‘Tërmet’ në Universitetin e Vlorës pas denoncimit dje në “Telegraf”

194

Ndëshkimi për pedagogen që denoncoi në Prokurori: Terror psikologjik, mbledhje të Këshillit të Etikës për masë dhe rrezikim i vendit të punës

Botimi në gazetën “Telegraf”, të ditës së djeshme i një denoncimi zyrtar të bërë në Prokurori, për shkeljet e rregullores, shkeljet e ligjit që kanë rezultuar me falsifikim të akteve zyrtare, me falsifikim të listave dhe të programeve të studimit Master ndaj rektorit Albert Qarri, kanë sjellë ‘tërmet’ në universitetin “Ismail Qemali”,Vlorë. Ndërkohë, ndaj pedagoges që denoncoi në Prokurori, nis hakmarrja dhe ndëshkimi për shkelje të etikës e nxjerrje të problemeve të brendshme të universitetit në publik. Për këtë, siç mësohet, është vënë në lëvizje Komisioni i Etikës së Universitetit. Paradoksi shkon deri atje, që askush nga drejtuesit e institucionit nuk ndalon në thelbin e denoncimit zyrtar në prokurori, tek shkel(Akti Nr 82/7 prot, Tiranë, më 20/10/2011) në këtë institucion, por merret në analizë pedagogia!!

PEDAGOGIA NË KONFERENCË SHTYPI

E indinjuar nga veprimet e titullarëve të universitetit lidhur me denoncimin e bërë në prokurori, botuar dhe në “Telegraf”, dje, pedagogia Edlira Cakrani ka dalë në konferencë shtypi për mediet. Ja regjistrimi i plotë i kësaj konference shtypi:

“Unë jam Edlira Cakrani, pedagoge prej dhjetë vjetësh në Fakultetin Ekonomik në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Prej 6-muajsh jam duke denoncuar shkeljet e rregullores, shkeljet e ligjit që kanë rezultuar me falsifikim të akteve zyrtare, me falsifikim të listave dhe të programeve të studimit Master, pranë këtij universiteti. Për shkak të denoncimeve të bëra pranë organeve të universitetit, pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, pranë Prokurorisë, pranë MAS, gjithashtu dhe pranë zyrës së Kryeministrit në Vlorë, nis hakmarrja ndaj meje. Të gjitha këto denoncime më “shpërblehen” me thirrjen në Këshillin e Etikës. Zotërinjtë e nderuar të Këshillit të Etikës, janë thërritur për të më ndëshkuar mua për guximin që kam pasur në denoncimin e këtyre shkeljeve. Unë jam këtu sot për të dënuar këtë formë primitive të instalimit të një diktature, të vogël brenda universitetit ‘Ismail Qemali’ të Vlorës, kur në fakt, në vend që organet drejtuese të ndihmojnë Prokurorinë në zbardhjen e të vërtetës më bëjnë presion mua që të tërheq të gjithë denoncimet e mia dhe më kërcënojnë me vendin e punës. Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje zotit Pëllumb Cafaj, Kryetarit të Këshillit të Etikës, që asnjë lloj presioni, asnjë formë ndëshkimi që mund të mendojnë ata të më japin, nuk do më zmbrapsi nga rruga që kam nisur për rikthimin e ligjshmërisë, pranë universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Ju faleminderit!

Cilat janë akuzat që ka ngritur Këshilli i Etikës?

-Këshilli i Etikës është mbledhur për të më dënuar mua sot me dy akuza: Akuza e parë është se, “duke ngritur ankesa unë kam prishur harmoninë e kolektivit” dhe akuza e dytë është “që i kam ngritur këto probleme jashtë universitetit”. Sepse Kodi i Etikës ndalon që ky lloj problemi të dalë jashtë universitetit, qoftë kjo, edhe shkelje penale, ku të gjithë qytetarët janë të detyruar në bazë të ligjit që të denoncojnë në momentin që ato marrin dijeni për një vepër penale.

Ka qenë në dijeni Rektori i universitetit për këto shqetësime?

-Unë i kam drejtuar ankesa të njëpasnjëshme Rektorit të universitetit gjatë gjithë kësaj kohe, që nga data 7 tetor dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ai. Madje, Rektori i universitetit ka kontribuar në ndëshkimin tim, duke më dhënë edhe një vërejtje për shkak të faktit që guxova të flisja.

Zonja Edlira, a rrezikoni ju sot vendin e punës?

-Unë rrezikoj që të lë vendin e punës dhe nuk është e rastësishme që më thërrasin sot. Po të shihni gazetën “Telegraf” të ditës së sotme, ka një shkrim me të gjitha shkeljet që janë bërë në Universitetin e Vlorës. Unë nuk jam as Prokuroria dhe as gjykata, unë kam bërë vetëm denoncimin. Organet e Rendit dhe të Prokurorisë janë ato që do të vendosin nëse ka shkelje penale dhe gjykata do të vendosi nëse ka ose jo fajtorë. Por si qytetare dhe si pedagoge të këtij universiteti, ne jemi të detyruar që të kontribuojmë në rikthimin e ligjshmërisë në këtë universitet.

Po me Ministrinë e Arsimit keni pasur kontakte?

-Po. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me ministren e Arsimit dhe kam dërguar shtatë letra në MAS dhe ministrja e Arsimit nuk ka ushtruar asnjë kontroll për të parë ligjshmërinë.

PANIKU TEK DREJTUESIT

Denoncimi zyrtar, denoncime të tjera (përfshi dhe atë të aplikantes për Master, Migena Kasimi), kanë ngjallur panik tek drejtuesit e universitetit nga përballja me ligjin. Mësohet se ditën e djeshme, Prokuroria e Vlorës, ka intensifikuar më tej hetimet e nisura që nga janari i këtij viti në këtë institucion. Dhe, me sa duket, problemet me ligjin në këtë universitet nisin shumë kohë më parë, minimalisht që nga viti 2011. Po çfarë konkludoi mes të tjerave KLSH dhe masat nëpërmjet Aktit Nr 82/7 prot, Tiranë, më 20/10/2011)? Ja konkretisht: 28 pedagogë dhe asistentë pedagogë janë bërë në kundërshtim me ligjin, shkelje financiare dhe detyrim dëmshpërblimi në vlerën 48.700.105 lekë, shkelje të dispozitave ligjore në pagesa me dëm të konsiderueshëm ekonomik, arkëtimin jo për llogari të universitetit nga 3330 studentë nëpërmjet sekretareve shumën prej mbi 13 milion lekëve dëm ekonomik të krijuar buxhetit të shtetit, etj… Pra, problemet për rektorin e drejtuesit e universitetit, nuk janë thjeshtë një ‘shkelje etike; nga një pedagog që në fund të fundit bën me kurajo një denoncim në prokurori. Por, problemet, me sa duket, janë shumë më të thella. Lind pyetja: Pse ky terror nda një pedagogeje që denoncon, bën detyrën si qytetare e si mësimdhënëse për shkeljet që gjykon ajo, pikërisht atje ku duhet, në prokurori, anatemohet e kërkohet ndëshkimi i saj!? Por problemet, tashmë, nuk mund të mbulohen, apo më pak të mbyllen, të anashkalohen në këtë mënyrë… Përkundër…