Universiteti i Arteve, konkurset e pranimit nga 2-6 shtator

524
Sigal

Urdhri/Zbardhen masat për zhvillimin e konkurseve të pranimit në vitin akademik 2013-2014 në UART

2 deri në 6 shtator do të zhvillohen konkurset e pranimit në Universitetin e Arteve Tiranë. Kjo mësohet nga Urdhri i botuar në faqen zyrtare të UART. Në këtë urdhër zbardhen masat për zhvillimin e konkurseve të pranimit në vitin akademik 2013-2014 në Universitetin e Arteve. Në këtë urdhër bëhet e ditur mënyra sesi do të veprohet që me regjistrimin e deri me shpalljen e rezultateve të maturantëve në konkurset e pranimit. Në Universitetin e Arteve rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe e provimeve të maturës) llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70 %, ndërsa tarifa e regjistrimit të kandidatëve do të jetë 5.000 lekë.

Urdhri i plotë

1)Pranimet në të gjitha programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë në Universitetin e Arteve, për vitin akademik 2013-2014, bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës  Shtetërore dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit, e organizuar nga UART.

2)Universiteti i Arteve do të organizojë dhe zhvillojë konkursin e pranimit për të gjitha programet e ciklit të parë të studimit, me kohë të plotë të Akademisë së Arteve Shkodër.

3)Konkurset e pranimit në UART do të zhvillohen në datë 2 shtator deri në 6 shtator 2013.

4)Tarifa e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit që organizohen dhe zhvillohen në UART, është 5.000 lekë.

5)Në Universitetin e Arteve, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe e provimeve të Maturës) llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70 %.

6)Pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat që konkurron në një nga programet e studimit të UART janë 240. Kandidati i cili nuk arrin të fitojë të paktën 60 pikë në programet e studimit në të cilat konkurron, nuk fiton të drejtën e studimit.

7)Fakultetet e Universitetit të Arteve bëjnë publike rregulloret dhe programet e konkurseve jo më vonë se 1 gusht 2013.

8) Regjistrimi i kandidatëve për konkurset e pranimit bëhet pranë sekretarive të fakulteteve të UART nga data 16 gusht deri në orën 12.00 të datës 27 gusht 2013. Regjistrimi i kandidatëve bëhet duke u bazuar në listën elektronike të dërguar nga AKP për kandidatët që kanë plotësuar formularin A2 dhe nga MASH për kandidatët nga Kosova, Maqedonia, Mali i zi dhe nga Lugina e Preshevës.

9)Regjistrimi i kandidatit bëhet nëpërmjet një mjeti identifikimi personal me fotografi:

a) për kandidatët nga Shqipëria regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit, i cili duhet të tregojë letërnjoftimin dhe vërtetimin e pagesës të tarifës së regjistrimit në favor të UART.

b)Për kandidatët nga trojet, regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit i cili duhet të tregojë pasaportën personale dhe vërtetimin e pagesës së tarifës së regjistrimit në favor të UART.

10)Procedurat për regjistrimin shpallen nga sekretaritë mësimore të fakulteteve të UART, pranë çdo fakulteti jo më vonë se data 10 gusht 2013.

11) Me përfundimin e procedurave të regjistrimit sipas datës së caktuar sekretaritë mësimore shpallin menjëherë listat e konkurrentëve të regjistruar dhe i afishojnë ato në vende të dukshme dhe me hyrje të lirë në ambientet e fakultetit përkatës.

12)Tarifat e regjistrimit për konkurset që organizohen dhe zhvillohen në UART do të arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të Postës Shqiptare.

13)Kandidatët që konkurrojnë për pranim në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në Akademinë e Arteve Shkodër, ndjekin procedurat e regjistrimit të përcaktuara në këtë urdhër.

14)Konkurset e pranimit për kandidatët që konkurrojnë për pranim në Akademinë e Arteve Shkodër do të zhvillohen në përputhje me rregulloret dhe programet e konkurseve të përcaktuara nga Fakulteti i Muzikës dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në UART.

15) Datat e konkurseve të pranimit për llogari të Akademisë së Arteve Shkodër, janë nga data 2 shtator deri në datën 6 shator 2013.

16)Tarifa e regjistrimit për kandidatët që konkurrojnë për pranim në Akademinë e Arteve Shkodër, paguhet në favor të Universitetit të Arteve Tiranë.

17)Konkurset e pranimit në UART monitorohen nga përfaqësues të autorizuar nga MASH. Me autorizim të posaçëm të Rektorit të UART konkurset e pranimit të AA Shkodër mund të monitorohen edhe nga personel akademik i autorizuar nga titullari i AA Shkodër. Monitoruesit nuk kanë asnjë të drejtë të ndërhyjnë në procesin e konkurrimit, por ata mund t’i drejtohen me shkrim komisioneve të konkurseve apo strukturave të tjera të UART.

18)Rezultatet e konkurseve të pranimit dërgohen, brenda tre ditëve nga përfundimi, në MASH dhe AKP, në format elektronik (CD) dhe në letër. Për konkurrentët nga Kosova, UART shpall fituesit, sipas kuotave të studimit të miratuara për çdo program studimi të UART.

19)Pasi ka kryer veprimet e përcaktuar më sipër, UART shpall konkurrentët fitues në faqen e saj në internet.

20)Rezultatet e konkurseve të pranimit për programet e studimit të Akademisë së Arteve Shkodër i dërgohen në format elektronik (CD) këtij IAL, brenda dy ditësh të përfundimit të konkurrimit.

21)Gjatë zhvillimit të konkurseve të pranimit, Shërbimi i ruajtjes me roje civile, angazhohet maksimalisht për ruajtjen e rregullit dhe qetësisë si dhe mjediseve në Universitetin e Arteve dhe ushtron kontrolle të vazhdueshme në të gjitha këto mjedise. Shoqëria që ofron shërbimin e ruajtjes me roje civile njoftohet për të dyfishuar numrin e rojeve civile në mjediset e UART si dhe për të mbajtur në zonën përreth një grup efektivesh, të gatshëm për çdo rast emergjence.

22)Gjatë periudhës nga data 27.08.2013 deri në 01.09.2013, zona e parkimit të UART duhet të qëndrojë e lirë dhe të lejohet vetëm hyrja e automjeteve të përcaktuara në një listë të veçantë, nënshkruar nga kancelarie e UART. Punonjësi i shërbimit i vendosur në postin e shërbimit në zonën e parkimit, ka përgjegjësi për kontrollin e lëvizjeve të automjeteve.

23)Hyrja e personelit akademik dhe personelit administrativ gjatë periudhës së zhvillimit të konkurseve do të lejohet vetëm nga hyrja në rrugën Lekë Dukagjini.

24)Hyrja e konkurrentëve lejohet vetëm nga hyrja kryesore, përballë Sheshit Nënë Tereza. Hyrja do të lejohet vetëm kundrejt paraqitjes së mjetit të identifikimit me fotografi.

25)Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri, Fakulteti i Muzikës, Fakulteti i Artit Skenik, Fakulteti i Arteve të Bukura, personeli akademik dhe administrativ i UART, kandidatët pjesëmarrës në konkurset e pranimit që organizohen dhe zhvillohen nga UART, personat e autorizuar për të qëndruar në mjediset e UART gjatë zhvillimit të konkurseve dhe personeli i shërbimit të ruajtjes me roje civile.

26)Kopje e këtij urdhri i dërgohet zyrtarisht Akademisë së Arteve Shkodër, MASH dhe AKP.

27)Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe shpallet publikisht.