Universitetet e pezulluara, studentët, peticion Edi Ramës

477
Sigal

Kërkesa: Mos na ndërprisni studimet, na krijoni mundësi të arsimohemi

 Mbyllja e 38 universiteteve ka qenë një ndër temat e nxehta të momentit, ku ka shkaktuar përplasjet pozitë-opozitë-studentë. Në ditën që nisi plotësimi i Formularit A2 nga maturantët, ku universitetet private shihen si një alternativë studimi, qeveria ka krasitur 30% prej tyre. Plot 18 prej 59 universiteteve private i është vënë kyçi nga qeveria shqiptare pasi nuk plotësojnë kriteret, si dhe 6 filiale të universiteteve publike do të mbyllen. Për 13 është propozuar pezullimi i aktivitetit dhe për po aq janë vënë kushte që do t’i mundësojnë vazhdimin e veprimtarisë. Ky vendim ka sjellë shqetësimin e studentëve dhe familjarëve të tyre. Megjithëse, sipas udhëzimit të ministres Lindita Nikolla, këta studentë do të kenë mundësi të transferojnë studimet e tyre në programe studimi të njëjta apo të ngjashme të të njëjtit cikël studimi në një universitet publik ose privat të arsimit të lartë, brenda ose jashtë vendit, studentët e Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, jo vetëm që nuk kanë nisur të tërheqin dosjen e transferimit, por kanë nisur të mbledhin firmat për një peticion që do t’i dorëzohet Kryeministrit Rama dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.Përmes peticionit ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, për heqjen e licencës ndaj universitetit, ku ata studiojnë. Ndërkaq, udhëzimi përcakton se universitet publike dhe ato private pritëse duhet të ngrenë një komision, i cili do të merret me vlerësimin, njohjen dhe ekuivalentimin e krediteve të grumbulluara nga studenti. Drejtuesit e universiteteve private kanë paralajmëruar se do të ndjekin të gjitha hapat e duhura ligjore për të pezulluar vendimin e qeverisë dhe se asnjë dokument zyrtar nuk ka mbërritur në institucione. Lidhur me këtë vendim të qeverisë, dje ka reaguar dhe deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se, me vendimin e tij arbitrar dhe klientelist po lë në rrugë më shumë se 18. 000 të rinj. “Kur aksionet bëhen në mënyrë spontane, pa transparencë dhe për interesa klienteliste, ato janë të destinuara të mos sjellin rezultatet e duhura dhe të mos i shërbejnë shoqërisë. Dhe kur mbyllja e më shumë se 30 universiteteve bëhet nga persona që integritetin e kanë njësoj të cenuar, sa konstatimet në raportet që bëjnë, atëherë kjo lëvizje çalon që në nisje, është e kompromentuar. Frika është se kësaj do t i shtohen edhe 6 mijë të rinj, për shkak të mbylljes së universiteteve private. Pra me Edi Ramën, 18 mijë të rinj, nuk do të kenë universitetin si zgjedhjen e tyre, por rrugën, baret, bixhozin, dhe për fat të keq më shumë gjasë krimin, sepse kështu vendosi papritur Kryeministri i vendit.

Geriola ÇAUSHI