Universitetet, Nikolla: Qeveria nuk i ka favorizuar universitetet private, mbështetja ndaj tyre përfundoi në 2013-ën

496
Sigal

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla përpara pedagogëve u përpoq të sqaronte pse qeveria nuk i ka favorizuar universitetet private, ndërsa ka sqaruar se gjatë gjithë kësaj kohe ata nuk kanë lejuar të cenohet cilësia. Për të krahasuar situatën Nikolla iu referua vitit 2013-të dhe tha se atëherë privati favorizohej politikisht dhe në konflikt të hapur interesi.

Duke thënë këto, Nikolla shënjestroi këshilltarin e ish-kryeministrit Berisha, i cili, sipas saj në të njëjtën kohë ishte edhe pronar i një universiteti.

“Ne sot kemi një raport tjetër me privatin, shumë më të arsyeshëm. Raport të ri të programeve. Në 2013 gjetëm një situatë të përmbysur, hapja e sistemit me kohë të pjesshme, ndërhymë duke mos dhënë kuota, ligji i ri mundëson një situatë krejt të re, ata që sot ne na akuzojnë për favorizim ju bëj me dije gjithë informacionin që ne kemi, se si bëhej akreditimi. 90 përqind e akreditimeve ishin me shkelje e pasoja financiare për familjet shqiptare. Akreditim që përfundonte brenda 3 ditëve. Cili standard e bën të mundur? Ishin praktika favorizuese, me orientim politik dhe në konflikt interesi. Ish-këshilltari i kryeministrit njëkohësisht ishte edhe pronar i një universiteti. Në këtë universitet kishte zero pedagogë të brendshësh. Ne e mbyllëm”,- tha ajo.