Universitetet, zgjatet me 10 ditë afati i regjistrimeve, ja kushtet

761
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, ka vendosur të zgjasë edhe me 10 ditë të tjera afatin e regjistrimit të aplikantëve në shkollat e larta. Pikërisht dje, ditën e fillimit të vitit akademik, një udhëzim i posaçëm i Nikollës ka caktuar të tjera afate për ata që duan të ndjekin studimet e larta. “Gjatë periudhës 16 deri 26 tetor, institucionet e arsimit të lartë, vijojnë me procedurat e regjistrimit të kandidatëve nëpërmjet portalit u-albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e parë apo të dytë. Të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi. Institucionet e arsimit të lartë gjatë regjistrimeve respektojnë renditjen e kandidatëve deri në plotësimin e kuotave. Procedurat për regjistrimin e kandidatëve përcaktohen nga njësitë kryesore të IAL-ve”, theksohet në udhëzimin e ministres. Aty jepen edhe sqarimet se si do të veprojnë universitetet me listën e kandidatëve. “Në rast se përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, njësitë bazë në institucionet e arsimit të lartë, përzgjedhin kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht përzgjedhjeve në raundin e parë apo të dytë”, thuhet në udhëzim. Më tej, në dokument përcaktohet se “kandidatët përzgjidhen dhe rankohen nga njësitë bazë dhe miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, duke njoftuar QSHA-në dhe duke i ngarkuar një kopje elektronike të këtyre listave në portalin u-albania”. “Sekretaritë mësimore regjistrojnë kandidatët e miratuar nga drejtuesi i njësisë kryesore sipas renditjes deri në plotësimin e kuotave për programet përkatëse të studimit. Regjistrimi i kandidatit, i cili paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij kryhet pranë sekretarive mësimore nga data 16 deri më datë 26 tetor 2017 nëpërmjet dokumentacionit të përcaktuar”, thekson udhëzimi.
Nis viti i ri akademik
Rreth 150 mijë studentë nisën dje vitin e ri akademik në 3 ciklet e studimit, nga të cilët mbi 22 mijë u ulën në auditore për herë të parë, në nivelin bachelor. Por ky vit i ri i gjen ndryshe universitetet publike dhe private, disa të akredituar e disa jo. Një rezultat që ndau institucionet e mira nga ato të dobëta, por përcaktoi edhe vendet nga ku kryeministri Edi Rama dhe ministrja Nikolla do të uronin ditën e parë të këtij fillimviti akademik. “Uroj mbi 22 mijë e 200 studentëve që ulen për herë të parë në bankat e universiteteve. Deri dje ishte e pamundur të imagjinohej që çdo i ri të gjente vendin që i takonte bazuar te ajo që dite. Keni investuar në shkollën e mesme dhe tani vazhdoni të investoni për të marrë më tutje atë që meritoni”, tha Rama nga Universiteti Bujqësor. Këtë urim ministrja e Arsimit e bëri nga Universiteti i Mjekësisë, jo pa arsye. “Kam zgjedhur të jem këtu, pasi është viti i parë që të gjitha institucionet e arsimit të lartë përmbyllën me sukses akreditimin institucional. Universiteti i Mjekësisë doli si një nga institucionet që përmbush plotësisht standardet, duke u akredituar me 5 vjet”, tha Nikolla.

Sigal