Synimi pedagogut dhe detyrat e studentëve

1772
Sigal

“I lumtur është ai njeri, i cili fiton mendjemprehtësinë e të mësuarit që në rini, por tri herë më i lumtur është ai që ruan zellin e rinisë në moshë të kaluar”

(Dagobert Rune)

“Mendimi s´është  më pjesë e gjykimit, kur bëhet prangë e kuriozitetit”, kjo thënie, është thelbi i mënyrës së mësimdhënies. Mësimdhënia nuk është thjesht një profesion; mësimdhënia është art, në të cilin mësuesi me pasionin e tij për dijen, me integritetin dhe përgatitjen e tij arrin t’i frymëzojë studentët e vet, pasi nuk është thjesht aftësia për t’i mësuar njerëzit, por është aftësia për t’i frymëzuar ata që e bën ndryshimin midis një mësuesi të zakonshëm dhe një mësuesi të mirë. Mësuesi në klasë nuk jep vetëm njohurinë mbi subjektin, të cilën studenti e gjen edhe nëpër libra, por jep edhe atë çfarë ai është si person në vetvete, eksperiencën personale, tërësinë e vlerave dhe cilësinë e karakterit të tij. Mësimdhënia e mirë ka për kusht domosdoshmërinë për të pasur një komunikim të hapur e të lirshëm midis pedagogut e studentit, një marrëdhënie të bazuar në respekt të vërtetë e të ndërsjellë, duke krijuar një ambient në të cilin studenti nuk do të ketë ndroje të shprehë mendime, të bëjë pyetje, të sqarojë paqartësi, si dhe të ofroje nga ana e tij sa herë që të mundet plotësime e risi në dijet në fjalë, duke u ndjerë i mirëpritur, i pranuar dhe i vlerësuar nga profesori. Është çështje sedre profesionale dhe një interes parësor që studentet të kuptojnë çfarë u shpjegohet ne leksion dhe te marrin pjese ne aktivitetet qe ndodhin ne seminar. Nuk ka asnjë gjë tepër të vështirë për t’u shpjeguar; asnjë njohuri apo arsyetim nuk është tepër i komplikuar për t’u sqaruar. Nëse pedagogu ka kaluar kohë për ta hulumtuar dhe për ta kuptuar konceptin së pari vetë, atëherë asnjëherë nuk është tepër e vështirë t’ua përcjell atë koncept studentëve, në mënyrë që edhe ata ta kuptojnë. Synimi pedagogut është që studenti ta kuptojë leksionin që në klasë, duke e dëgjuar prej tij, dhe në shtëpi pastaj t’i mbetet veçse thellimi dhe pasurimi i bazave që ka marrë në klasë me detaje të mëtejshme… Është çështje dinjiteti për një arsimtar të ruajë ndershmërinë, drejtësinë në gjykim dhe vlerësimin në bazë merite. Ruajtja e dinjitetit ka aspektin e vet profesional;  besoj që asnjë intelektual, student qoftë apo arsimtar, nuk duhet të përvetësojë në ndonjë lloj mënyre pubnën e një tjetri dhe ta paraqesv atë si të vetën, pa i dhënë kredit autorit, apo të përdorë rrugë të tjera të shkurtra që nuk janë të bazuara në studim e hulumtim të vërtetë personal e në punë të ndershme shkencore. Mësimdhënia dhe studimi janë aktivitete idealiste dhe jo materialiste; në këtë këndvështrim, studenti nuk duhet të vijë në universitet thjesht për të marrë një diplomë, por për të marrë arsimim, dhe pedagogu duhet të ketë qëllime të larta në vetvete dhe ta përdorë mësimdhënien jo si mjet shkëmbimi të interesave materiale, por me një mentalitet të ndërgjegjësuar që ndikimi i tij pozitiv apo negativ jehon në brezat dhe influencon drejtpërdrejt mënyrën në të cilën mbruhet shoqëria e një kombi. Mësuesi duhet të jetë një studiues gjatë gjithë jetës së tij;  besoj që në momentin në të cilin një mësues pushon se marri informacion, pushon së lexuari material plus që e tejkalon detyrimin e vet të orës së mësimit, ai pushon së dhëni atë substancë të freskët, të padëgjuar më parë, të vërtetë, bashkëkohore, realisht të dobishme e të shijshme për mendjen e një intelektuali, që është dija e vërtetë. “Njerëzit e zgjuar vlerësojnë të gjithë njerëzit, pasi ata shohin të mirën te secili sidomos tek shkollimi dhe e dinë se sa e vështirë është të bësh diçka të mirë me anë të dijës”, ka thënë mbi këtë problem, Baltazar Graciani. Teknologjia dhe ndihma që ajo ofron në mjete për lehtësimin e punës në arsim janë thelbësore për të pasuruar studentin me dije dhe eksperiencë intelektuale. Arsimtari duhet të luajë një rol aktiv në përdorimin e mjeteve teknologjike në mësimdhënien e tij, si dhe në nxitjen e studentëve për punë të pavarur dhe drejtimin e tyre tek burimet e duhura teknologjike në ndihmë të studimit.
Qëllimi në mësimdhënie duhet të jetë i trefishtë: t’u transmetoj studentëve njohuri të sakta, të plota e të mirinformuara; t’u transmetoj atyre, megjithëse pa fjale, vlerat bazë të moralit e të karakterit dhe pasionin për dijen; t’i frymëzojë ata qe t’i çojnë përpara këto vlera në çfarëdo profesioni të ndodhen në jetën e tyre.