Tarifat e regjistrimit për universitetet me konkurse dhe datat

752
Sigal

Dega e Arkitekturës ka tarifën më të shtrenjtë të regjistrimit për konkursin, 8 mijë lekë. Sipas një udhëzimi të ministrisë së Arsimit për të konkurruar në ndonjë nga degët e Universitetit të Sporteve të Tiranës, apo dhe në degë të tjera të Akademisë së Arteve, tarifa është 5 mijë lekë. Ndërsa më lirë është programi i edukimit fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, vetëm 4 mijë lekë. Pesha e konkursit do të zërë rreth 70 për qind të vlerësimit dhe 30 për qind do e zënë provimet e maturës dhe mesatarja e kandidatit. Fillimisht bëhet regjistrimi sipas afateve të caktuara, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në Universitetin e Sporteve do të zhvillohet konkursi nga data 29 në 31 gusht. Në Universitetin e Arteve të Bukura konkursi do të zhvillohet nga 27 gushti në një shtator. Po ashtu, në Universitetin Politeknik, konkursi i Degës së Arkitekturës do të zhvillohet nga data 3 deri në 5 shtator. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë sqaruar se, pas mbylljes së konkurseve, do të nisin procedurat për llogaritjen e pikëve. Në rastin e maturantëve që do t’i nënshtrohen konkursit, si në Arkitekturë apo në Akademinë e Arteve të Bukura, fituesit shpallen duke llogaritur 60 për qind të rezultatit në konkurs dhe 40 për qind e vlerësimit i referohet provimeve të Maturës Shtetërore.

Universiteti Politeknik i Tiranës

Dega

Arkitekturë

Arkitekturë urbanist

Datat

03.09 2012 -05.09.2012

Universiteti i Arteve të Bukura

Fakulteti i Muzikës

Fakulteti i Artit Skenik

Fakulteti i Arteve Figurative

Datat

27.08.2012-01.09.2012

Universiteti i Sporteve

Shkenca e lëvizjes

Veprimtaria fizike

Datat

29.08.2012- 31.08.2012

PËRZGJEDHJA E FITUESVE/Listat u dërgohen universiteteve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës  

 

Dekanët e Fakulteteve: Nuk kemi hapësirë për përzgjedhjen e studentëve

Që nga viti 2006 praktika e pranimeve në universitetet publike në Shqipëri ka ndryshuar, duke u kthyer në sistemin meritë-preferencë që jemi aktualisht. Kalimi në sistemin meritë-preferencë i ka minimizuar universiteteve hapësirën për të përzgjedhur kontingjentin e studentëve që ata do të marrin për vitin e ri akademik. Në sistemin aktual peshën më të madhe për të mos thënë të tërë peshën e ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës në përzgjedhjen e kontingjenteve që do të shkojnë në universitete. Por një gjë e tillë ka çuar në “mënjanimin” e universiteteve dhe kjo nga dekanët e universiteteve nuk shihet si një gjë pozitive. Për këtë arsye ata kanë shtruar idenë e përmirësimit të skemës aktuale dhe ti jepet më shumë rëndësi edhe universiteteve në përzgjedhjen e studentëve të rinj. Duke folur për “Telegraf”, Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Altin Shegani dhe Dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave Prof. Përparim Hoxha, kanë kërkuar që t’u lihet më shumë hapësirë universiteteve në përzgjedhjen e studentëve. Sipas tyre mënjanimi i universiteteve nga përzgjedhja e kontingjenteve të studentëve nuk është diçka pozitive dhe për këtë arsye duhen marrë masa për përmirësimin e sistemit me qëllim dhënien e hapësirave të duhura universiteteve.

FLASIN PER “TELEGRAF”

Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Altin Shegani

Po ka pasur një diskutim disa kohë më parë në lidhje me konkurset në universitete. Por ne si Fakultet i Drejtësisë nuk jemi me idenë që të kthehen më konkurset siç kanë qenë më parë. Ne jemi për këtë skemë që ekziston, por kjo skemë mund të përmirësohet. Mund të bëhet me parametra më të mirë, pasi gjërat vijnë në përmirësim dhe çdo gjë që është e mirë mund të bëhet edhe më e mirë nga sa është. Këtë kam parasysh kur thash edhe më lart që mund të bëhen përmirësime në skemën aktuale. Ne nuk mund të vendosim kriteret, por edhe nëse do të na jepej kjo mundësi prapë mund të kishte vend për abuzime, sepse ka maturantë që mund të vijnë me rezultate fiktive nga shkolla e mesme. Pra kjo është një rast kur mund të abuzohet edhe pse mund të jenë vendosur kriteret. Pastaj ka gjimnaze në Tiranë që nuk mund të krahasohen fare më një gjimnaz që është në jugë të Shqipërisë apo në veri të Shqipërisë.

Dekan i Fakultetit të Gjeologji-Minierave Përparim Hoxha

Skema e viteve të fundit është e tillë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar të gjitha kriteret e përzgjedhjes sipas sistemit meritë-preferencë. Pastaj u dërgon universiteteve listën me kontingjentet fitues që do të ndjekin studimet. Pas kësaj në fazën e dytë fillojnë lëvizjet, pasi dihet që jo  të gjithë kanë fituar në degën që dëshirojnë dhe këtu fillojnë lëvizjet. Koha që i lihet fakulteteve është deri diku e justifikuar besoj unë sepse është më e vështirë për t’u menaxhuar nga universitetet. Ajo që unë doja të thoja është që duhet t’i lihet më shumë hapësirë universiteteve në përzgjedhjen e kontingjentit të kishte dhe ai rolin e tij në studentët që do të marrin. Problemi është mëse i saktësuar, në ligjin e arsimit të lartë të drejtën e ka ministria e arsimit. Ligji thotë që të drejtë ka universiteti, por atë e përcakton ministria nëpërmjet agjencisë dhe universiteteve u dërgohen listat me fituesit. Mua nuk më duket normale që universiteti të përjashtohet nga mundësia e përzgjedhjes së studentëve. E vetmja hapësirë që u është lënë universiteteve është që ndihmon apo konsulton ministrinë në përcaktimin e pikëve për degët dhe provimet.

 

 

Kur u vendos sistemi meritë-preferencë?

Matura Shtetërore, që u realizua për herë të parë në vitin 2006, pati si mision të saj eliminimin e korrupsionit në pranimet e të rinjve në universitetet publike. Për të eliminuar këtë problem, Bit-Albania sh.p.k, i propozoi MASH-it sistemin meritë-preferencë. Ai është një program kompjuterik shumë kompleks i ideuar dhe realizuar nga kjo firmë, që realizon dhe shpërndarjen automatike të maturantëve nëpër universitete, duke u mbështetur në parimin e Meritës dhe Preferencës, ose e thënë ndryshe duke u mbështetur në rezultatet e Maturës dhe dëshirat preferenciale të maturantëve për të studiuar në universitet.

 

MASH: Brenda javës dalin rezultatet e Librit të Transparencës

Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë konfirmuar për “Telegraf”, se do të shpallet Libri i Transparencës brenda kësaj jave. “Maturantët do të kenë në dorë brenda kësaj jave librin e transparencës. Pas përfundimit dhe të afatit të dytë të për plotësimin e Formularit A2, këtë javë pritet që të shpërndahen nëpër shkolla libri ku çdo maturant gjen elementët përbërës të rezultateve, mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, notat e gjimnazit, rezultatet e provimeve, preferencat e përzgjedhura” kështu kanë cituar burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në librin e transparencës do të jepet dhe totali i pikëve, në konsultim me të, dhe preferencave të tij maturanti bën një përllogaritje se në cilën prej preferencave ka më shumë shanse për të fituar.