Udhëzimi: Si shpallen degët fituese dhe regjistrimi në universitete

910
Çfarë duhet të dinë aplikantët fitues dhe ata jofitues, lirimi i kuotave, llogaritja e pikëve dhe pritja për nënfazën e ardhshme
Ministria e Arsimit publikoi udhëzuesin që do të ndihmojnë maturantët fitues në procesin e regjistrimit në shkollat e larta, publike e private, në raundin e parë dhe të dytë. Portali do të jetë i aksesueshëm nga dita e sotme, 29 Gusht 2017. Ky manual do t’u shërbejë të gjithë kandidatëve në pritje të rezultateve të fazës së dytë të aplikimit në institucionet e arsimit të lartë. Procesi i regjistrimit do të kryhet në sekretaritë mësimore në datat 29 Gusht -11 Shtator, dhe do të përbëhet nga 7 faza, nga 48 orë secila. Në udhëzues janë dhënë edhe shembuj konkretë se si do të veprohet për të mësuar nëse një aplikant është fitues, është i regjistruar apo duhet të presë azhornimin e listës. Për çdo “vendim” që do të dalë nga portali ualbania.arsimi.gov.al, aplikantët do të mund të mësojnë e kontrollojnë edhe mënyrën e llogaritjes së pikëve, duke mësuar gjithashtu edhe numrin e kuotave të lira dhe renditjen në të cilën ndodhen. 

Kandidati duhet të zgjedhë të regjistrohet në një nga degët fituese, duke humbur mundësinë të regjistrohet në degët e tjera fituese. Në momentin që studenti regjistrohet pranë sekretarisë, tabela në portal do të azhornohet. “Me ngjyrë të gjelbër shfaqet dega ku është regjistruar kandidati fitues, dhe me ngjyrë gri, të gjitha programet e tjera, fituese ose jo, nga të cilat kandidati është fshirë nga listat. Në rastin kur, në një nga degët jo fituese, kandidati është shumë pranë limitit të kuotave, atëherë ekziston mundësia që studentit t’i sinjalizohet programi me ngjyrë të verdhë”, theksohet në udhëzuesin përkatës. Në portal, ngjyra e verdhë në një program studimi, tregon se kandidati është fitues, për shkak të lirimit të kuotave nga kandidatët e tjerë të regjistruar në degë të tjera fituese. “Mundësia për t’u regjistruar në këtë program studimi do ju jepet në nënfazën e ardhshme, kur ngjyra e verdhë do të kthehet në të gjelbër”, nënvizohet në udhëzues.

Deri sot, të gjithë universitetet duhet të kenë përfunduar procesin e shpalljes së fituesve, për t’ia lënë radhën fazës tjetër. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, maturantët të cilët nuk regjistrohen brenda afatit të përcaktuar 48-orësh, humbasin këtë të drejtë. Procesi i regjistrimeve nga sekretaritë mësimore, bëhet vetëm me paraqitjen e dokumentacionit, ku çdo maturant ka të drejtë të regjistrohet vetëm në një program studimi. Në udhëzimin e publikuar mësohet se, nëse pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, atëherë vija e kuqe do të spostohet, duke shpallur fitues ata që vijojnë më poshtë, ku do të kenë mundësi të regjistrohen në fazën pasardhëse. Për sa i përket mënyrës se si do të procedojnë sekretaritë mësimorë, ato do të mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit, datën, orën e dorëzimit si dhe nënshkrimin e aplikantëve të regjistruar. Për maturantët, të cilët duan të çregjistrohen pasi kanë bërë regjistrimin me dokumentacionin do të kenë mundësi vetëm në datë 12 shtator, ku duhet të paraqesin një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarive mësimore të fakultetit ku janë regjistruar. Brenda datës 13 shtator do të publikohen regjistrimet përfundimtare të raundit të parë dhe të kuotave të paplotësuara.


Sigal