Universitetet, shqiptarët do paguajnë më shumë për arsimimin e tyre

496
Sigal

Reforma në Arsimin e Lartë/ Jo më dy mandate të njëpasnjëshme për rektorët dhe dekanët e universiteteve

Lançohet raporti i parë për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Në këtë event ishte e pranishme Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, e cila e quajti këtë reformë hapin më të domosdoshëm për Arsimin e Lartë. “Blerja e diplomave karakterizon tregun e Arsimit të Lartë. Kjo reformë na përket të gjithëve, pasi na prek të gjithëve, jo vetëm reforma, por dhe procesi. Për këto parime, për transparence, dhe dialog, janë parime që do të karakterizojnë këtë proces”- tha Nikolla.  Sipas saj, Komisionit të hartimit të kësaj reforme i është dhënë e gjithë mbështetja nga Ministria e Arsimit. “Periudha prill-maj do të përkojë me fazën e diskutimit dhe më pas të raportit përfundimtar për të mundësuar që deri në fund të korrikut të hartohet ligji për reformën e arsimit të lartë”, tha Nikolla. Në takimin ku ishin të pranishëm edhe grupe të interesit, ministrja Nikolla u shpreh se, “reforma do të jetë e plotë, duke nisur që nga parashkollorët deri tek arsimi i lartë për ta kthyer atë në motorin e zhvillimit afatgjatë social-ekonomike”.

 Raporti

Raport i prezantuar dje nga Komisioni i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, është produkt i punës për gjatë periudhës kohore Janar – Prill 2014. Ai është drafti i parë i raportit dhe hidhet për diskutim me të gjithë grupet e interesit dhe faktorët e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Ja ndryshimet që parashikohen në institutet e arsimit të lartë:

AKF – Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë

Ky është një institucion i ri i pavarur në ushtrimin e veprimtarisë së tij. Qëllimi i kësaj agjencie është që të shpërndaje fondet publike në drejtim të tre kategorive të rëndësishme: Mësimdhënies; Punës kërkimore – shkencore (pjesa logjistike); Inovacionit/zhvillimit

AKKSh – Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor

Kjo agjenci që ka pavarësi të theksuar, nuk është një institucion i ri, por është në fakt zëvendësimi i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI).

ASCAL- Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Agjencia aktuale e Sigurimit të Cilësisë APAAL, nën një emërtim të rishikuar Agjencia e

Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë – ASCAL.

AKAU – Agjencia Kombëtare e Aplikimit Universitar

Ky institucion është një ide e re në kushtet e Shqipërisë, por me rëndësi shumë të madhe, pasi duhet të reformojë hyrjen në arsimin e lartë, duke përmirësuar standardin e rekrutimit të studentëve.

 ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

Në institucionet e arsimit të lartë duhet të ketë një ndarje të qartë dhe pa ekuivok të

përgjegjësisë financiare nga ajo akademike, në dy duar të ndryshme dhe që kontrollohen në mënyrë të koordinuar. por të pavarur nga njëra- tjetra. Për këtë është e domosdoshme që çdo IAL të ketë një sistem me dy varësi: atë akademike – senat, rektor, dekan dhe departamente; dhe atë administrative: administrator, kancelar, menaxher departamentesh për anën organizative. Të dyja këto funksione varen nga Bordi Administrativ një organ përgjegjës për gjithë mbarëvajtjen e universitetit.

Zgjedhjet

Skema e zgjedhjeve duhet të ndryshojë në themel. Në rastin e senatit apo të rektorit në zgjedhje duhet të marrë pjesë vetëm stafi akademik i përhershëm i universitetit, dhe jo ai administrativ dhe studentët.

-Në qendër të vendimmarrjes akademike është Bordi Akademik (i gjithë personeli akademik i përhershëm i institucionit). Ky organizëm është përgjegjësi kryesor për vendimmarrjen strategjike të universitetit, që nga zgjedhja e anëtarëve të komiteteve për mbarëvajtjen e institucionit, deri te zgjedhja e senatit, apo e këshillit të fakultetit.

Departamenti duhet te jetë zemra e zhvillimit të mësimdhënies dhe punës kërkimore-shkencore të çdo institucioni të arsimit të lartë. Departamenti është përgjegjës kryesor për llojet e studimeve që organizon në të gjitha nivelet, për kurrikulat e studimeve dhe propozon numrin e programeve që duhet të organizojë, si edhe numrin e studenteve

që duhet të ketë çdo program. Në rastet e programeve të përbashkëta midis departamenteve, vendimmarrja kalon në nivel fakulteti.

– Organi më i lartë akademik është Senati i Universitetit, i cili zgjidhet nga Bordi Akademik me votim të gjerë. Anëtarët e senatit vetëkandidohen për zgjedhje. Shërbejnë për një periudhe 5 vjeçare. Ata duhet të jenë pedagogë me titull profesor, ose profesor i asociuar.

Senati mbulon dhe aprovon të gjitha çështjet akademike të një universiteti. Ai zgjedh

rektorin dhe ky i fundit jep llogari tek senati në mënyrë periodike. Rektori është drejtues i senatit. Rektori nuk duhet të shërbejë në dy mandate të njëpasnjëshme në pozicionin e tij.

– I njëjti sistem zgjedhjeje duhet të aplikohet për zgjedhjen e dekanëve që duhet të zgjidhen nga bordet akademike (këshillat e fakulteteve) të çdo fakulteti. Çdo drejtues aktual dhe në vazhdim nuk mund të zgjidhet në të njëjtin post.

– Nga ana administrative çdo universitet duhet të ketë Administratorin e tij që zgjidhet me konkurs dhe emërohet nga Bordi Administrativ. Ky drejtues është përgjegjës për anën administrative dhe financiare të universitetit. Në varësi të tij janë kancelari dhe menaxherët e çdo departamenti.

– Një risi në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë është futja e Komiteteve me

detyra specifike të caktuara. Çdo komitet ka një funksion të caktuar dhe një anëtarësi jo më shumë se shtatë vetë. Për shembull ai mund të merret me promovimin e stafit akademik; me çështjet e studenteve; një tjetër me çështjet e etikës së kërkimit shkencor; me bursat dhe aplikimin e mundësive të barabarta e të tjera. Anëtarët e komiteteve vetë kandidohen nga stafi akademik dhe votohen nga Bordi Akademik. Kanë mandat të kufizuar tre vjeçar.

– Duhet të ndalohet dy punësimi midis institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri, si një element që ka përkeqësuar të dy aspektet e jetës akademike, atë të mësimdhënies dhe atë të punës kërkimore-shkencore.

– Zgjerimi horizontal i Institucioneve të Arsimit të Lartë në parim duhet të përcaktohet nga performanca dhe kërkesa e tregut dhe jo vetëm nga investimet në infrastrukturë.

– Është e rëndësishme që emërimet e reja në institucionet e arsimit të lartë të bëhen mbi bazën e nevojave dhe të treguesve studentë/pedagog të çdo institucioni (deri tek niveli i departamentit). Këto emërime e kane pikënisjen tek departamenti dhe emërimi behet nga një komision “ad hoc”.

Financimi i Arsimit të Lartë, llojet e financimit

Parimet mbi të cilat duhet të mbështetet financimi i arsimit të lartë në Shqipëri janë ato të: i. Konkurrencës së lirë midis institucioneve. Pra, institucionet janë të barabartë në aplikimin dhe shpërndarjen e fondeve. ii. Mundësive të barabarta. Studentet që e meritojnë, por nuk kanë mundësi financimi duhet të financohen plotësisht nga shteti. iii. Shpërndarjes së fondeve mbi standardet e cilësisë për: mësimdhënien, kërkimin-shkencor, inovacionin/zhvillimin.

– Për të përmbushur detyrimin për një arsim të lartë që të nxisë rritjen e standardit të arsimit të lartë. Shteti nëpërmjet agjencive të tij (AKKSH dhe AKF) shpërndan fondet si më poshtë:

GRANTI I INOVACIONIT/ZHVILLIMIT. Ky grant që është shumë i rëndësishëm në periudhën afatgjatë për vendin është i hapur për të gjithë IAL-të publike.

– Qeveria në bazë të politikave të saj përcakton prioritetet për këtë grant dhe e

 shpërndan atë mbi bazën e aplikimit (për idetë e reja) apo të prioriteteve strategjike të zhvillimit të vendit. Granti nuk duhet të jetë më shumë se 10% e shumës së financimit shtetëror për universitetet publike. Detyra e shpërndarjes së këtij granti i takon Agjencisë Kombëtare të Financimit (AKF) mbi bazën e a) prioriteteve të qeverisë dhe b) inovacionit të universiteteve të ndryshme.

GRANTI I PUNËS KËRKIMORE SHKENCORE. Ky grant shumë i rëndësishëm për të stimuluar punën kërkimore shkencore ka dy pjesë: i. Pjesa e logjistikes kërkimore- shkencore që shteti e financon vetëm tek universitetet publike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKF mbi bazë merite/rankimi. ii. Pjesa e punës se mirëfilltë shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si IAL-et publike dhe ato jo-publike. Shpërndarja e fondeve bëhet nga AKKSH mbi bazë merite/aplikimi. Ky grant duhet të jetë në total në masën 30% të gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë. Sidoqoftë pjesa fikse e tij që u jepet vetëm institucioneve publike nuk duhet të jetë më shumë se 10%. Pjesa tjetër duhet të shpërndahet nga AKKSH për të gjithë IAL-et, publik dhe jo-publike në formën e aplikimit.

GRANTI I MËSIMDHËNIES. Ky grant që në fazën e parë të reformimit të arsimit të lartë jepet VETËM për universitetet publike, jepet edhe për studentin (pra llogaritet për student), por jepet si një shume totale për çdo IAL. Ky grant shpërndahet nga AKF. Formula llogaritet mbi numrin e studenteve të një viti përpara se të pranohet në çdo IAL; mbi treguesit e rëndësishëm të raportit student/ pedagog; numrin e diplomave të njohura ndërkombëtarisht; dhe logjistikën e vlerësuar të mësimdhënies. Në këtë grant shteti duhet të ketë parasysh dy grupe te rëndësishme studentesh, ata të ekselencës, dhe ata që e kanë të pamundur financiarisht shkollimin. Në të dyja rastet shteti financon studentin. Ky grant gjithmonë është më i rëndësishmi në investimin shtetëror në arsim, dhe si detyrim ligjor i shtetit. Ai përbën 60-70% të të gjithë financimit shtetëror në arsimin e lartë në vend.

Burimet e financimit

Një nga problemet e arsimit të lartë në Shqipëri është mungesa e financimit shtetëror

dhe mosnxitja e formave të tjera të financimit jashtë burimeve shtetërore. Në këtë këndvështrim komisioni sugjeron që format e financimit në të ardhmen të dizertifikohen dhe të përfshijnë:

-Financimin direkt nga Shteti (në formë granti), siç u përmend edhe më lart.

– Të ardhurat si aktivitet ekonomik fitimprurës. Universitetet publike duhet të krijojnë

të ardhura nga produktet e tyre akademike dhe infrastrukturore; puna shkencore; patentat; botimet; përdorimi i laboratorëve e të tjera.

– Donacionet e ndryshme. Kjo formë deri më sot nuk njihet në sektorin publik dhe si e tillë duhet të rregullohet me ligj për të ardhmen.

– Kontributi i Biznesit dhe Autoriteteve Lokale. Në këtë këndvështrim edhe biznesi lokal

dhe qeverisja vendore mund të jenë kontribues në financimin e arsimit të lartë rajonal.

– Pagesat e studenteve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë

bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike. Në të ardhmen komisioni vlerëson si të pashmangshme rritjen e kontributit të këtyre tarifave në buxhetin e ILA-ve. Shteti është i detyruar të vendosë një tarifë tavan, bazuar mbi studimet e detajuara te tregut mbi bazën e mundësisë së çdo familjeje për të përballuar të ardhurat e arsimimit të lartë.