Teksti shkollor, veç Gjuhës dhe Historisë Shqipe, të tjerat të përkthyera

528
Sigal

Projektligji për arsimin parauniversitar/ Hiqet komisioni i vlerësimit, mësuesit rekrutohen me konkurs

Unifikimi i librit shkollor, duke hequr në këtë mënyrë Altertekstin, si dhe futjen e procedurës së konkurrimit për punësimin e mësuesve, duke hequr komisionin e vlerësimit, janë dy nga risitë dhe ndryshimet thelbësore që propozon projektligji për arsimin parauniversitar. Projektligji i qeverisë për arsimin parauniversitar propozon edhe ndryshime në përkufizime të kornizës kurrikulare, kompetencave themelore, qëllimin e arsimit parauniversitar apo strukturën e arsimit bazë. Përmbajtja e kornizës kurrikulare, sipas relacionit të qeverisë, duhet të pasqyrohet edhe në ligj, kur pjesë të saj janë pjesë të rëndësishme të ligjit dhe sjellin nevojën për të sugjeruar ndryshime në disa nene të caktuara të këtij ligji. Konkretisht, në projektligj janë propozuar ndryshimet në nenin 2, pikat 8, 10, 12 dhe 19, të cilat propozohet të ndryshohen, me qëllim hartimin dhe zbatimin e kurrikulës së re. Ndryshimi i propozuar në nenin 3, lidhet me rikonceptimin e qëllimit të ligjit, për arsye se sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim krijimin e kushteve dhe mundësive që nxënësit të ndërtojnë dhe të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera që kërkon shoqëria demokratike, të zhvillohen në mënyrë të pavarur e të gjithanshme, të kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëqenien vetjake dhe të shoqërisë shqiptare e të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës. Projektligji parashikon rikonceptimin e nenit 13 lidhur me kompetencat themelore për nxënësit. Kjo, sipas relacionit të qeverisë, për arsye se, sot dija konsiderohet kapitali më i rëndësishëm për të gjeneruar ide të reja dhe për të arritur mirëqenie vetjake e shoqërore.

 Struktura e arsimit parauniversitar të ngelet 5+4+3

Sipas ligjit aktual, struktura e sistemit arsimor parauniversitar pas vitit 2015 do të ishte 6+3+3. Ndërkaq, përvoja, sipas relacionit, tregon se kompetencat profesionale të mësuesve të shkollave tona fillore nuk janë në nivelin e duhur. Kjo ka vështirësuar zhvillimin e mësimit në disa lëndë të cilat realizohen nga mësues të arsimit të mesëm të ulët. Propozimi është ruajtja e strukturës 5+4+3, e cila reflektohet në ndryshimin që i bëhet nenit 22, pika 2, të ligjit aktual. Skema e propozuar kushtëzohet nga niveli i kompetencave profesionale të mësuesve tanë që punojnë në arsimin fillor.

 Zhduket Alterteksti

Një nga propozimet më sensitive të këtij projektligji është rikonceptimi i nenit 47, i cili lidhet me tekstin shkollor. Ndryshimet e propozuara janë konceptuar në mbështetje të parimeve të tilla si: parimi i barazisë, transparencës dhe konkurrencës së lirë. Sipas relacionit, reforma e “Altertekstit”, e zbatuar deri më tani, krijoi situata të tilla, që nxënësit në shkolla të ndryshme, edhe pse në të njëjtën klasë dhe për të njëjtën lëndë, të përdornin tekste shkollore të ndryshme. Nga diskutimet dhe dëgjesat publike të organizuara nga MAS-i, me mësues dhe prindër të nxënësve, lidhur me tekstet shkollore, është ngritur shqetësimi se larmia e teksteve shkollore nuk mundëson realizimin cilësor të programeve lëndore dhe, për pasojë, teksti shkollor i ofruar sipas sistemit të “Altertekstit” nuk ka arritur të jetë një faktor që mbështet zhvillimin e nxënësit dhe arritjen e potencialit intelektual të tij. Gjithashtu, në mendimet dhe konsideratat e mësuesve, sipas relacionit, raportohet se tekstet shkollore të ofruara nga ky sistem nuk përfaqësojnë të njëjtën cilësi, në pikëpamjen pedagogjiko-shkencore, nga njëra alternativë në tjetrën. Kjo do të thotë që nxënësve, në shkolla dhe zona të ndryshme të vendit, nuk u sigurohet e njëjta cilësi e tekstit shkollor, duke u krijuar atyre pabarazi dhe disavantazhe që ndikojnë negativisht në cilësinë e shërbimit arsimor dhe që janë në kundërshtim me detyrimin ligjor të institucioneve përgjegjëse për të ofruar shërbim arsimor cilësor. Në këtë kontekst, teksti shkollor do të përzgjidhet nëpërmjet konkurrimit të barabartë, transparent dhe të bazuar në standardet dhe procedurat e përcaktuara me udhëzim të ministrit. “Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në projektligjin e ri. Risi e ndryshimeve të propozuara, është fakti që tekstet për nxënësit do të jenë të unifikuara. “Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendas ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria” thuhet në projektligj.

Në këtë kuptim, në të gjitha institucionet shkollore të sistemit parauniversitar, tekstet e nxënësve, të konceptuara për lëndë dhe/ose fushë të të nxënit, sipas klasave, do të jenë të njëjtë, ndryshe nga larmia e teksteve që gjenden aktualisht brenda së njëjtës klasë dhe për të njëjtin titull. Ndryshimi ligjor që propozohet dhe aktet nënligjore që do të miratohen në zbatim të këtyre ndryshimeve, do të mundësojnë, sipas relacionit të qeverisë, që sistemi i përzgjedhjes së teksteve të mos gjenerojë disa tekste të mira ose relativisht të mira, por të identifikojë tekstin më të mirë shkollor dhe të mundësojë përdorimin e tij nga nxënësit. Në këtë këndvështrim, nxënësve, ndryshe nga deri tani, do t’u sigurohet e njëjta cilësi e teksteve shkollore, pavarësisht shkollës dhe zonës ku ata e përfitojnë shërbimin arsimor.

Botuesit do të vijojnë të jenë përgjegjës për sigurimin dhe furnizimin e shkollave me tekste. Tekstet do jenë të certifikuara nga ministria. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara. Çmimet e shitjes së teksteve shkollore vendosen në tekste nga botuesit dhe vlerësohen nga ministria në procesin e certifikimit.

 Medalja e Artë për të shkëlqyerit

Në projektligj propozohet ndryshimi i organit kompetent që do të angazhohet në dhënien e medaljes së artë nxënësve të shkëlqyer në vite, si dhe ndryshimi i procedurës që do të realizohet për dhënien e saj, të cilat pasqyrohen përmes riformulimit të nenit 53 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012: “Nxënësve të shkëlqyer në vite, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, u jepet “Medalje e Artë” nga Kryeministri me propozimin e ministrit”, i cili mundëson zbatimin efektiv të dhënies së saj.

 Vlerësimi dhe konkurrimi i mësuesve

“1. Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur. Procedurat e konkurrimit dhe vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”, propozon projektligji. Ndryshimi i propozuar është pika 1, e nenit 60, të ligjit aktual, duke hequr komisionin e vlerësimit nga ligji për arsye se ky komision, nga eksperienca e deritanishme, nuk ka funksionuar si duhet dhe, si pasojë, ka sjellë mosrealizimin e procedurave të konkurrimit për mësuesit dhe vonesa në plotësimin e vendeve vakante. Duke qenë se këto pozicione pune janë shumë të ndjeshme, për shkak të mësimdhënies, grafikut të përditshëm të punës etj., procedurat e konstituimit të komisionit të vlerësimit dhe procedura e konkurrimit dhe vlerësimit të mësuesve do të përcaktohen me udhëzim të ministrit. Pika 3, e nenit 60, të ligjit aktual, që lidhet me procedurën e largimit të mësuesit nga drejtori i shkollës, pas konsultimit me komisionin e vlerësimit, sipas relacionit, është vlerësuar se duhet të shfuqizohet, pasi gjatë punës së përditshme në institucionet publike të arsimit parauniversitar janë vënë re vonesa edhe në zhvillimin e procedurave të largimit nga puna të mësuesit, sepse komisioni për vlerësim krijonte vështirësi në këto procedime. Për të shmangur këto vështirësi, është konsideruar e nevojshme të propozohet shfuqizimi i pikës 3, të nenit 60.