Universitetet, ja kush do të regjistrohet pas 15 shtatorit

656
Nis sot raundi i katërt 48-orësh për t’u dhënë një mundësi tjetër aplikantëve fitues për degën e preferuar
Procesi i regjistrimit të aplikantëve fitues në universitete ka vazhduar normalisht, ndërsa sot pritet të nisë raundi i katërt. Që prej raundit të pare e të dytë, ku u vërejt një stepje nga studentët, ka pasur një tendencë rritje graduale. Edhe pse në fillim ishin të paktë maturantët, të cilët drejtoheshin në fakultete për t’u regjistruar, duket se ky numër ka ardhur në rritje, pasi deri më 2 shtator numëroheshin 2281 studentë të regjistruar në Universitetin e Tiranës. Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, maturantët, të cilët janë regjistruar në një program studimi në raundin e parë dhe dëshirojnë të aplikojnë përsëri në raundin e dytë, duhet të çregjistrohen më datën 12 shtator nga programi ku janë regjistruar. Ndërsa raundi i dytë i aplikimeve fillon më 15 shtator, duke i dhënë një mundësi tjetër maturantëve kandidatë për të ndjekur studimet e larta në degën që preferojnë. Të drejtën për t’u regjistruar e kanë ata maturantë të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë dhe të gjithë ata që kanë aplikuar, por nuk janë shpallur fitues. Gjithashtu, në këtë raund mund të aplikojnë sërish të gjithë kandidatët që kanë kryer aplikimin, por nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe ata që janë çregjistruar nga një program studimi. Vetëm në Universitetin e Tiranës për këtë vit ka pasur 85.307 aplikime, ndërsa të konvertuara si maturantë janë 18.539 aplikantë, kjo pasi një maturant ka të drejtë të aplikojë në disa programe. Ndërsa numri i maturantëve të regjistruar deri më tani është në total 2281 (41%), përkatësisht në Fakultetin e Drejtësisë 512 studentë (68%), në Fakultetin e Shkencave Sociale 110 studentë (19%), në Fakultetin e Shkencave të Natyrës 274 studentë (25%), në Fakultetin Ekonomik 553 studentë (43%), në Fakultetin Histori-Filologji 323 studentë (43%) dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë regjistruar 472 studentë (46%). Për sa i përket programit të studimit më të preferuar mbeten Administrim-Biznesi në Fakultetin e Ekonomisë dhe programi i studimit të Drejtësisë, të cilët kanë pasur një numër të lartë aplikimesh. 

Në këtë mënyrë, do të nisë sot raundi i katërt i regjistrimeve për në shkollat e larta. Aplikantët fitues do të kenë mundësi të shfrytëzojnë 48 orët e ardhshme për të parë nëse janë fitues dhe për t’iu drejtuar sekretarive të universiteteve për t’u regjistruar. Raundi i tretë 48 orësh është mbyllur pasditen e djeshme dhe, sipas raportimeve të universiteteve, është shfrytëzuar pak nga aplikantët fitues. Shumë prej tyre mbeten në pritje që të shpallen fitues në degën e parë të preferencës që kanë kërkuar. Në bazë të rregulloreve të Ministrisë së Arsimit, maturantët kishin të drejtën të shprehnin deri në 10 degë preferenciale për të ndjekur studimet në shkollën e lartë. 
Sigal