Universitetet, hapen aplikimet për formularin A1Z

914
Sistemi Matura Online do të pranojë regjistrimet deri më 23 gusht. Ja kategoritë që mund të përfitojnë
Është hapur dje dhe do të jetë në dispozicion të maturantëve edhe për 48 orë mundësia e aplikimit për shkollën e lartë. Sipas njoftimit të Qendrës së Shërbimeve Arsimor, deri më 23 gusht do të jetë i hapur sistemi i Matura Online për aplikimet me formularin A1Z. Sistemi do jetë i hapur nga ora 8.00-16.00 të secilës nga datat.

“Aplikimet me formularin A1Z bëhen në mjediset e shkollave ku kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme”, thuhet në njoftimin e QSHA-së. Kandidatët që mund të plotësojnë këtë formular do të jenë: 1 – Maturantët që nuk e kanë plotësuar formularin A1 në sesionin e parë. 2 – Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk janë të pajisur me dëftesë pjekurie /diplomë. 3 – Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk kanë për të dhënë provime të Maturës, por duan të aplikojnë në IAL. 4 – Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njehsuar dokumentet shkollore nga MAS. “Për të gjitha rastet që do të paraqiten pranë shkollave për aplikim do të ndiqen procedurat e përcaktuara në udhëzimin përkatës. Do të plotësojnë formularin A1Z vetëm maturantët/kandidatët që nuk e kanë plotësuar këtë formular në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2017”, sqaroi Qendra e Shërbimeve Arsimore. Nëse maturanti/kandidati e ka plotësuar formularin A1/A1Z në sesionin e parë dhe për ndonjë arsye nuk ka marrë pjesë në provime ose ka marrë pjesë dhe ka mbetur, atëherë ai nuk duhet të plotësojë formularin A1/A1Z, sepse ai ekziston në bazën e të dhënave të Maturës Shtetërore 2017. Më 28 gusht nis shpallja e fituesve dhe regjistrimi i tyre në universitete, proces i cili duhet të kryhet brenda 48 orëve. “Më datën 28 gusht do të bëhet shpallja e fituesve në faqet e universiteteve, por edhe në Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe në datën 29 gusht do të fillojë menjëherë edhe regjistrimi për në universitet”, sqarojnë drejtues të qendrës. Ndryshe nga një vit më parë, fituesi mund të çregjistrohet nëse heq dorë nga zgjedhja e tij e parë. “Ata do të kenë mundësinë e çregjistrimit, do të kenë mundësi riaplikimi vetëm në raundin e dytë. Sigurisht që në raundin e dytë duhet të bëjnë llogaritë shumë mirë, si qëndrojnë shanset për të fituar”, shprehen zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Raundi i parë i pranimit të institucionet e arsimit të lartë do të zgjasë 14 ditë dhe ka 7 minifaza 48-orëshe. Nga data 29 gusht deri më 11 shtator, aplikantët të cilët kanë rezultuar fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit. Gjatë këtyre datave, aplikantët duhet të jenë të vëmendshëm në ndjekjen e procesit. Nëse shpallen fitues në një nga programet e studimit që kanë renditur, ata duhet të regjistrohen brenda 48 orëve. Në të kundërt humbin të drejtën për të vijuar programin studimit. Ndërsa raundi i dytë fillon më 15 shtator kur maturanti mund të riaplikojë, duke zgjedhur edhe programe të tjera të ndryshme nga raundi i parë. Në këtë raund mund të aplikojnë ata që kanë marrë provimet e maturës në vjeshtë, apo ata të cilët kanë mbaruar maturën në një vend jashtë Shqipërisë dhe nga data 1 tetor deri më 14 të gjithë maturantët që janë shpallur fitues mund të regjistrohen. Këtë radhë viza e kuqe e fituesve do të zhvendoset në kohë reale sapo të lirohet vendi bosh.

Sigal