Të shkrihet Universiteti i Mjekësisë, vjedh studentët, për të paguar administratën

148

Eskluzive/Relacioni i Universitetit të Tiranës, kundërshton propozimin për krijimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore

Skandalet e njëpasnjëshme që kanë shoqëruar ekzistencën e Universitetit të Mjekësisë, i krijuar me një vendim të qeverisë “Berisha” në janar të këtij viti, është bërë pjesë e një debati në qarqet akademike, politike, gjyqësore dhe mediatike. Shkrirja e këtij universiteti vjen si një domosdoshmëri, pasi kostoja e mbajtjes së kësaj strukture politike, është shumë e lartë. Vetë, Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi me shefat e QSUT-së, ka deklaruar se brenda muajit tetor, ministri i Shëndetësisë do të mbledhë ekspertët më të mirë të kësaj fushe, ku do të diskutojnë për fatin e këtij universiteti. “Do të mblidhemi për të diskutuar mbi ekzistencën e universitetit të Mjekësisë. Pasi duhet të jemi të sinqertë që ai nuk mund të funksionojë më si një shtojcë politike, ashtu siç u hap. Nëse vendosim që ky universitet do të funksionojë, atëherë duhet të përcaktojmë modalitet si si duhet të rritet dhe fuqizohet, por kështu siç është, ai nuk mund të funksionojë”, – ka deklaruar Edi Rama. Gjithashtu, Dekani i Mjekësisë, Bajram Hysa ka kërkuar që ky universitet të mbyllet. “Ky projekt është i dështuar që në fillim dhe universiteti i Mjekësisë, e ka nisur rrugëtimin e tij me shumë borxhe. Aktualisht jemi në një fazë ku fondet tona dhe të pagave të pedagogëve janë përdorur për universitetin. Ai dështoi që në fillim dhe nuk mund të vazhdojë më tej”, – ka deklaruar dekani i Mjekësisë, Bajram Hysa. Gjithashtu skandali i zbardhur nga gazeta “Telegraf” për miliardat e lekëve të grabitura në mënyrë të paligjshme studentëve të universitetit të mjekësisë, të cilët duhet të paguajnë me urdhër të Rektores Jera Kruja (jo e votuar, por e zgjedhur me një vendim qeverie), 2 herë brenda një viti akademik, tarifat e shkollimit, tregon dhe një herë krizën e thellë dhe absurditetin e egzistencës së Universitetit të Mjekësisë. Gazeta “Telegraf” zbulon sot për lexuesin e saj, relacionin e Universitetit të Tiranës rreth propozimit për krijimin e Universitetit të Mjekësisë, ku grupi i punës, i ngritur për këtë qëllim, arrin në konkluzionin se Universiteti i Tiranës ofron performancën dhe tërë garancitë, përfshirë ato akademike, administrative, shkencore dhe financiare për realizimin e funksioneve të fakultetit të Mjekësisë dhe të Shkencave Mjekësore Teknike në përbërje të Universitetit të Tiranës dhe jo në kuadër të Universitetit të Shkencave Mjekësore. Kjo tregon edhe një herë se ky universitet është ngritur në një boshllëk, në një terren të pastudiuar dhe në kundërshtim edhe me Ligjin për Arsimin e Lartë. Kështu, në zbatim të shkresës së Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nr. 6557 dt. 03/12/2012 “Mbi propozimin për krijimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore”, dhe nenit 25, pika 14 e Statutit të Universitetit të Tiranës, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule me urdhër Nr. 11 dt. 05/12/2012 ngriti një grup pune për përgatitjen e relacionit në lidhje me funksionimin e edukimit mjekësor sipas përvojave më të mira europiane dhe amerikane, me kryetar Prof. As. Dr. Edmond Rapti, Zv/Rektor i Universitetit të Tiranës. Sipas këtij relacioni, grupi i punës kishte dy nëngrupe, ku një nëngrup përbëhej me profesorë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe nëngrupi tjetër përbëhej me profesorë nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Nga analiza krahasuese dhe idetë që dhanë grupet e punës, vërehen këto mendime:

Grupi i punës i Fakultetit të Mjekësisë

Konteksti historik

Në kontekstin historik, kuptimi i termit universitet rrjedh nga termi latin “universitas magistrorum et scholarium”. Ky term në kuptimin e përgjithshëm është gjithëpërfshirës, sepse nënkupton një institucion gjithëpërfshirës  me një komunitet pedagogësh dhe studentësh që studiojnë në fusha të ndryshme të shkencës. Kuptimi i termit “universitet” materializohet dhe në historinë e Universitetit të Tiranës. Universiteti i Tiranës, si universiteti më i madh dhe më i vjetër në Shqipëri, mbart traditën dhe historinë e zhvillimit të dijes, të emancipimit të brezave dhe transmetimit të më së mirës për të krijuar qytetarë të denjë të shoqërisë, madje dhe të historisë së lëvizjeve për demokraci në Shqipëri. Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 si materializim në praktikë i kuptimit që ka termi universitet, si rezultat i bashkimit të integruar të instituteve të larta arsimore që funksiononin në atë kohë. Ndër institutet themeluese të Universitetit të Tiranës ishte dhe Instituti Mjekësor, i hapur në vitin 1952, kryesisht si një shkollë e lartë që përgatiste mjekë. Nga pikëpamja historike, tendenca për ndarje të këtij fakulteti nga Universiteti i Tiranës çon përsëri drejt situatës fillestare në formimin e një shkolle të lartë tekniko-profesionale, larg konceptit të universitetit.

Autonomia Institucionale

Pikëpamja e shprehur se, me formimin e Universitetit Mjekësor rritet autonomia mësimore, shkencore e financiare e Fakultetit të Mjekësisë, është e diskutueshme për disa arsye:

Së pari, Institucionet universitare bazohen në autonominë e tyre institucionale të sanksionuar me ligj. Ato janë larg çdo ndikimi politik, etnik apo fetar, ndikim ky i sanksionuar qysh me funksionimin e Universitetit të Bolonjës rreth 900 vjet më parë dhe i materializuar edhe në Ligjin e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Pra, nga pikëpamja institucionale, shkalla e lirisë së realizimit të autonomisë institucionale mbi veprimtarinë mësimore, shkencore e financiare të fakulteteve është e njëjtë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë shqiptar, pra si në UT ashtu dhe në institucionet e reja të arsimit të lartë që mund të hapen, pjesë e të cilave mund të jetë edhe Universiteti Mjekësor. Shkalla e njëjtë e autonomisë së fakulteteve rregullohet nga të njëjtat akte ligjore e nënligjore që janë në fuqi.

Së dyti, vetë Fakulteti i Mjekësisë do të gëzojë të njëjtën shkallë autonomie në veprimtarinë e tij mësimore, shkencore e financiare si në rastin, kur ai është një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës ashtu dhe në rastin kur është një nga fakultetet që do të përbënte Universitetin Mjekësor. Në të dyja rastet do të veprojë duke u bazuar në të njëjtën kornizë ligjore për problemin e autonomisë së fakultetit.

Së treti, të ardhurat financiare të Fakultetit të Mjekësisë në kuadër të Universitetit Mjekësor do të jenë më të vogla në krahasim me të ardhurat që fakulteti i Mjekësisë ka sot në kuadër të Universitetit të Tiranës. Kjo, pasi Fakulteti i Mjekësisë me kosto të lartë funksionimi, përdor dhe fonde të Universitetit të Tiranës.

Së katërti, në asnjë rast deri tani, Fakulteti i Mjekësisë, nga qenia pjesë e Universitetit të Tiranës, jo vetëm nuk ka pasur pengesa apo bllokime të nismave për fuqizimin e bashkëpunimit të tij me shkollat homologe jashtë vendit apo për rritjen e veprimtarisë së tij kërkimore e shkencore, gjenerimin e projekteve në nivel kombëtar, etj (gjithnjë bazuar në aktet dhe ligjet në fuqi), por ka qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve të veçanta në kuadër të UT si dhe në përbërje të programeve të integruara të fakulteteve të tjera të UT.

Së pesti, aplikimi i autonomisë mësimore, shkencore e financiare që ka zbatuar Universiteti i Tiranës kundrejt fakulteteve që janë pjesë përbërëse e tij, përfshirë FM, ka pasur gjithnjë në fokus  inkurajimin për zbatimin e plotë të autonomisë së veprimtarisë së fakulteteve duke tentuar t’u  krijojë atyre të gjitha lehtësitë për të siguruar zhvillimin e tyre institucional për fuqizimin e veprimtarisë  së tyre mësimore, shkencore e financiare.

Përvoja europiane

Referuar sistemeve universitare europiane, rezulton se sot janë 2611 Universitete Europiane të akredituara. Ndërsa universitete mjekësore të akredituara janë vetëm 53 prej tyre, pra vetëm 2% e këtyre universiteteve të akredituar. Eksperiencat që shfaqin sot universitetet mjekësore në Europë, tregojnë për ekzistencën e një numri të vogël Universitetesh mjekësore, në krahasim me numrin e madh të universiteteve europiane që kanë në përbërje të tyre edhe fakultetin e mjekësisë. Eksperienca e formimit të Universiteteve Mjekësorë është kryesisht një ekperiencë e Europës Lindore materializuar me hapjen e disa universiteteve mjekësore në Rusi, Bjellorusi, Ukrainë, Poloni, Rumani, Bullgari etj. Universitete mjekësore u hapën kryesisht në ish vendet e Bashkimit Sovjetik si dhe në disa ish vende të bllokut socialist. Ato universitete u hapën  në konceptin e një shkolle të lartë profesionale. Prej tyre, siç përmendëm më lart, sot ka vetëm 53 universitete mjekësor të akredituar në Europë. Ndërsa eksperienca perëndimore e hapjes së universiteteve mjekësorë përfaqësohet nga Austria. Reforma federale e ndërmarrë në Austri në vitin 2004, inicioi hapjen e tre Universiteteve mjekësore. Të dhënat tregojnë se impakti që dha ky model nuk është pozitiv. Universitetet  mjekësor  kanë pësuar rënie nga 150-200 vende në rankimin e përgjithshëm të universiteteve, krahasuar me kohën kur ato konkurronin si fakultete të inkorporuara në kuadrin e universiteteve mëmë. Edhe eksperienca hungareze gjithashtu tregon se nga 4 universitete mjekësor të trashëguar nga koha e ish Bashkimit sovjetik, sot ka vetëm një universitet mjekësor dhe 3 universitetet  e tjera janë kthyer në fakultete mjekësie si pjesë e universiteteve.

Rezultatet akademike 

Rankimi i shkollave mjekësore  tregon përsëri një dukuri në favor të universiteteve që kanë si pjesë të tyre edhe fakultetin e Mjekësisë. Asnjë universitet mjekësor nuk figuron në 200 vendet e para të rankimit të Universiteteve në Europë. Madje shumica e universiteteve mjekësor janë në rankim edhe më poshtë se universiteti i Tiranës.

Menaxhimi 

Aktualisht, Sistemi i Arsimit të lartë në Shqipëri dhe Universiteti i Tiranës në veçanti, ka përshtatur gjithë kurrikulat e tij me rreth 250 programe të të tre cikleve të studimit, përfshirë edhe nga Fakulteti i Mjekësisë, sipas modelit të Bolonjës. Mbi këtë bazë ligjore kurrikulat universitare në Republikën e Shqipërisë kanë marrë në konsideratë integrimin ndërdisiplinor, mbi bazën e së cilës funksionojnë modulet e integruar të kurrikulave tona universitare, duke ulur numrin e detyrimeve universitare sipas rekomandimeve të Bolonjës. Këtij orientimi i është përmbajtur dhe plani mësimor i kurrikulave të Fakultetit të Mjekësisë. Në vazhdimësi bëhen përpjekje për arritje gjithnjë e më të mira për tërë programet që ofron Universiteti i Tiranës, përfshirë këtu dhe ato të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Mjekësore e Teknike. Nga analiza e ngarkesës pedagogjike të programeve të Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë, Farmacisë dhe Shëndeti Publik, të marra së bashku, rezulton se rreth 20% e kësaj ngarkese është e lëndëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Fakultetit të Shkencave Sociale, Gjuhëve të Huaja dhe të Departamentit të Kulturës Sportive. Kjo ngarkesë zhvillohet nga pedagogët e këtyre fakulteteve. Bazuar në ngarkesën pedagogjike aktuale, Fakulteti i Mjekësisë ka 8360 orë (18  lëndë) që zhvillohen nga pedagogët e Shkencave të Natyrës. Kjo ngarkesë, krahasuar me ngarkesën totale të orëve të Fakultetit të Mjekësisë që është 57 282, kërrkon për tu mbuluar rreth 32 pedagogë të brendshëm dhe 56 të jashtëm. Po ashtu, do të duhet dhe një numër i konsiderueshëm pedagogësh që mbulojnë lëndët e tjera jo mjekësore si më lartë cituar. Vetë strategjia e UT që prej themelimit të saj, ka parashikuar kualifikimin e pedagogëve të fakulteteve të shkencave ekzakte, si të FSHN dhe fakulteteve të tjera për të mbuluar ngarkesën pedagogjike jo vetëm në fakultetet e tyre të origjinës, por dhe në ato fakultete që kanë në kurrikulat e tyre lëndë të formimit të shkencave, gjuhëve të huaja, informatikës, shkencave sociale, sporteve etj. Në këto kushte, ideja e ndarjes së FM nga këto fakultete që janë pjesë të UT, përveç të tjerave do të krijonte problemin e madh që në themelim, atë të mungesës së pedagogëve të këtyre lëndëve. Madje për përgatitjen e këtyre pedagogëve, do të duheshin të paktën 10 vjet, ndërkohë që për mësimin në këto lëndë nuk thotë askush se nga kush dhe si do të zhvillohet. Po ashtu lëndët e shkencave të natyrës nuk mund të zhvillohen pa laboratore. Ngritja e tyre do të kërkonte fonde të shumta. Me sa dimë, FM nuk ka gjendje fonde të lira dhe nuk ka planifikuar për vitin 2013 e në vazhdim investime në ngritjen e laboratoreve të lëndëve të sipërpërmendura. Shfrytëzimi i përqendruar i këtyre laboratoreve, pronë e fakultetit të Shkencave të natyrës, prej 60 vjetësh e ka provuar epërsinë kosto/efektivitet/cilësi.  Aktualisht Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka vënë në dispozicion të Fakultetit të Mjekësisë 2 laboratore të Departamentit të Biologjisë, 1 laborator të Departamentit të Fizikës, 1 laborator të Departamentit të Kimisë Industriale dhe 2 laboratore të departamentit të Kimisë. Një problematikë tjetër me rëndësi është ajo që lidhet me Departamentin e Farmacisë. Ky departament ka aktualisht 9 pedagogë, nga të cilët 3 Prof. As dhe një Prof. Dr. në prag pensioni. Siç mund të kuptohet, nuk plotësohet asnjë standart akademik për shndërrimin e këtij departamenti në Fakultet. Por dhe nëse do të pranohej varianti që ky departament të bashkohej me FM, në kuadër të UM, atëherë do të lindte një problem tjetër. Siç dihet, Departamenti i Farmacisë ka lëvizur disa herë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës tek ai i Mjekësisë e anasjelltas që nga themelimi. Referuar ngarkesës kurrikulare të këtij Departamenti, vetëm 20% e ngarkesës së kësaj kurrikule është ngarkesë mjekësore. Pjesa tjetër prej 80% është ngarkesë kryesisht e lëndëve të shkencave të natyrës. Mbi këtë bazë, nëse do të pranohej lëvizja e propozuar, Departamenti do të duhej të bashkohej me Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe jo me Fakultetin e Mjekësisë. Aktualisht ky departament është bashkuar me FM me logjikën e trajtimit të të sëmurit, pra për periudhën pas mbarimit të studimeve nga studentët e këtij programi dhe jo për periudhën e përgatitjes universitare të tyre, që do ti bashkonte me Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Grupi i punës i Fakultetit të shkencave mjekësore teknike

Përvoja europiane

Universitetet mjekësor që kanë brenda fakultetin e mjekësisë dhe infermierisë, sot ka vetëm në pak vende të Europës dhe numri i tyre është shumë i ulët, vetëm dy, në krahasim me numrin e universiteteve që janë në Europë. Arsyeja madhore e krijimit të këtyre universiteteve mjekësor ka qenë tendenca për vetëmenaxhimin dhe gjenerimin e fondeve për ecurinë e mëtejshme në kërkimet shkencore, gjë e cila nuk rezulton të jetë e suksesshme dhe që për praktikën e qendrës tonë universitare duket të jetë shumë e largët.

Autonomia institucionale

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike mendon se qenia e tij në kuadër të Universitetit të Tiranës është e sukseshme sepse: Ky model ka qenë tepër i favorshëm nga pikëpamja e aplikimit të autonomisë institucionale të fakultetit, për faktin se brenda disa vitesh janë bërë ndryshime thelbësore, duke filluar që nga shumëfishimi i numrit të studentëve, shtimi i numrit të programeve të studimit, e deri tek modernizimi i ambienteve të brendshme të fakultetit. Qenia e fakultetit të shkencave mjekësore teknike, nën varësinë e Universitetit të Tiranës, ka rritur dhe rrit më tej bashkëpunimin e vazhdueshëm edhe me fakultetet e tjera që ndihmojnë në realizimin e programeve të studimit në këtë fakultet si dhe zbatimin e projekteve shkencore, bashkëpunim që deri tani rezulton i suksesshëm. Eksperienca pozitive e deritanishme e UT mbi funksionimin dhe menaxhimin e zbatimit të autonomisë së fakulteteve, i ka krijuar të gjitha kushtet fakultetit të shkencave mjekësore teknike për të pasur një bashkëpunim efektiv si me shkollat e huaja ndërkombëtare ashtu dhe me shkollat e larta të infermierisë që janë në sistemin universitar shqiptar, duke siguruar burimet financiare për zhvillimin e kërkimit shkencor, veprimtarisë mësimore si dhe sigurimin e fondeve për zhvillimin e ambientit fizik të fakultetit. Shkëputja nga Universiteti i Tiranës do të thotë shkëputje nga kjo eksperiencë pozitive e menaxhimit të autonomisë universitare duke rrezikuar që të ndikojë negativisht në punën e përditshme të personelit akademik. Shkëputja nga Universiteti i Tiranës mund të sjellë për fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike më pak gjenerim të ardhurash, fakt që do nënkuptonte më pak investime për kërkimin shkencor, për pajisjen e laboratorëve, pse jo dhe për pagesat e orëve të pedagogëve.

Menaxhimi

Nëse nga njëra anë mendohet se bashkimi i fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike me fakultetin e Mjekësisë në një universitet mjekësor do të harmonizojë procesin e diagnostifikimit mjekësor me menaxhimin spitalor, nga ana tjetër do të shikojmë se kjo do të sjellë edhe shumë disavantazhe për sa i përket organizimit dhe menaxhimit të brendshëm universitar. Ecuria pozitive e funksionimit dhe menaxhimit të fakultetit në siglën e Universitetit të Tiranës do të thotë se modeli në të cilin gjendemi është shumë i dobishëm dhe i ngjashëm me përvojat më të mira europiane.

Rezulatet akademike

Nga hulumtimi i të dhënave dhe statistikave mbi funksionimin dhe menaxhimin e fakulteteve të Shkencave Mjekësore Teknike, vihet re se modelet më të suksesshme janë ato fakultete që janë pjesë e universiteteve, praktikë kjo e aplikuar edhe në Universitetin e Tiranës. Kështu mund të përmendim si model të suksesshëm për menaxhimin dhe funksionimin e fakulteteve të Infermierisë modelin e disa universiteteve ndër më të mirët në Europë si Universiteti Mariborit që renditet ndër 15 universitete më të mira të Europës Qendrore dhe Lindore (sipas Ranking Web of World Universities), Universiteti Tampere-Finlandë, themeluar më 1925, Universiteti La Sapienza-Itali, me mbi 700 vjet histori dhe me 140 mijë studentë dhe që renditet ndër vendet e para në rankimin europian, Universiteti i Zaragozës-Spanjë themeluar në 1542, një ndër universitetet më të vjetra në Spanjë me mbi 40,000 studentë, Universiteti i Finlandës Lindore, Universiteti i Edinburghut (Skoci) themeluar më 1583 me mbi 30000 studentë, Universiteti Lubjanës, Universiteti Barcelonës, Universiteti Brukselit etj. Duke u bazuar në analizën e këtyre faktorëve mund të themi se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike do të vuante  më shumë pasojat e ndarjes nga Universiteti i Tiranës. Kalimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore nga një fakultet që është pjesë e Universitetit të Tiranës në një Fakultet të Shkencave Mjekësore, pjesë e Universitetit Mjekësor, mendojmë se nuk është eficent për ecurinë e mëtejshme të këtij fakulteti.