Testimi i mësuesve, Nikolla: Rezultatet më 22 dhjetor

504
Sigal

MAS – kandidatëve për specializantë në mjekësi: Të aplikojnë personalisht për dëshmi penaliteti te Drejtoria e Burgjeve

 Ministria e Arsimit njofton kandidatët për specializim në mjekësi se mund të aplikojnë personalisht për dëshmi penaliteti te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve brenda datës 11 dhjetor. MAS e bën këtë njoftim, pasi aplikimi me postë është një procedurë më e gjatë. “Njoftohen të gjithë kandidatët që aplikojnë për specializim afatgjatë në fushën e mjekësisë dhe që kërkojnë të pajisen me dëshmi penaliteti se, duke qenë se aplikimi përmes postës parashikon afate më të gjata për pajisjen me dëshminë në fjalë, kandidatët mund të aplikojnë personalisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve brenda datës 11.12.2014, për t’u pajisur me dëshminë përkatëse brenda ditës” thuhet në njoftimin e MAS.

Nisi dje korrigjimi i testeve të sekretuara të 5303 mësuesve

 Në 22 dhjetor MAS do të zbardhë listën e fituesve për mësuesit, që zhvilluan provimin me shkrim në datën 6 dhjetor. Kështu deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla gjatë inspektimit të procesit të korrigjimit të testeve të mësuesve, i cili filloi ditën e djeshme, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. 150 mësues të profileve të ndryshme do të korrigjojnë testet e sekretuara të 5303 mësuesve që kishin aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” e që zhvilluan provimin me shkrim në datën 6 dhjetor, në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale. Gjatë një prononcimi për media, Ministrja Nikolla deklaroi se ky testim krijon jo vetëm një situatë të re për cilësinë e edukimit të 177 mijë fëmijëve, por është edhe një përgjigje kundër korrupsionit, që i jep fund emërimeve pa kriter. “Vlerësuesit e testeve, që janë mësuesit dhe ekspertët më të mirë që ka vendi në arsimin parauniversitar kanë filluar sot nga puna për vlerësimin e testeve që janë të sekretuar dhe që kanë vetëm një bar-kod i cili nuk tregon asnjë të dhënë të kandidatit. Në 22 dhjetor do të bëjmë transparente gjithë listën e fituesve për çdo Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyrë Arsimore në vend duke ndryshuar kështu situatën për 177 mijë nxënës që ishin prekur nga shkelja e vazhdueshme e ligjit ndër vite, me mësues pa arsim përkatës dhe jashtë profilit”, tha Nikolla. Ministrja shtoi se sot, ligji i është kthyer shkollës dhe arsimit shqiptar dhe ky është një lajm i mirë për prindërit, për fëmijët dhe për të si një ish-mësuese, që përmes një procesi transparent dhe të miradministruar, iu dha fund korrupsionit në arsimi.

“Listat që do të bëhen transparente për çdo DAR dhe ZA i shtojnë ligjit transparencën, meritokracinë dhe njohjen e plotë të çdo vendimmarrje që do t’i kthejë mësuesit e komanduar në mësues definitiv, ashtu siç përcakton ligji, përmes komisioneve të shkollave. Ne jemi të vendosur në respekt të ligjit, ndaj mësuesit fitues do të kthehen në mësues definitiv pas vendimit të komisioneve në shkolla”, tha Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se nga shkelja e ligjit ndër vite, inspektimet e MAS gjetën 1984 mësues pa arsimin përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit, ndërsa sot testimi kthen meritën në procesin e emërimit të mësuesve dhe gjithashtu është edhe një mbështetje profesionale për të gjithë ata që janë në sistem.

Pas aplikimeve në portalin “Mësues për Shqipërinë”, 5303 mësues që përmbushën kriteret ligjore për të qenë pjesë e mësuesisë pas verifikimit të dosjeve të tyre, zhvilluan testimin në 13 DAR.

Kreu i IZHA-s, Janaqi: Korrigjimi nën masa të rrepta sigurie

 Ka nisur dje korrigjimi i testeve për 5303 mësuesit që kishin aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” e që zhvilluan provimin me shkrim në datën 6 dhjetor, në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale. I ftuar dje në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gert Janaqi bëri të ditur se rezultatet e testimit do të publikohen më 22 dhjetor. Sipas Janaqit, korrigjimi i testimit po kryhet nën masa të rrepta sigurie, për të shmangur çdo mundësi për ndërhyrje apo korrupsion. “Ne kemi centralizuar procesin korruptiv. Po mundohemi të frenojmë ndërhyrjet politike”, – theksoi Janaqi.