptohet, të planifikohet dhe të administrohet mbi bazën e dokumenteve politike arsimore kombëtare, vendore dhe institucionale për trajnim; të administrohet, mbështetur mbi standardet e sigurimit të cilësisë; të plotësojë nevojat e mësuesve/drejtuesve për përsosjen e kompetencave profesionale; të sigurojë liri në përzgjedhjen e ofertave për trajnim nga të interesuarit;

të ofrohet nga agjenci trajnimi të akredituara; të kushtëzojë arritjet në trajnimet e mësuesve me arritjet e tyre në punë; të lidhë ecurinë në karrierë me pagën; të sigurojë funksionimin e shkollës si organizatë profesionale e të nxënit; t’u japë shkollave autonomi për përdorimin e fondeve qeveritare ose joqeveritare për të përmbushur objektivat e planit të trajnimit në nivel institucional.

*Plotësimi i objektivave të mësipërme të arrihet përmes koordinimit të MAS-it me institucionet e saj vartëse dhe me agjencitë që ofrojnë shërbime trajnimi. Në këtë kontekst: Trajnimi të konceptohet si e drejtë dhe si detyrë e të gjithë mësuesve dhe si përgjegjësi e MAS-it, e njësive arsimore vendore dhe e institucioneve arsimore; MAS-i të ofrojë programe shtetërore trajnimi për punonjësit arsimorë dhe të hartojë për këtë qëllim marrëveshjet e duhura me institucionet përkatëse; Njësitë arsimore vendore të financojnë programe kualifikimi të mësuesve, ofruar nga agjenci trajnuese me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e Ministrit; Ministria, njësitë arsimore vendore dhe shkollat të kujdesen për përdorimin e TIK-ut nga të gjithë punonjësit arsimorë, pavarësisht specializimit të tyre dhe të hartojnë e të mbështetin programe në këtë fushë; Institucioni arsimor të njohë mësuesit dhe specialistët me objektivat e politikave arsimore institucionale, vendore dhe qendrore dhe me ofertat për trajnim.

*Ofruesit e trajnimeve mund të jenë agjenci të akredituara: qeveritare ose joqeveritare; publike ose private; vendase ose të huaja; të vendeve te tjera ose ndërshtetërore; të subvencionuara ose të pasubvencionuara nga shteti;

*Agjenci trajnuese mund të jenë: FA-të dhe IAL-të; grupime individësh; individë.

*Për trajnime mund të ofrohen: programe të konceptuara mbi bazë modulesh, që ndërtohen për krijimin e njohurive të reja dhe të kompetencave profesionale, për diskutimin e pikëpamjeve të ndryshme, për paraqitjen e argumenteve dhe të provave; trajnime; shkëmbime përvojash në mes kolegëve të një zone arsimore; këshillime nga seksionet këshillimore në njësitë arsimore vendore; faqe interneti për këshillim ku këshilluesi është ekspert i certifikuar për këshilla; faqe interneti me produkte profesionale.

Financimi

*Trajnimi i mësuesit të baraspeshojë të drejtën e individit me detyrën për trajnim. Ai, ndërkaq, është dhe nevojë e shtetit për të përmirësuar arsimin ndaj, për rrjedhojë, duhet të mbizotërojë financimi publik. Punonjësit arsimorë të trajnohen

të paktën 4 (katër) ditë në vit, me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Përqindja e buxhetit arsimor qeveritar të përcaktohet mbi bazën e ligjit, i cili vendos kufirin e poshtëm të kësaj përqindjeje. (p.sh., të paktën 3% e Buxhetit të Shtetit për arsimin parauniversitar të shpenzohet për trajnimin e punonjësve arsimorë parauniversitarë). Shpërndarja e financimit për trajnim të jetë e veçantë dhe të realizohet sipas formulës “për punonjës”.

*Përqindja e shpenzimeve për trajnimin e personelit të shkollës, kundrejt fondit total të shkollës, të ketë një prag të detyrueshëm minimal (p.sh., jo më pak se 5%). Ministria, njësitë arsimore vendore dhe ato të qeverisjes vendore të kenë një fond të veçantë për trajnime të punonjësve arsimorë. Nga ky fond të përfitojnë edhe shkollat nëpërmjet aplikimeve si personel shkollor në tërësi, ose në grupe, ose si individë të saj, por të miratuara paraprakisht nga drejtoria e shkollës.

*MAS-i të veçojë dhe t’u dërgojë njësive arsimore vendore një fond, për t’ua dhënë shkollave që kanë nevojë për shtesë të fondeve publike për trajnime. Kjo nevojë të identifikohet sipas treguesve të efektivitetit të shkollës. Shteti të marrë përsipër shpenzimet e mësuesit për trajnimet që kontribuojnë për titujt e karrierës së tij dhe për shërbimin në qendrat këshillimore publike, por jo për shpenzimet për trajnime që nuk  janë të planifikuara nga shkolla dhe për këshillime në qendra private këshillimore.

*Shkollat mund të financojnë nga burimet e tjera të tyre ato pjesë të nevojave për zhvillim profesional që nuk arrijnë të financohen nga Buxheti i Shtetit.

*MAS-i dhe njësitë arsimore vendore të ndërtojnë sistemin e nxitësve jo monetarë periodikë dhe të shpërblejmë mësuesit, drejtuesit dhe specialistët e suksesshëm. Sistemi të ngrihet dhe të funksionojë mbi bazën e kritereve të qarta.

*Zhvillimi i vazhduar profesional në arsim të organizohet dhe të mbështetet me këtë strukturë:

Urdhri i Mësuesit – Urdhri i Mësuesit të jetë një institucion që mbron figurën e mësuesit. Në këtë Urdhër të regjistrohen të gjithë personat që kanë titullin “Mësues”. Vetëm mësuesit e regjistruar në këtë Urdhër të kenë të drejtë të aplikojnë për tituj të karrierës dhe për role profesionale.

MAS – Të miratojë politikat dhe strategjitë kombëtare të zhvillimit profesional të mësuesve; të hartojë projektligjet që i përkasin këtij sistemi; të menaxhojë funksionimin e tij; të miratojë standardet e titujve të karrierës, të roleve profesionale, si dhe ato të procedurave të trajnimit, kurrikulën dhe programet e provimeve përfundimtare për titujt e karrierës.

IZHA – Të kontribuojë në hartimin e politikave të zhvillimit profesional të mësuesve dhe të strategjive përkatëse, si dhe të standardeve të sistemit; t’i propozojë MASH-it kurrikulën e zhvillimit profesional të mësuesve dhe programet orientuese të kualifikimit të mësuesve; t’i rekomandojë MAS-it përmirësime të sistemin të zhvillimit profesional të mësuesve; të menaxhojë hartimin e testeve të provimeve përfundimtare për titujt e karrierës; të organizojë takime kombëtare (konferenca, simpoziume, etj) për politikat e zhvillimit profesional të mësuesve, për strategjitë përkatëse, si dhe për përvojat e suksesshme në arritjet e nxënësve; të krijojë dhe të përditësojë një bazë të dhënash për mësuesit; të botojë në ndihmë të mësuesit.

Sektori i zhvillimit profesional në njësinë arsimore vendore –Të jetë njësi që bashkëpunon profesionalisht me IZhA-n dhe që zbaton politikat, strategjitë dhe standardet kombëtare arsimore në rajonin përkatës; të hartojë dhe zbatojë politikat, strategjitë dhe standardet plotësuese për zhvillimin profesional të mësuesve në rajonin përkatës; të kontribuojë në identifikimin e nevojave profesionale të personelit arsimor në juridiksionin përkatës etj.

Shkolla –Të hartojë, të mbështet dhe të vlerësojë programe të caktuara për trajnimin, varësisht nevojave të mësuesve të saj.

*E drejta për të ushtruar detyrën e drejtuesit të shkollës të sigurohet përmes një licence të njohur nga MAS-i, e vlefshme për një periudhë të caktuar kohore. Sigurimi i licencës për dhe rifitimi i saj në përfundim të afatit të caktuar të arrihet pas një procesi trajnues, pa shkëputje nga puna, përmes moduleve që ofrojnë njohuri dhe kompetenca profesionale në funksion të udhëheqjes së shkollës. Licenca të fitohet pas vlerësimit të paketës profesionale të aspiruesit për drejtues dhe të marrjes së provimit përfundimtar.

*E njëvlershme me licencën e drejtorit të institucionit arsimor të jetë dhe diploma e programit të studimeve MP për administrimin e arsimit.

*Institucionet kryesore të sistemit të formimit dhe të zhvillimit profesional të drejtuesve të jenë MAS-i, IZhA dhe Fakultetet që formojnë mësues.

Kualifikimi mësuesve, bazuar në arritje

 *Kualifikimi i punonjësve arsimore të jetësohet në funksion të plotësimit të nevojave, interesave dhe të cilësisë së formimit të nxënëseve dhe të nxënësve.

*MAS-i të ristrukturojë dhe të qartësojë mekanizmat dhe procedurat përmes të cilave ofrohet shërbimi dhe të sigurohet cilësia e kualifikimit, veçanërisht: Shkallët e karrierës së punonjësve arsimor; Rolet profesionale; Sistemin e krediteve; Politikën për kualifikimin e mësuesve pa arsim përkatës; Paketën profesionale të punonjësit arsimor.

*Të reformohet kualifikimi periodik i punonjësve arsimorë (mësues, drejtues shkollash, punonjës socialë, psikologë, etj.), duke i bazuar procesin dhe arritjet mbi treguesit e vlerësimit të vazhduar të punonjësit që kualifikohet.

*Punonjësi arsimor që nuk e fiton kategorinë e kualifikimit në provim dhe riprovim, të konsiderohet i paaftë për të ushtruar profesionin.

*Pas vitit 2018, të gjithë punonjësit arsimorë nën moshën 55 vjet të kenë përfunduar arsimin e lartë dhe të kenë marrë licencën për ushtrimin e profesionit. Punonjësit arsimorë mbi këtë moshë, të kenë dëshmuar përmes provimit përkatës, zotërimin e kompetencave profesionale të kërkuara.