Tendenca e reformës në arsim, Malaj: Shumë shpejt fituesit do të shpallen nga vetë universitetet

592
Sigal

Flet prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve: I rëndësishëm, jo vetëm talenti, por edhe mesatarja e shkollës së mesme, si tregues për formimin e maturantit

Vitin tjetër, ose dhe më pas, maturantët fitues do të shpallen nga vetë universitetet. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” prof. Petrit Malaj, rektori i Universitetit të Arteve. “Mendoj se, në përcaktimet e pasme dhe në reformën që do t’i bëhet Ligjit të Arsimit të Lartë do të shkohet dhe më tej, të paktën kjo është tendenca që unë shoh, që edhe fituesit të shpallen nga universitetet, mos të shpallen më nga një Agjenci e Provimeve, siç shpallen sot”, shprehet prof. Malaj. Ai është shumë dakord me rëndësinë që po merr mesatarja e shkollës së mesme në Maturën Shtetërore, edhe pse në Universitetin e Arteve kjo nuk ndikon shumë, pasi formula për të qenë student në këtë universitet, është e përcaktuar shumë qartë; 70 % të pikëve i ka konkursi dhe 30 % mesatarja e shkollës së mesme. Gjithashtu nuk mund të mos ishte pjesë e kësaj interviste zgjedhja e Liceut Artistik nga ana e Kryeministrit Rama për të uruar mësuesit në festën e 7 Marsit. “Kryeministri i përket një shkolle arti dhe padyshim më vjen mirë që ai zgjodhi Liceun Artistik për të uruar mësuesit në festën e tyre”, shprehet prof. Malaj, ndërsa thekson se: “Kryeministri e njeh mirë shkollën e artit, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe më tej. Dhe pa dyshim që në orientimet e tij do të jetë edhe fakti që një shkollë arti do të shikohet me të veçantat e saj, do të shikohet me prioritetet që ajo ka, do të shikohet në standardet që ofron dhe në mundësitë reale që duhet t’i japim studentëve për t’i shpërfaqur ata sa më mirë”. Financimi i universiteteve, duke patur parasysh specifikat sidomos të Universitetit të Arteve, është gjithashtu një pikë shumë e rëndësishme për prof. Malaj, që ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së shkollës.

  Sapo janë shpallur formularët A1 dhe A1Z, si dhe koeficientët e shkollave dhe të lëndëve me zgjedhje sipas universiteteve. A kishte ndonjë ndryshim, përsa i përket keoficientëve të paraqitur nga Universiteti i Arteve?

 Edhe ne, Universiteti i Arteve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit patëm një komunikim, pikërisht, pak kohë më parë përsa i takon koeficienteve të arsimit të mesëm. Në fakt, komunikimi shkoi më tej; shkoi në departamente, në tre fakultetet e Universitetit të Arteve dhe gjithçka buroi prej tyre. Mund të them që përcaktimi i koeficienteve nga ana e Universitetit të Arteve nuk ka pasur ndonjë lëvizje thelbësore, pasi ne vazhdojmë të jemi kërkues në një pikë. Besoj se bëjmë mirë dhe jemi dakord, qoftë me Ministrinë e Arsimit, qoftë me aktorë të tjerë në këtë mes, që ne i japim shumë rëndësi talentit, të dhënave të kandidatit dhe në një përqindje të caktuar mesatares. Unë, personalisht, si Rektor i Universitetit të Arteve i kam mëshuar gjithmonë dhe mund ta them përsëri që kam qenë dhe do të jem kërkues që ai kandidat që vjen për të konkurruar në Universitetin e Arteve, (qoftë në degët e Interpretimit dhe Muzikologjisë në Fakultetin e Muzikës, apo në 5 degët e Fakultetit të Arteve Skenike; Regji, Skenografi, Regji Filmi dhe Televizioni, Koreografi dhe Aktrim, apo te Fakulteti i Arteve të Bukura me dy degët; Pikturë dhe Skulpturë me nëndarjet e tyre), nuk është e thënë që duhet të vijë me një përcaktim minimal pikësh, pra, me një notë mesatare 5 duke menduar se gjithçka “shkon vaj” se ai ka talentin. Unë do të mendoja që një i talentuar, pa dyshim, edhe në shkollë të mesme tregon vlerat e tij, fillon që të punojë për të patur bagazhin e tij teorik dhe në këtë sens, ne vitet e fundit kemi qenë kërkues dhe vazhdojmë që të jemi kërkues në një nga seancat e konkursit. Nga tërë praktikat që kemi, këtu, në Universitetin e Arteve, ne kemi dhe një moment bashkëbisedimi me kandidatin për të përcaktuar shkallën e nivelit të tij, të formimit dhe begraundit të tij teorik për teatrin, për artet e bukura, apo dhe për muzikën.

 Pra ju po e përkrahni reformën që po i bëhet Maturës Shtetërore, ku përparësi dhe më shumë pikë po i jepet mesatares?

Unë them që, pa dyshim, për çdo shkollë tjetër mesatarja duhet të jetë përcaktuese dhe elementi bazë. Tek ne kjo ndryshon dhe për këtë të gjithë kemi rënë dakord, këto vitet e fundit 70 % të pikëve, kandidati i merr nga konkursi dhe 30 % të pikëve i ka vetë nga mesatarja. Por, mendoj se në përcaktimet e pasme dhe në reformën që do t’i bëhet Ligjit të Arsimit të Lartë do të shkohet dhe më tej, të paktën kjo është tendenca që unë shoh, që edhe fituesit të shpallen nga universitetet, mos të shpallen më nga një Agjenci e Provimeve siç shpallen sot. Vitin tjetër, apo më pas, besoj se do të shkohet drejt asaj që fituesit do t’i shpallin universitetet, pak  a shumë në praktikën e mëparshme, sepse edhe pse ne i vejmë pikët, fituesit i shpall Agjencia Kombëtare e Provimeve. Por, ka ndihmuar fakti që në Universitetin e Arteve të hyjnë të talentuarit, ata që në fakt ka pranuar komisioni i pranimit artistik, i vlerësimit të aftësive të tij shprehëse.

 Në fakt, si ka rezultuar prurja e këtij viti akademik?

Është herët ndoshta për të dhënë vlerësimin definitiv për ta. Ne patëm një pikë kontakti të fortë me ta, pikërisht në muajin shkurt, sepse kishim provimet në Universitetin e Arteve. Mendoj se, momentet e paraqitjes së studentëve kanë shkuar ashtu siç duhet, si në çdo shkollë, por sidomos në një shkollë arti ka elementë që shfaqen më së miri me tërë formimin e tyre, ka dhe elementë që tregojnë momente jo të mira të tyre dhe pikërisht kjo është ajo pika, ai momenti, që na bën të gjithë të lëvizim dhe të ndihemi në një dinamikë të përditshme me ta.

 Po përsa i përket reformës së financimit të universiteteve, si po shkon?

Ky është një nga momentet e rëndësishme që do t’i bëhet reformës së arsimit të lartë, pasi financimi i universiteteve është një pikë nevralgjike dhe shumë e rëndësishme. Qeveria shqiptare ka shprehur vullnetin për të rritur buxhetin e arsimit të lartë, por rritja e buxhetit nga ana e qeverisë, pa dyshim, që do të shkojë përkrah një performance që do të paraqesin këto universitete dhe logjika që ka parashtruar Ministria e Arsimit që secili universitet do të vlerësohet në bazë të performancës së tij, mua më duket një pikë orientimi shumë e saktë. Në fund të fundit, do të bëjë të mundur, do të evidentojë universitetet me performancën më të mirë dhe pa dyshim financat do u shkojnë më shumë këtyre universiteteve. Unë mendoj se Universiteti i Arteve, në pikën nevralgjike të financimit, do të shikohet ndryshe nga universitetet e tjera. Kjo është një kërkesë, të cilën, ne e kemi adresuar edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, jo për t’u parë ndryshe për hir të një fjale, por për t’u parë ndryshe, pikërisht, për misionin e vet që ka, se padyshim arti dhe kultura përbëjnë një shtyllë të fuqishme të zhvillimit të shoqërisë. Unë mendoj se dhe grupi i reformës që po merret me reformën në arsimin e lartë do ta shikojë në të tillë specifikë Universitetin e Arteve. Universiteti i Arteve ka specifikat e saj që burojnë pikërisht nga metodika e punës, që burojnë nga numri i pranimit të studentëve, që burojnë nga tregu i punës që kanë këta studentë, nga të ardhura të pakta që ka, sepse ka një numër të kufizuar studentësh, pra janë shumë elementë që e bëjnë të domosdoshme që Universiteti i Arteve të shikohet me gjithë specifikat e tij, por dhe me shumë dashuri.

 Reforma në arsimin e lartë, çfarë ka ndryshuar deri më tani në Universitetin e Arteve?

 Ajo çka ka ndodhur në Universitetin e Arteve kohët e fundit, është pikërisht reforma që ne kemi bërë në kuadrin e arsimit të lartë, sepse ne tashmë jemi një universitet me tre fakultete, jemi një formë organizimi që mbizotëron në shumë shkolla të tjera në vende të ndryshme të Europës. Pa dyshim që nuk është vetëm kjo forma e vetme, ka dhe forma të tjera, forma konservatorësh 2 apo 3 vjeçar, ka shkolla arti të tillë të nivelit të lartë, por jo në stadin e një universiteti, kurse ne tashmë kemi të dy ciklet e studimit në Bachelor dhe në Master dhe, më pas, padyshim në disa degë në Universitetin e Arteve ka argumente të posaçëm nga tre fakultetet dhe është bërë një punë konkrete për të paraqitur dosjet, pse jo, për të hapur edhe ciklin e tretë, ciklin e Doktoraturës.

 Që do të thotë… Ndoshta, vitin tjetër akademik Universiteti i Arteve mund të hapë ciklin e tretë të studimeve, Doktoraturën?

Nuk mund të jem i prerë në këtë gjë, shpresoj që njëri fakultet, në bazë të informacionit që kam, të paraqesë dosjen shumë shpejt dhe ne ta paraqesim atë në Ministrinë e Arsimit dhe në Këshillin e Akreditimit.

 Meqë jemi te akreditimi, ku jemi me këtë proces aq shumë të përfolur?

Domosdoshmëri do ta quaja, absolutisht një domosdoshmëri. Pak më parë më pyetët për financimin dhe fola për disa momente të kësaj pike të rëndësishme. Financimi do të lidhet edhe me akreditimin që do i bëhet universiteteve, por financimi gjithashtu, do të lidhet shumë dhe me universitet private, sepse dhe universitetet private janë një e mirë publike në Shqipëri dhe padyshim nuk mund të jemi të prerë për cilësinë e universiteteve publike dhe të vëmë në diskutim cilësinë e atyre private. Këtu ka padyshim një thurje të vlerave, ka padyshim universitete publike cilësore, por ka padyshim dhe universitete private cilësore. E pikërisht ky akreditim do të ketë këtë peshë, do t’i japë peshë universiteteve cilësore në bazë të performancës së tyre, në bazë të plotësimit të kritereve që janë për këtë qëllim si dhe do t’i bëjë më të ndërgjegjshëm njerëzit se çfarë do të zgjedhin për të nesërmen e tyre.

 Ndërkohë nuk ka ndonjë gjë konkrete…

Jo ka, Ministria e Arsimit ka hedhur një hap të rëndësishëm, ne kemi kontaktuar si përfaqësues të universiteteve një ditë së bashku me ministren dhe përfaqësues të tjerë të ministrisë, me dy specialistë që kanë ardhur pikërisht për akreditimin e universiteteve shqiptare. Kemi biseduar me ta, kemi ndërtuar një pyetësor, pra kjo punë ka filluar dhe padyshim që do të shkojë shumë shpejt dhe më tej.

“Kryeministri i njeh mirë specifikat dhe nevojat e shkollës së artit”

 Vetë Kryeministri ynë, z. Edi Rama ka zgjedhur pikërisht Liceun Artistik për t’u uruar 7 Marsin mësuesve. Edhe ai e ka premtuar këtë gjë, që ndryshe do të trajtohet shkolla e artit. A ka ndonjë gjë konkrete, duke iu referuar edhe marrëdhënieve që ju keni me institucionet shtetërore?

Mua më erdhi mirë, së pari, që Kryeministri ka shkuar pikërisht në shkollën e artit për të bërë urimin e tij për mësuesit. Në fund të fundit, Kryeministri i përket një shkolle arti dhe pa dyshim më vjen mirë për këtë gjë. Së dyti, në deklaratën që Kryeministri ka bërë, unë nuk kam detaje të imta për ta zbërthyer, por mund të them që shumë gjëra janë pikërisht në atë logjikë që mendoj se folëm së bashku, sepse Kryeministri e njeh mirë shkollën e artit, jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe më tej. Dhe pa dyshim që në orientimet e tij do të jetë edhe fakti që një shkollë arti do të shikohet me të veçantat e saj, do të shikohet me prioritetet që ajo ka, do të shikohet në standardet që ofron dhe në mundësitë reale që duhet t’i japim studentëve për t’i shpërfaqur ata sa më mirë. Mendoj se një nga momentet e rëndësishme, përveç organizimit të shkollës, do të jetë dhe financimi për të cilën folëm pak më parë, pasi financimi është një pikë shumë e rëndësishme që ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së shkollës. Por jo vetëm kjo, ka shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e cilësisë, që nga kandidatët që na vijnë në universitet, sepse Kryeministri ka vajtur në një shkollë të mesme. Në fakt një problem i Universitetit të Arteve, në përgjithësi, ka qenë përballja me kandidatët që na vijnë nga shkolla e mesme. Pra, nëse bëhet një reformë dhe shikohet me një tjetër sy, pikërisht, arsimi i mesëm artistik, pa dyshim që gjithçka do të ndikojë edhe në prurjet e Universitetit të Arteve.