Testimi i mësuesve të sistemit 4-vjeçar, 15-26 korrik

960
Sigal

Provimi i Shtetit/ Ja çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për testimin

Mësuesit do të mund ta japin Provimin e Shtetit në muajin korrik. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka shpallur datat zyrtare të provimit, të cilat nisin më 15 deri më 26 korrik. Në këto data do të testohen mësuesit që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar. Ky provim u jep të drejtën këtyre kandidatëve që të ushtrojnë profesionin e mësuesit në profilin që ata kanë mbaruar studimet. Sipas burimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve deri më tani janë regjistruar 600 kandidatë që do i nënshtrohen këtij testimi. Por një risi për këtë sezon është shtimi i tre profileve të reja, mësuesit e gjuhës gjermane, greke, si dhe mësues të arsimit fillor. Për këta të fundit, veç praktikës, ata duhet që patjetër të kenë të mbrojtur një master shkencor. Ndërkohë që, për kategoritë e tjera të mësuesve është master profesional.

Mësuesit pa master nuk japin provimin e shtetit

Mësuesit e arsimit fillor nuk do të mund të japin provimin e shtetit, në rast se nuk kanë përfunduar më parë masterin shkencor. Diploma 3-vjeçare Bachelor për Mësuesi nuk do t’u shërbejë shumë arsimtarëve të rinj. Urdhri është dhënë kohë më parë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Testimi për këtë kategori nis në muajin gusht, ndërkohë që në korrik do të testohen mësuesit që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar.

Provimi dhe mësuesit

Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, këtë vit janë shtuar edhe disa profile të tjera, si gjuha greke apo ajo gjermane. Në total do te jepen 24 provime shteti të profileve të ndryshme për mësuesinë. Pjesë e provimit do të bëhen edhe ata studentë, të cilët kanë mbetur herën e parë. Sa u përket pyetjeve, fondi duhet të përmbajë 1800 pyetje të pjesës profesionale, e cila mbulon 70% dhe 900 pyetje të pjesës didaktike që mbulon 30%. Kjo ka të bëjë me etikën në shkollë, kurrikulën, mënyrën e dhënies së mësimit. Pra, janë gjëra që duhet të dinë të gjithë mësuesit dhe nuk ndryshojnë. Ndërsa drejtshkrimi ka 6% të pikëve, sepse është logjike që një mësues të dijë shqip. Ndërsa testi nuk do të ketë ndryshime esenciale. Pjesë e provimit do të bëhen edhe ata studentë, të cilët kanë mbetur herën e parë. Të gjithë ata që mbetën një herë, kanë të drejtë ta japin 5 herë provimin e shtetit. Për këtë ata mjaftojnë të njoftojnë urdhrin përkatës që të hyjnë në provim. Ndërkaq, të gjithë urdhrat 15 ditë para duhet të çojnë listat e konkurrentëve. Provimin e shtetit duhet ta japin të gjithë të diplomuarit që duan të punësohen. Ata nuk mund të ushtrojnë profesionin, në rast nuk kalojnë në këtë provim.

Udhëzimi i plotë për testimin e mësuesve

Vetëm mësuesit që do të kalojnë me sukses provimin e shtetit kanë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës që do të rezultojnë në shkollat e ndryshme të rretheve. Këta mësues fillimisht duhet të kalojnë provimin për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve me përgatitjet, Ministria e Arsimit ka shpallur udhëzimin e plotë të procedurës dhe përmbajtjes se si do të jetë testi së bashku me temat që duhen përvetësuar. Sipas programit të hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Arsimit, provimi i shtetit për mësuesit është i përbërë nga dy pjesë: pjesa pedagogjike, që do të zërë rreth 40 për qind të pyetjeve; dhe pjesa profesionale, që do të zërë 60 për qind të pyetjeve. Programi i provimit të shtetit për pjesën pedagogjike është një program orientues, që do të bazohet në kompetencat kryesore që duhet të zotërojë një kandidat për mësues në formimin e tij të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër do të jetë vetëm për përgatitjen profesionale që mësuesi ka në lëndën përkatëse ku ai është specializuar gjatë studimeve të shkollës së lartë. Udhëzimi i shpallur detajon edhe disa modele pyetjesh të shoqëruara nga përgjigjet përkatëse, në mënyrë që arsimtarët të dinë se si duhet të përqendrohen në përgatitjen e tyre për të siguruar rezultatin maksimal nga ky provim. Për çdo lëndë parashikohet të hartohen rreth 2000 deri në 3000 pyetje. Veçoria e këtij provimi është se për çdo mësues, pavarësisht nga lënda, një pjesë e tezës do të jetë drejtshkrimi dhe përgatitja didaktiko-pedagogjike. Edhe për mësuesit provimi i shtetit do të zhvillohet në mënyrë dixhitale.

Kriteret për t’u punësuar në arsim

Për të qenë mësues në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare private, kandidatët duhet të kenë licencën e profesionit. Të gjithë mësuesit duhet të zhvillojnë provimin e shtetit, për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Kjo do të thotë që diploma, që ka kurorëzuar studimet e tyre, nuk është njësoj e vlefshme nëse nuk shoqërohet edhe me notën e testit të shtetit, duke qenë se mësuesia është 1 prej 11 profesioneve të rregulluara me ligj. Kështu, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Arsimit për punësimet e reja në mësuesi, do të kërkohet, përveç dokumenteve të tjera, edhe nota e provimit të shtetit, ndërsa arsimtarët që japin mësim, por që nuk e kanë zhvilluar testin e shtetit, do të duhet ta japin atë me patjetër për të ruajtur vendin e punës. Rregullat për pranimet e mësuesve të rinj në shkolla kanë ndryshuar vit pas viti, duke përfshirë si kushte kryesore provimin e anglishtes, të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe TOEFL-in. Kjo, sipas specialistëve në MASH, me qëllim punësimin e mësuesve të superkualifikuar. Provimi i Shtetit është kusht ligjor për të sapodiplomuarit, por jo vetëm. Vetëm pasi të marrin rezultate kaluese në këtë provim, do të mund ta ushtrojnë profesionin. Kandidatët kanë të drejtë ta japin provimin deri në pesë herë, testim që nga krerët e arsimit konsiderohet si një filtër për të rritur cilësinë në tregun e punës. Vlerësimi bëhet me pikë dhe rezultatet shpallen menjëherë pas dhënies së provimit në mënyrë elektronike në ekranin e kompjuterit.

Organizimi i provimit nga ana teknike

Provimi i shtetit për mësuesit do të zhvillohet në mënyrë dixhitale. Për të shmangur gabimet në përgatitjen e testeve MASH rekomandon që gjatë përgatitjes së fondit të pyetjeve dhe veçanërisht gjatë përgatitjes së testeve të zbatohen me përgjegjësi disa kërkesa. Kërkohet që shkrimi të ketë font “Times Neë Roman”, madhësia e shkronjës 12 pt. Fontet “Italic”, “Bold” ose “Underline” të përdoren vetëm kur është e nevojshme të dallohet apo të theksohet diçka. Midis fjalëve të bëhet vetëm një hapesirë boshe (të shmangen plotësisht hapësirat e panevojshme midis fjalëve). Shenjat e pikësimit, kllapat dhe thonjëzat të shënohen ngjitur me fjalën e fundit të fjalisë dhe pastaj të bëhet një hapësirë boshe. Të mos përdoret “Enter” për ndarjen e rreshtave në fund. “Enter” të përdoret vetëm në ndarjen e paragrafeve (kur duam të kemi kryeradhe). Të shkruhen saktë shkronjat “ë” dhe “ç”. Për pyetjet me alternativa, shkruhet pyetja, jo bold, jo italic, jo me vijë, përveç pjesëve të saj që duhen te tilla.