Unifikim arsimit Shqipëri-Kosovë Rama: Dixhitalizimi nga Google

593
Sigal

TIRANE- Duke filluar nga ky vit, nëse një nxënës nga Shqipëria për arsye të ndryshme vijon shkollën në Kosovë dhe anasjelltas, nuk do të ketë më probleme me tekstet shkollore dhe as me ciklet e studimit. Kosova dhe Shqipëria nënshkruan këtë të martë marrëveshjen për unifikimin e sistemit arsimor parauniversitar dhe programet mësimore. Arsimi shqiptar do të orientohet nga modeli i Kosovës, i cili është i ngjashëm me atë evropian.

Sot u kry, ja dolëm të unifikojmë sistemin parauniversitar Shqipëri-Kosovë! Ka zgjedhur këto fjalë për të shprehur rëndësinë e një dite historike siç e cilësoi ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikola, ndërsa firmosi me homologun kosovar Ramë Buja marrëveshjen mes dy vendeve. Rama tha se kjo marrëveshje nuk do të ketë asnjë rëndesë mbi taksapaguesit ktej dhe andej kufirit.

“Firmosja e marrëveshjes do ta fusë këtë ditë si ditën që u vendos guri i themelit në rrugën e bashkimit të sistemin arsimor Shqipëri-Kosovë, drejt europianizimit.  Nuk është kombëtarizimi për të bërë një unifkim Kosovë-Shqipëri nga njëra anë dhe Europa nga ana tjetër, por unifkim Kosovë-Shqipëri me Europën. Rruga e re e një bashkimi deri dje tërësisht të pamundur, dhe deri pak më parë tërësisht të dëshiruar por edhe në dukje të paarritshëm. Ja pra ku jemi sot, kemi firmosur të bashkohemi në rrugën e madhe të gjeneratës tjetër, duke bërë të mundur që gjenerata tjetër të marrë dijen në të njëjtat burime, dhe e bashkuar të unifiokohet me gjithë sistemin globat të dijes”, u shpreh Rama.

Shqipëri-Kosovë unifikojnë sistemin arsimor, Nikolla:U kry!
“Shqipëria kalon në një sistem si Kosova, 5+4+3, me një fokus të veçantë për klasat parapërgatitore, që përkon me klasat për moshat 5-6 vjeç, për ta futur edhe këtë kategori në pjesën e sistemit të detyruar parauniversitar. Që këtë shtator, i jepet jetë kësaj kurrikule të re të Kosovës dhe Shipërisë. Ne mundësuam kështu pjesë të hapësirës shkollore europiane. Kurrikula e re mundëson lëvizshmëri, një nga parimet e integrimit të dy vendeve tona. Shqiptarët në Kosovë apo Shqipëri mund të vijojnë shkollën në çdo vend, sepse është kurrikula zyrtare e vendeve të BE. Duke ruajtur specifikën e vendeve tona do na çojë edhe në tekste të unifikuara. Kemi një marrëveshje jo për të rënë në parim, por për të filluar punën dhe vënien në jetë që ka prodhuar kjo ekspertizë e përbashkët, dokument strategjik për të filluar punën e sistemit paraunivesritar, që sëbashku me reformën janë shtyllat bazë për të thënë që në Shqipëri një erë e re fillon për të gjitha shyllat e sistemtit arsimor”, -tha ministrja Nikolla.

Përmes kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve, nxënësit do të jenë më të lehtësuar nga ngarkesa që kanë sot, por do të ketë më shumë cilësi. E njëjtë edhe për mësusit, të cilët sipas ministres Nikolla do të jenë të lehtësuar nga burokracitë, por më të “pavarur, më shumë kreativë dhe më shumë të mbështetur”.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes Shqipëri-Kosovë për unifikimin e arsimit parauniversitar:

Të nderuar ministra,

Të nderuar miq dhe sot do të them edhe të nderuar qytetarë të Shqipërisë dhe të Kosovës që na ndiqni,

Hapësirë kombëtare aktive do ta quaja unë, punën që është bërë mes ministrive dhe ministrave tanë të Arsimit, këndej dhe andej kufirit, për të arritur këtë Marrëveshje të sotme.

Firmosja e kësaj Marrëveshjeje do ta fusë padyshim, këtë ditë, në historinë e zhvillimit të arsimit shqiptar, si dita ku u vendos guri i themelit në rrugën e bashkimit të sistemit arsimor Shqipëri-Kosovë.

Punën që do të bëhet për bashkimin duhet ta shfrytëzojmë njëkohësisht, edhe si një mundësi të artë për të bashkuar forcat, eksperiencat, aspiratat drejt europianizimit të arsimit tonë, si frymë dhe si standard.

Hapat drejt këtij unifikimi të sistemit arsimor nuk janë lëvizje drejt bashkimit mekanik të asaj çka kemi sot, këndej dhe andej kufirit, por një ecje e përbashkët drejt asaj çka duam të kemi nesër, për gjeneratën tjetër të shqiptarëve nga Prishtina në Tiranë, nga Mitrovica në Shkodër, nga Gjakova në Vlorë.

Lëvizja për unifikim që nis sot do të sjellë në këtë rrugë të re të rritjes së cilësisë së dijes, natyrshëm, hapjen e shumë kantiereve të punë së përbashkët për lëndët mësimore, nga gjuha e letërsia tek shkencat ekzakte.

Por më lejoni të them se kjo lëvizje nis në një kohë kur kambanat e alarmit po bien fort përsa i përket mësimit e përdorimit të shqipes.

Shqipja e njësuar është një pasuri që assesi s’mund të lejohet të tretet në errësirën e një epidemie analfabetizmi, që tranzicioni e kalli në rrugët e përdorimit të gjuhës sonë amtare, apo që periudha tragjike e daljes së Kosovës nga errësira në dritë e imponoi edhe mbi Kosovën, për një kohë relativisht të gjatë.

Por jo vetëm kaq. Sikur të mos mjaftonte rënia e përgjithshme, dramatike, e cilësisë së përdorimit të përditshëm dhe zyrtar të shqipes në gjithë këto vite çorodie, dora e shkatërrimit ngriti edhe një valë hakmarrjeje të verbër ndaj gjuhës së njësuar, ku janë përzierje gjithfarë gjysma mendjesh që duan të ripeshojnë me gjysmëdijet e tyre shkencore dhe gjysmëhijet e tyre politike, dy pjesët e trupit, kaherë, të bashkuar njëherë e mirë, të gjuhës sonë. Është koha për ta ndarë një herë e mirë shkencën nga politika dhe rrugën e pasurimit të gjuhës shqipe nga rruga e mjerimit politik të shkencës.

Puna për unifikimin e kurrikulave përbën mundësinë tonë të madhe, mbarëkombëtare, për të ndaluar edhe rënien e mëtejshme të gjuhës shqipe, duke i kthyer asaj rëndësinë e humbur në sistemin arsimor dhe duke bashkuar të gjitha forcat, për ta rritur cilësisht përdorimin e shqipes përmes mësimit, por edhe disiplinës.

E nesërmja e pasurisë sonë më të shtrenjtë dhe një prej pasurive më të veçanta të Europës, le ta themi me plot gojën, përcaktohet sot. Dhe atë s’mund ta përcaktojë kurrsesi, inercia fatale e një tranzicioni që në 23 vjet e solli gjuhën tonë amtare jo vetëm në pikën e vet më të ulët, pas njehsimit, për nga cilësia e përdorimit të përgjithshëm të saj, por edhe në një pikë ku kërcënimi i gjymtimit të saj është bërë tanimë, real.

Prandaj le ta shohim këtë Marrëveshje të sotme edhe si një mjet të ri, gjithëkombëtar, për vendosjen në një cilësi të re të rendit të shqipfoljes dhe të shqipshkrimit në mbarë hapësirën tonë kombëtare. Le të punojmë fort e pa droje për këtë. Sepse nuk ka shtet serioz sot, në botë, që nuk synon forcimin e hapësirës së vet gjuhësore dhe që nuk ka politika të veçanta për këtë mision jetik për shtetin dhe për një komb.

Modernizimi, me forca e përpjekje të bashkuara, i mjedisit ku jepet e merret mësim në mbarë hapësirën tonë kombëtare, edhe për shkencat ekzakte, edhe lëndët teknike, është një tjetër mundësi shumë e vyer që na ofron puna për unifikimin e kurrikulës.

E, dua ta nënvizoj se ne në këtë rrugë të bashkimit të sistemit arsimor duhet të synojmë dy gjëra njëkohësisht, nga njëra anë, unifikimin, nga ana tjetër, modernizimin; nga njëra anë inovacionin, nga ana tjetër, progresin. Çka do të thotë se duhet të synojmë gjithë ato praktika, të ngjashme me të tjera realitete që kanë shkuar në këtë drejtim, për arsimin, për kulturën, për fushat e tjera, në funksion të një modernizimi tërësor dhe jo thjesht e në asnjë mënyrë, të një bashkimi mekanik.

Që nga viti 1995, p.sh, vendet e Beneluksit zhvillojnë politika tërësisht të përbashkëta për rininë dhe për periudhën 2009-2012, këto vende firmosën edhe një marrëveshje shumë speciale për “Barazinë e të drejtave dhe të shanseve për të rinjtë dhe për fëmijët”.

E sjell këtë shembull për të thënë se qëllimi ynë është mjaftueshmërisht i lartë, edhe po të flasim thjesht për unifikim të sistemit tonë arsimor, por sfida jonë është ende edhe më e madhe se kaq, në këtë rast. Sepse edhe për arsimin nuk është kombëtarizimi, për të krijuar një sistem veç mes Shqipërisë e Kosovës, nga njëra anë dhe Europës, nga ana tjetër, por është unifikimi i njëkohshëm me njëri-tjetrin dhe me Europën.

Është shumë e rëndësishme edhe rritja e shkëmbimeve dhe e lëvizshmërisë mes mësuesve dhe specialistëve të arsimit, që sjell ky bashkëpunim, çka Ministrja e nënvizoi duke shtuar edhe lëvizshmërinë  e nxënësve në gjithë hapësirën tonë të përbashkët kombëtare.

Kështu hapet një kapitull i ri drejt shumë rrugëve që na ndërlidhin, për një të ardhme ndryshe të hapësirës shqiptare.

Dhe më vjen mirë që sot, ne çelim një rrugë të re, një rrugë shumë e shumë vite, dekade, shekuj të ëndërruar, pa asnjë rëndesë mbi taksapaguesit, këndej dhe andej kufirit dhe aspak si pjesë e një projekti propagandistik të radhës, por një rrugë për hapa realë, që zgjaten drejt një tërësie ndërlidhjesh cilësore mes nesh.

Atë çka do të sjellë unifikimi i sistemit arsimor, që është praktikisht një bashkim i plotë në arsim, ne, sot e kemi të vështirë ta llogarisim në gjithë zinxhirin e vlerave të shtuara për shoqërinë dhe kulturën e bashkëjetesës sonë, por jo vetëm të bashkëjetesës sonë në komunitet apo mes nesh, por edhe të bashkëjetesës sonë me mbarë rajonin.

Nga ana tjetër, përfitoj nga rasti të them se kjo Marrëveshje përbën natyrisht, njërin nga aspektet themelore, por, gjithsesi, vetëm një aspekt të bashkëpunimit tonë, të nisur me hapa të përbashkët dhe të bazuar në nisma të deklaruara qysh në mbledhjen e përbashkët të Prizrenit, të cilat po shtjellohen në çdo ministri, me grupe të përbashkëta ekspertësh.

Përfitoj nga rasti t’i falënderoj përulësisht ekspertët e Tiranës dhe të Prishtinës, që bashkërisht, nën udhëheqjen e të dy ministrave, kanë arritur të na sjellin në këtë ditë që është historike, brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër. Ministrja e tha, kishte jo pak skepticizëm akademik, edhe pse të gjithë ishin të dëshiruar që ta hidhnim këtë hap, por pakkush besonte se kjo mund të bëhej në më pak se një vit kalendarik.

E, ne jemi këtu sot dhe kjo është një tjetër provë, se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës ka vetëm një kufi. Kufirin që ne i vëmë vetes, jo kufij që ne kemi mes vetes dhe tjetrit. Gjithsaherë, ne nuk do t’i vëmë kufi vetes, po aq herë, ne nuk do të kemi kufi mes nesh, për të realizuar gjithçka duam të realizojmë.

Dhe në këtë aspekt, besoj, që arsimi ka një avantazh ashtu si edhe kultura, që është mbi kufijtë, mbi çdo lloj kufiri. Ashtu sikundër, unë e kam thënë në kohëra të padyshimta, siç thotë një shprehje, që Kosova përbën në këtë fushë një shembull shumë pozitiv për shumëçka. E pavarësisht se ne kemi 100 vjet shtet, siç tha Ministrja, kjo nuk duhet të na pengoje dhe nuk na ka penguar që në këtë unifikim të zgjedhim anën e anës tjetër, në më të shumtën e herës. Sepse sistemi arsimor në Kosovë, sot vazhdon vuan pasojat e boshllëkut të së shkuarës, por është ama, ngritur mbi themele shumë të forta dhe mbi një proces që në dekadat e ardhshme do të japë rezultate që sot, shumëkush as nuk i imagjinon.

E, padyshim, arsimi dhe kultura na tërheqin vetiu në këtë rrugë jo të lehtë dhe për këtë sfidë shumë të madhe. Por ne nuk do të lëmë pas dhe nuk po lëmë pas, as ekonominë, as sportin. Që nga ekonomia del dhe sporti.

Të mos e harrojmë për asnjë moment se bashkimi i forcave, i eksperiencave, i dijeve dhe i aspiratave përbën një kapacitet të shtuar qeverisës për hapësirën tonë kombëtare, pavarësisht se mes dy shteteve dhe dy qeverive është një kapacitet i shtuar qeverisës dhe administrativ, që na jep mundësinë të ndërveprojmë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët europiane, euro-atlantike dhe për të vënë në shërbim të popullit tonë, këndej dhe andej kufirit, më shumë forca.

Asgjë nuk na ka kushtuar, asnjë qindarke nga taksapaguesit shqiptarë të Shqipërisë apo të Kosovës, ky komision i përbashkët. Janë ekspertë që janë bashkuar dhe kanë punuar jashtë orarit të punëve të tyre të përditshme, por ama na kanë sjellë një vlerë të shtuar, të pashlyeshme me para, për nga shpejtësia dhe për nga vlera e madhe që do të krijojë ky proces. Do të kishte qenë shumë më e gjatë dhe jo kaq rezultative, konkrete dhe praktike, puna e një komisioni ekspertësh tanët me ekspertë të huaj e të gjitha me radhë.

Ne, sot kemi vendosur një gur themeli, por në ndërkohë jemi të sfiduar që, përveç unifikimit që vjen si rezultat i asaj çka njohim tek vetja dhe tek tjetri, të zgjerojmë hapësirat dhe kapacitetet për të njohur më shpejt dhe për të integruar më shpejt, atë që na sjell sot, bota e dijes dhe mbi të gjitha, bota e teknologjisë së re.

Ministrja e përmendi që në këtë aspekt, ne jemi duke hedhur një hap strategjik shumë të rëndësishëm, për të cilin jemi zotuar, për të kaluar në një shkollë tërësisht inovative dhe për të kapërcyer barrierat e varfërisë, barrierat e gjeografisë, barrierat e mungesës së infrastrukturës fizike të shkollave dhe për të garantuar që çdo fëmijë, pavarësisht se ku gjendet, të ketë në tabletin e vet, gjithçka i duhet për të mësuar cilësisht. Këtë ta shtrijmë në të gjithë hapësirën tonë kombëtare dhe këtë ta bëjmë pjesë të këtij unifikimi historik, duke bërë të mundur që distanca të jetë vetëm një “click” nga ky sistem, për këdo qoftë, kudo ku lind dhe rritet si fëmijë shqiptar i kësaj hapësire kombëtare.

Në ditët në vijim, ne, besoj, do të përfundojmë një marrëveshje me Google-in dhe do të jetë Google që do të marrë përsipër shtrimin e të gjithë ‘autostradës dixhitale’ të sistemit tonë arsimor. Jam i bindur se duke pasur një ndërtues kaq global dhe globalisht të famshëm e të sigurt, ne do të mund të ecim jashtëzakonisht më shpejt se ç’e kishim parashikuar, në rrugën e një rilindjeje të madhe kombëtare për arsimin dhe gjuhën shqipe, në të dy anët e kufirit.

Kështu që, për çdo shqiptar, kudo ku lind dhe kudo ku do të rritet, në Tiranë apo në Prishtinë, në Gjakovë apo në Tropojë, në Pejë apo në Sarandë e me radhë qytetet dhe fshatrat, do të ketë sot e më tutje, një rrugë të re. Është rruga e re e një bashkimi, deri dje, tërësisht të pamundur dhe deri pak më parë, tërësisht të dëshiruar, por edhe në dukje të paarritshëm. Ja, pra, ku jemi. Sot kemi firmosur të bashkohemi në rrugën e madhe të gjeneratës tjetër, duke bërë të mundur që gjenerata tjetër të marrë dijen në të njëjtat burime dhe e bashkuar, të unifikohet me gjithë sistemin global dhe europian të dijes.

Dua ta mbyll me një mirënjohje të posaçme, – këto ditë duket sikur po e teproj, por ju siguroj që nuk është e tepërt,  – për Ministren e Arsimit, Lindita Nikollën. Para pak ditësh patëm një arritje të jashtëzakonshme, për të cilën unë e falënderova publikisht atë dhe Zëvendësministren Nora Malaj. Madje ju thashë që dy drejtoresha gjimnazesh të Tiranës po bëjnë në më pak se një vit, atë që 40 ministra Arsimi nuk e bënë në dy dekada.

Nga ana tjetër, dua të falënderoj shumë ministrin Buja, për të cilin kam një respekt të posaçëm, për shkak se qysh në ditën e parë i është vënë tërësisht në dispozicion, me “mish e me shpirt”, këtij projekti.

E, sot kemi gjithë kohën përpara, për të qenë gati, që në shtator të fillojmë jetësimin konkret të projektit dhe një orë e më parë t’ua japim në dispozicion, të gjithë sistemin e unifikuar arsimor, prindërve, mësuesve, nxënësve. Sigurisht, edhe studentëve, por këtu ishim për pjesën e arsimit parauniveristar, këndej dhe andej kufirit, në një hapësirë kombëtare pa kufij, për një komb që nuk njeh kufij.

Buja: Japim e marrim nga njëri-tjetri, madhështi!
Një ditë mjaft historike edhe për ministrin e Arsimit të Kosovës, i cili u shpreh se emocionet e shumta nuk e linin të thoshte shumë fjalë.
“Ne po japim dhe po marrim nga njëri-tjetri dhe kjo është madhështia. Urime, e gëzofshim dhe e realizofshim!”, tha shkurt ministri Buja.

Nga Shtatori tektet e unifikuara pilotohen ne disa qytete

Vitin e ri shkollor, në muajin Shtator, do të pilotohen në disa qytete të vendit tekstet e unifikuar mes e Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin. “Ne fillojmë pilotimin në disa shkolla të Shqipërisë për ta përdorur më lehtë shtatorin tjetër dhe për ta shtrirë në më shumë shkolla.

Këtë vit arsimor, ky sistem do të aplikohet në disa shkolla shqiptare për të pasur një shtrirje më të gjerë gjatë viteve të ardhshme, pasi sistemi nuk mund të implementohet brenda një viti shkollor. Nga ana tjetër, ministrja Nikolla la të hapur edhe mundësinë e rishikimit të reformës së altertekstit dhe përafrimin me modelin e Kosovës, funksionimi në shkolla me një tekst të vetëm dhe jo me disa alternative si tani.

Dikasteri i arsimit pritet të ndryshojë ligjin e arsimit parauniversitar për ciklet e studimit, pasi një vit më parë paraardhësi i ministres Nikolla, Myqerem Tafaj e ktheu arsimin fillor nga pesë në 6 vjet. Ndërkohë, ministria e Arsimit ka sqaruar edhe vendimin për shtyrjen e miratimit të projektligjit të arsimit të lartë duke deklaruar se nuk do të ketë tërheqje nga reforma.