Universiteti i Arteve/ Ja kriteret e Konkursit sipas programeve të studimit

5029
Sigal

Universiteti i Arteve / Rregulloret për zhvillimin e konkurseve të pranimit në bachelor në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe në Fakultetin e Artit Skenik

Universiteti i Arteve Tiranë ka publikuar rregulloret për zhvillimin e konkurseve të pranimit në programet e ciklit të parë si dhe kriteret e konkursit në Fakultetin e Arteve të Bukura (FAB) dhe në Fakultetin e Artit Skenik (FAS).

Rregullore për zhvillimin e konkursit të pranimit në FAB dhe FAS

Pranimi i kandidatëve

Pranimi i kandidatëve në FAB/FAS në Universitetin e Arteve, bëhen mbi rezultatin e konkurseve që zhvillohen pranë Fakultetit, në të gjitha programet e studimit sipas kësaj Rregulloreje si dhe kritereve të miratuara nga Senati Akademik i Universitetit të Arteve dhe pikëve totale të Maturës Shtetërore. Kandidatët nga trojet Shqiptare jashtë kufijve që përfitojnë nga kuotat e veçanta Për Shqiptarët nga trevat jashtë kufijve të vendit si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, do të përzgjidhen mbi bazën e kësaj rregulloreje. Përzgjedhja e tyre është e ndërvarur nga numri i kuotave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, posaçërisht për trojet Shqiptare. Pikët e vlerësimit për çdo konkurrent do të ndahen sipas Udhëzimeve të MAS.

Procedura e organizimit dhe mbarëvajtjes së konkursit

Dekani i Fakultetit, mbështetur nga propozimet e Përgjegjësve të Njësive Bazë, merr masa dhe organizon ngritjen e Komisionit të Pranimit. Përbërja e Komisionit të Pranimit shpallet në ditën e fundit të konkursit. Në përbërjen të Komisionit të Pranimit aktivizohen: I. Titullarë të fushës përkatëse, II. Pedagogë efektivë të Departamenteve përkatëse, III. Pedagogë të ftuar të Fakultetit, sipas nevojës për ato programe studimi ku nuk mund të mbulohen nga pikat I, II. Në përbërjen të komisionit nuk mund të jenë pedagogë apo persona të tjerë të cilët kanë bërë konsultime private lidhur me konkursin e pranimit apo janë në konflikt interesi. Në mjediset ku zhvillohet konkursi nuk lejohet hyrja e personave të pa autorizuar nga Titullari i FAB/FAS. Për monitorimin e të gjithë procedurave të konkurrimit, që kanë të bëjnë me organizimin, administrimin, vlerësimin dhe shpalljen e rezultateve, Rektori i UART, me Urdhër të posaçëm, ngre grupin përkatës, i cili monitoron cilësinë e zhvillimit të gjithë procedurave të konkurrimit në FAB/FAS, si dhe nga përfaqësuesit e MAS.

Procedura e hyrjes së kandidatëve në mjediset e konkurrimit

Kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurs të gjithë kandidatët sipas listës së dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kanë të drejtë të hyjnë në konkurs të gjithë kandidatët sipas listës së regjistruar pranë Sekretarisë mësimore të FAB/FAS.

Konkursi për FAB/FAS do të zhvillohet në mjediset e Fakultetit, sipas udhëzimeve të MAS. Lejohen të hyjnë në konkurs vetëm kandidatët e listës së shpallur për konkurrim, të cilët duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi si më poshtë: I. Kartë Identiteti, II. Pasaportë për jashtë shteti. III. Kandidatët që nuk kanë asnjë nga këto dokumente identifikimi nuk do të pranohen të marrin pjesë në konkurs. Kandidati konkurrent për të hyrë në konkurs duhet të paraqesë në hyrje edhe mandat-pagesën e bërë në llogari të Universitetit të Arteve. Kjo e bazuar në Udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Në varësi të specifikave, komisioni do të punojë paradite dhe pasdite me paraqitjet

individuale të kandidatëve, duke i bërë të ditura më parë oraret përkatëse. Oraret duhet të shpallen pranë fakulteteve përkatëse. Oraret e fillimit të konkurseve, si dhe mjediset e zhvillimit të tyre do të jenë të shpallura në kalendarin e zhvillimit të konkurseve pranë fakulteteve. Ky kalendar shpallet në Fakultet një javë përpara fillimit të konkursit. Ditën e parë të konkursit pasi të jenë sistemuar në ambientet e zhvillimit të tij, kandidatëve u komunikohen rregullat e konkurrimit. Sekretaria mësimore u dorëzon me procesverbal Kryetarëve të Komisioneve të Programit të Studimit të gjitha materialet për konkurs, si dhe listat e konkurrentëve të regjistruar pranë kësaj sekretarie. Bazuar në kriteret për secilin Program Studimi, komisioni krijon hapësirën kohore të nevojshme për shpërfaqjen individuale të kandidatëve gjatë konkurrimit.

 

Vlerësimi dhe shpallja e rezultateve

Vlerësimi për paraqitjen individuale të çdo kandidati bëhen nga Komisioni i Pranimit,

përbërja dhe numri i të cilit caktohen nga titullari i Fakultetit. Numri i anëtarëve të komisionit në asnjë rast, nuk duhet të jetë më i vogël se 3 (tre). Gjatë paraqitjes individuale të kandidatëve, anëtarët e jurisë mbajnë shënimet përkatëse. Po ashtu çdo anëtar i jurisë ka të drejtë t’i drejtojë kandidatit që konkurron kërkesa konkrete, të cilat i duken të arsyeshme për një shpërfaqje sa më të mirë të tij. Mbas paraqitjes së kandidatit të fundit, në mbarim të gjithë seancave që parashikohen në kriteret e konkurrimit, Komisioni i Pranimit të Programit të Studimit, nën drejtimin e Kryetarit, mblidhen për të vlerësuar një për një paraqitjet e secilit kandidat. Vlerësimi përmban debatin si formë kryesore dhe në fund vendosjen e pikëve për secilin kandidat. Pikët e mundshme në dispozicion të Komisionit të pranimit, shpërndahen në mënyrë të barabartë tek të gjithë anëtarët e komisionit. Secili anëtar vendos sasinë e pikëve përkrah emrit të kandidatit.

Komisioni i Pranimit të Programit të Studimit, në përfundim të vlerësimeve, përpilon listën e kandidatëve me pikët respektive në bazë të listës së sekretarisë mësimore. Lista në fund nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit të Pranimit. Lista e nënshkruar si dhe shënimet e anëtarëve të komisionit të pranimit për çdo konkurrent, i dorëzohen me procesverbal titullarit të Fakultetit. Komisionet e Pranimit të Programit të Studimit pas vlerësimeve për çdo kandidat, të gjitha dosjet me materialet e mësipërme dhe kasetat me materialet e mësipërme ia dorëzojnë me procesverbal Titullarit të Fakultetit. Lista përfundimtare me pikët respektive firmosen nga Titullari i Fakultetit dhe i dërgohet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Komisionet e Programeve të Studimit në Fakultetin e Artit Skenik për mbarëvajtjen e

konkursit marrin edhe këto masa:

a) Aktrim

Për secilin kandidat, Komisioni i Pranimit të programit të studimit Aktrim xhiron me

kamera njërin prej materialeve që e gjykon të arsyeshëm.

b) Regji

Komisioni depoziton në një dosje të veçantë platformën regjisoriale të gjithë kandidatëve për programin e studimit Regji. Po ashtu xhiron me kamera edhe njërin prej materialeve për secilin kandidat. Materialin e përcakton komisioni.

c) Skenografi – Kostumografi

Komisioni depoziton punimet e kryera gjatë ditëve të konkursit së bashku me dosjet personale për secilin kandidat për programin e studimit Skenografi & Kostumografi. Po ashtu depoziton në një dosje të veçantë testin teorik për secilin kandidat të sekretuar.

Në këtë specialitet komisioni e fillon punën e tij pas përfundimit të procesit të

konkursit të konkurrentëve.

d) Regji Filmi dhe TV

Komisioni depoziton në një dosje të veçantë etydin regjisorial mbi baza fotografie për secilin kandidat për programin e studimit Regji Filmi dhe TV. Po ashtu depoziton në këtë dosje edhe platformën regjisoriale nga secilin kandidat gjatë konkurrimit.

e) Koreografi

Komisioni depoziton në një dosje të veçantë libretin koreografik të kandidatëve për programin e studimit Koreografi. Po ashtu xhiron me kamera edhe njërin prej materialeve koreografike që komisioni e gjykon të arsyeshëm për secilin kandidat.

Komisionet e Pranimit të Programit të Studimit pas vlerësimeve për çdo kandidat, të gjitha dosjet dhe kasetat me materialet e mësipërme ia dorëzojnë me procesverbal Titullarit të Fakultetit.

Shpallja e fituesve

Shpalljen e listës së renditjes provizore të rezultateve për konkursin e pranimeve të pikëve e bën Dekani i Fakultetit. Në rastin kur disa konkurrues kanë fituar të njëjtin numër pikësh, ata nënrenditen midis tyre sipas rendit zbritës të pikëve të fituara në testin special.

Regjistrimi për të fituar statusin e studentit

Kandidatët që shpallen fitues, duhet të regjistrohen për të fituar statusin e studentit. Kandidatët që regjistrohen si student në Universitetin e Arteve duhet të paraqesin dokumente origjinale. Ato duhet të jenë në vartësi të Udhëzimeve të MAS. Sekretaria duhet të pajisë kandidatin me një fletë të posaçme ku shënohet: numri i regjistrimit, emri i kandidatit si dhe data dhe ora e regjistrimit. Fleta e regjistrimit duhet të jetë e nënshkruar nga Dekani dhe Sekretarja e Fakultetit. Gjithashtu në këtë regjistër duhet të nënshkruajë çdo kandidat fitues, i regjistruar më parë, por që kërkon të ç’regjistrohet nga kjo degë për arsye të ndryshme. Kandidatit që çregjistrohet i kthehen vetëm dokumentet origjinale personale por jo pagesa e regjistrimit. Regjistrimet e kandidatëve fitues për të gjitha kuotat kryhen pranë Sekretarisë së FAB/FAS, në datat që do të përcaktojë Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Rregulla për kandidatët

Gjatë konkursit, kandidati duhet të respektojë këto rregulla: Kandidatët duhet të paraqiten në Fakultet ditën e parë të fillimit të konkursit në orën e përcaktuar në kalendarin e zhvillimit të konkurseve i shpallur në FAB/FAS. Kandidati do të paraqitet para Komisionit të Pranimit në bazë të orarit që do të përcaktojë Komisioni. Mosparaqitja në bazë të këtij orari çon në s’kualifikimin e tij nga konkursi. Konkursi është kolektiv dhe individual. Kandidati duhet të shpërfaqi para Komisionit kërkesat që rrjedhin nga kriteret për çdo Program Studimi. Nga ana tjetër komisioni krijon atmosferën e nevojshme që kandidati të shpreh aftësitë e tij. Kandidati do të largohet nga konkurrimi vetëm kur komisioni t’ia kërkojë këtë gjë.

 

 

Kriteret teknike si dhe rubrikat e konkursit të pranimit në FAB

Konkursi për seleksionim dhe përzgjedhjen e kandidatëve të rinj do të zhvillohet sipas kritereve teknike të përcaktuara si më poshtë:

Konkursi do të mbështetet në tre rubrika kryesore për të arritur nivelin më të mirë të mundshëm të testimit të një kandidati brenda kohës së caktuar:

Rubrikat:

1. Punë Praktike në Atelie

2. Testim teorik

3. Prezantim i dosjes personale

1. Puna Praktike në Atelie do të zhvillohet si më poshtë:

Kohëzgjatja: 2 ditë nga 5orë

Tema e veprës; Studim dhe interpretim nga natyra duke iu referuar figurës së njeriut (model nga natyra)

Dimensioni i veprës: 70 x 90 cm

Teknika e përdorur: Vizatim ose Pikturë (për kandidatë të Pikturës), Vizatim ose Skulpturë (për kandidatë të Skulpturës).

Disa sqarime të mëtejshme të kritereve të mësipërme.

Studimi nga Natyra do të propozohet dhe organizohet si më poshtë:

Në të gjitha atelietë e shkollës ku do të zhvillohet testimi praktik i kandidatëve për studentë do të ketë modele të vendosur (figurë njeriu).

Studentët do të prezantohen me modelet dhe më pas ata do të vetëvendosin:

a. Cilin model zgjedhin.

b. Mënyrën se si kompozojnë.

c. Mjetin me të cilin realizojnë veprën.

Shënim: Në rastin konkret Modeli i propozuar (figurë njeriu) para kandidateve, shërben si shkak që ata, në mënyrë të ndërgjegjshme të ekspozojnë më qartë një qëndrim individual të shprehjes. Duke mos kushtëzuar prerjen e Figurës sipas një kompozimi Standard, si dhe mjetin me të cilin do të realizohet vepra, studenti vihet në pozicion krijues, ku i jepet mundësia të interpretojë si nga pikëpamja kompozicionale, po ashtu edhe ne drejtim të hulumtimit psikologjik, të zgjedhë mjetin dhe format e shprehjes nëpërmjet një raporti ndjesor më personal me figurën e propozuar.

Si kundër u tha me lart ne Ditën e Parë të Konkurrimit ata pasi të njihen me modelin do të vendosin mjetin me të cilin do të realizojnë veprën e tyre. Vepra do të jetë Një (1): ose Vizatim, ose Pikturë, ose Skulpturë që do të realizohet në 2 ditë

Baza Materiale

Kandidatët për Studentë duhet të vijnë të përgatitur me këto materiale përkatëse:

Letër Vizatimi 70×90, Telajo Pikture 70×90, si dhe të gjitha mjetet e tjera plotësuese për të realizuar një vepër në vizatim apo në telajo(pikturë).

Për Kandidatët e Skulpturës, Fakulteti siguron materialin (baltë plastike, armature) në qoftë se ata zgjedhin modelimin, Plastikën për të realizuar punën e tyre.

2. Testimi Teorik, i cili në vetvete përmban tre faza të përshkruara si më poshtë:

Kohëzgjatja: 2 dite + ( në varësi të nr. të konkurrentëve)

Fazat:

Faza e parë është Testimi i Kandidatit për Student në Lëndën Histori Arti. Ky testim do të kryhet nëpërmjet përgjigjes direkte mbi Tezën e Zgjedhur. Teza është e fshehtë.

Literatura së cilës do t’i referohet çdo kandidat për t’u përgatitur:

– Të gjithë tekstet teorike apo materialet me të cilat kanë studiuar nxënësit në shkollat e mesme artistike apo të përgjithshme

– Historia e Artit (E.H. Gombrixh)

– Aventurë e Artit në shek. XX dhe materiale të tjera alternative.

Faza e Dytë është Intervistë e Kandidatit për Student me Anëtarët e Komisionit.

Qëllimi është: Për të testuar nivelin e përgjithshëm kulturor, ndjeshmëritë artistike, marrëdhënien e tij me një proces artistik qe ai kryen, e lidhur kjo ngushtë me formacionin e fakultetit, kërkesat e tij si dhe ato çka ky fakultet kërkon prej studenteve dhe i ofron atyre njëkohësisht.

Faza e Tretë është shqyrtimi i Dosjes Personale të Kandidatit për Student, në të cilën ai prezanton praktikisht një grup punësh të kryera prej tij kryesisht gjatë dy viteve të fundit dhe që ai mendon se bëjnë prezantimin më të mirë artistik të tij. Këto punë mund dhe duhet të plotësojnë imazhin e punës praktike që ai kryen në atelie në dy ditët e para të konkursit.

Dosje profesionale personale

1. Vizatime e skica të ndryshme, realizime me laps karbon etj. Realizime në vaj, tempera, akuarel etj. (për pikturën)

2. Realizime në skulpturë me foto si dhe punime në skulpturë etj.(për skulpturën)

3. Realizime në teknika të grafikës, tekstil, foto, video, punime në kompjuter etj. Punimet në vizatim, pikturë dhe skulpturë janë të detyrueshme, ndërsa ato të pikës 3 mbeten

fakultative, sipas dëshirës dhe preferencës së konkurruesit. Numri i përgjithshëm i punimeve që duhet të përmbajë dosja të jetë jo më pak se 20.

Shënim:

Kandidati për student është përgjegjës për autorësinë e materialit që prezanton në dosjen e tij personale. N.q.s nga Komisioni verifikohet material i manipuluar, pra jo produkt i kandidatit, ndaj tij do të merret masa e largimit nga procesi i konkursit për këtë vit akademik.

Gjatë procedurës së regjistrimit, kandidati duhet të deklarojë detyrimisht me shkrim specialitetin që preferon të zgjedhë për të vazhduar studimet pranë këtij Fakulteti. (Lejohen deri në 2 (dy) preferenca të shprehura nga kandidati të radhitura sipas preferencës së parë dhe të dytë).

Kriteret e konkursit për Fakultetin e Artit Skenik

Programi i Studimit: AKTRIM

Kandidatët e Programit të Studimit Aktrim duhet të interpretojnë përpara komisionit të pranimit materialet e mëposhtme:

1. Tregim

2. Poezi

3. Monolog (i zgjedhur nga vetë kandidati konkurrues )

4. Monolog nga dramaturgjia klasike botërore si Rasin, Kornej, Molier, Shekspir etj. ( i detyruar)

5. Një fabul ose anekdodë

6. Bashkëbisedim mbi njohuritë e letërsisë dhe teatrit shqiptar dhe botëror.

7. Bashkëbisedim mbi njohuritë e kinematografisë shqiptare dhe botërore.

( Koha në dispozicion për paraqitjen e materialeve të kandidatit për student është 30 min). Koha e zgjatjes së konkurimit në programin e studimit Aktrim është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës.

Programi i Studimit: REGJISURË

Gjatë zhvillimit të konkursit kandidatit i kërkohet nga komisioni i pranimit:

• Hartimi i një skicë platforme regjisoriale mbi bazën e një pjesë dramatike që caktohet aty për aty nga komisioni (tema, konflikti, personazhet, dekori, imazhi regjisorial etj).

•Bashkëbisedimi mbi formimin e përgjithshëm kulturor në fushën e teatrit, dramaturgjisë, filmit, letërsisë në përgjithësi, arteve figurative etj.

(Koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë, një ditë.))

Interpretimi i materialeve të mëposhtme :

a) Monolog

b) Tregim

c) Poezi

(Koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë, një ditë).

Etydin regjisorial mbi bazën e një teme të caktuar që sugjerohet aty për aty nga komisioni.

(Koha në dispozicion të kandidatëve është 5 orë, një ditë).

Konkursi në programin e studimit aktrim zhvillohet në tre ditë.

Koha e zgjatjes së konkurrimit në programin e studimit Regji është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës.

Gjithashtu kandidati i nënshtrohet edhe kërkesave të tjera plotësuese që jepen nga komisioni i pranimit.

Programi i Studimit: SKENOGRAFI – KOSTUMOGRAFI

Kandidati duhet t’i nënshtrohet këtyre kërkesave:

• Realizimi i një modeli të kompozuar nga natyra në vizatim (koha: 5 orë, një ditë).

• Realizimi i një modeli të kompozuar nga natyra në pikturë (koha: 5 orë, një ditë).

• Krijimi i një projekti skenografik ose kostumografik (koha: 3 orë).

• Testimi teorik me shkrim mbi formimin e përgjithshëm kulturor dhe profesional në fushën e teatrit, letërsisë dhe muzikës (në formimin profesional duhet të ketë njohuri teorike për specifikën e skenografisë, kostumografisë, pikturës, vizatimit dhe Historisë së Arteve Figurative), (koha: 45 minuta).

Konkurrenti duhet të paraqesë dosjen personale e cila duhet të ketë kompozime në skenografi, kostumografi, pikturë, vizatim etj. Dosja dorëzohet ditën e fundit të konkursit, mbi të cilën do të bëhet bashkëbisedimi më komisionin.            (koha: 30 minuta.)

Konkursi në programin e studimit skenografi-kostumografi zhvillohet në tre ditë.

SHËNIM: Telajot, letrat, bojërat do të përballohen nga vetë kandidati.

 

Programi i Studimit: KOREOGRAFI

Konkursi do të zhvillohet me rijë fazë dhe do të ketë këto kërkesa:

Ushtrime klasike, (klasë baleti), (koha: 90 minuta).

• Demonstrim i një variacioni nga baletet e ndryshme botërore dhe shqiptare, (koha 90 minuta).

• Kompozim nga kandidati për ndërtimin e një motivi klasik si dhe popullor me ritme 2/4; 3/4; dhe ritme të përziera, ( koha: 60 minuta, një ditë)

• Ekzekutimi i një pantomime sipas kërkesës së komisionit, ( koha: 60 minuta).

• Përgatitja e një libreti koreografik dhe demonstrimi i gjuhës shprehëse të personazheve

( Tema jepet nga komisioni), ( koha: 260 minuta, një ditë).

• Bashkëbisedim rreth njohurive teorike e praktike mbi Folklorin Koreografik Shqiptar, (koha: 60 minuta), (një ditë).

• Bashkëbisedim rreth njohurive mbi Historinë e Baletit Shqiptar dhe Botëror.

Konkursi në programin e studimit koreografi zhvillohet në tre ditë. Koha e zgjatjes së konkurrimit në programin e studimit Koreografi është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës.

Programi i Studimit: REGJI FILMI DHE TV

Kandidatët për këtë specialitet duhet të përmbushin kërkesat e mëposhtme:

Hartimin e një skicë – platforme regjisoriale në bazë të një tregimi, novele apo historie të shkurtër që caktohet aty për aty nga komisioni pranues. ( tema, konflikti, karakteret, skenografia, imazhi regjisorial), ( koha: 240 minuta).

Bashkëbisedim mbi formimin kulturor në fushën e kinematografisë shqiptare dhe botërore, zhanret e filmit, letërsisë në përgjithësi, muzikës, artet figurative etj. (koha: 60 minuta), (një ditë).

Njohuri për përdorimin e aparatit fotografik me film. ( si opsion mund të jetë dhe aparati digjital), ( koha: 300 minuta, një ditë).

Etydin regjisorial mbi baza fotografie të një teme që sugjerohet nga komisioni aty për aty,

(koha: 300 minuta).

Konkursi në programin e studimit regji filmi dhe televizioni zhvillohet në tre ditë.

Koha e zgjatjes së konkurrimit në programin e studimit Regji Filmi dhe Televizioni është në varësi të numrit të kandidatëve pjesëmarrës.

Kandidati duhet të disponojë gjatë zhvillimit të konkursit një aparat fotografik me film ose digjital.

SHËNIM: Të gjithë të interesuarit për sqarime të mëtejshme të paraqiten pranë Sekretarisë së Fakultetit.