Studentët kundër rritjes së tarifave të studimit

70

Drafti për reformën në arsim. Reagon Këshilli Studentor i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë

Në kuadër të draftit të paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit për Reformën në Arsimin e Lartë, Këshilli Studentor i Fakultetit të Histori-Filologjisë, pasi mblodhi mendimet e senatorëve, vendosi të mbajë këto qëndrime:

– Modelit i vetëfinancimit mund të sjellë një rritje të tarifave të studimit. Duhet të gjendet një mekanizëm kontrolli nga qeveria, që do të siguronte një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik të vendit dhe tarifës së studimit universitar. Ne, studentët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, jemi kundër rritjes së tarifës së pagesës. Rritja e saj do të rëndonte së tepërmi financat modeste të familjeve tona.

-Gjykojmë se sistemi part-time duhet reformuar sipas modeleve Europiane të edukimit gjatë gjithë jetës.

-Përgjegjësia e shtetit, si rregullator, duhet të garantojë se nxënësi dhe studenti do të marrin shërbim cilësor  në institucionet e arsimit të lartë. Në këtë rast, këto institucione kanë nevojë të orientohen nga shteti. Nëse parimi bazë do të jetë se shteti planifikon një buxhet për arsimin e lartë, në formën e kuotacionit për çdo student  dhe pastaj këto lekë shkojnë aty ku vetë studenti zgjedh të arsimohet, atëherë shteti duhet të kujdeset që ta mbrojë studentin (bashkë me faturën që shkon mbas tij).  Në këtë rast, ai që mund të paguajë më shumë do të mundte të arsimohej, duke diskriminuar studentët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Besojmë se një kombinim i të dyjave do t’i shkonte përshtat sistemit të ri, pasi botërisht  dihet se, truri dhe paraja nuk shkojnë në proporcion të drejtë me njëri-tjetrin.

-Ne shprehemi kundër pagimit të tarifës për pagesën e vitit përsëritës.

-Ne jemi kundër heqjes  të së drejtës së studentëve të UT-së, për të zgjedhur drejtuesit e UT-së, në organet drejtuese dhe kolegjale, sepse kjo është një e drejtë, që studentët e gëzojnë prej disa vitesh. Kjo i shërben forcimit të modelit demokratik edhe në arsim.

-Të reformohen ciklet arsimore, degët, fakultetet dhe universitetet si shtetërore, ashtu edhe private. Kurrikulat dhe stafet akademike duhet t’i rezistojnë testit të cilësisë dhe perspektivës të së ardhmes, le të vendoset në kornizat e një sistemi të ri arsimor.

Rikthimi i një mesatareje nën të cilën nuk pranohesh në universitet do të sillte dy të mira të mëdha: Së pari, do të nxiste të rinjtë për një formim tërësor në gjimnaz për të arritur mesataren, që ju duhej për të fituar të drejtën e arsimimit të lartë. Së dyti, do të rriste cilësisht nivelin e studentëve në auditor, pasi  universiteti nuk ka nevojë për ata që vijnë nga gjimnazi me mesatare 5.

-Shteti duhet t’u ofrojë studentëve politika të mirëorientuara për sa i përket tregut të punës dhe cikleve të studimit. Kjo do të thotë, se një reformë e thellë duhet të nisë bazuar mbi një studim serioz mbi trendet e reja të tregut të punës dhe mbi ato profesione që kanë riskun e zhdukjes, studim ky i shtrirë në një hark kohor të 50 viteve të ardhshme.  Ky proces  nuk duhet  të mbyllet me identifikimin e 20 profesioneve, për të cilat tregu ka nevojë, por në raport me këto përfundime duhet të punohet me kurrikulat universitare. Kjo nënkupton se duhen hapur departamente të reja për të “prodhuar” teknikët e së ardhmes dhe duhet të reduktohen pranimet në ato degë që deri më sot kanë qenë prioritare dhe që tregu është i tejmbushur.

Duke shpresuar që mendimet tona do të merren në konsideratë, urojmë kryerjen e një reforme, që do të zgjidhte ngërçin e sotëm arsimor.

Box

“Reforma i kthen universitetet në fondacione”

Fakulteti i Historisë-Filologjisë shpreh pakënaqësitë ndaj draftit për reformën e arsimit të lartë. Këshilli i këtij fakulteti pas mbledhjes së fundit ka dalë në disa përfundime të cilat ngjajnë me disa fshikullime për Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe hartuesve të draftit. Sipas këshillit, kjo reformë kthen në fondacione universitet publike dhe private.

Në këtë qëndrim zyrtarë thuhet se “Drafti i propozuar pretendon se mbështetet në disa parime të njohura të organizimit të sistemit të lartë arsimor, por në thelb rezulton se i cenon parimet mbi të cilat mbështetet ai sistem si: autonomia, demokracia  dhe e mira publike”.

Gjithashtu, këshilli ka konstatuar se:

“Drafti reflekton varfëri informacioni për sa i përket gjendjes në arsimin e lartë. Këshilli vlerëson se drafti orientohet vetëm në problematikën e universiteteve publike, duke lënë pa e trajtuar problematikën e universiteteve private në çështje tepër të rëndësishme si: burimet e financimit, organizimi dhe funksionimi, gjendja e tyre financiare sot, raportet e këtyre universiteteve me bizneset e tjera, si dhe çfarë mendohet për të ardhmen e universiteteve që nuk do të jenë fondacione”.

Madje, këshilli shkon më tej duke thënë se “meqenëse synimi përfundimtar i kësaj reforme do të jetë shndërrimi i universiteteve publike dhe private  në fondacione, nuk bëhet asnjë analizë se si po funksionon ky model në të tria universitetet që janë tashmë fondacione. Theksojmë këtu se universitetet publike sot, as ligjërisht e as faktikisht nuk janë shtetërore për nga misioni dhe për nga pjesëmarrja publike në financimin e tyre”.

Por dhe për financimet, mënyrën se si do të funksionojë fakulteti, këshilli thotë se  raporti tashmë është përmbysur, pra, studentët me tarifat e shkollimit mbajnë peshën kryesore në buxhetin universitar, një rast ky aspak i ngjashëm me universitetet homologe publike në rajon. Sipas fakultetit Histori-Filologji “Drafti cenon rëndë autonominë e universiteteve publike nëpërmjet pushtetit absolut që i jep bordit administrativ dhe menaxherëve të varur prej tij, duke i konsideruar “si pronarë de facto” të universiteteve.

Këshilli ka bërë më pas disa rekomandime për reformimin e arsimit të lartë.

Nikolla pezullon për shpërdorim detyre Rektorin e Sporteve, Rizvanolli

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pezulluar nga detyra rektorin e Universitetit të Sporteve të Tiranës, Vejsel Rizvanolli, me motivacionin e “shpërdorimit të detyrës”. Sipas shkresës që mban datën 6 maj, shkak për këtë masë janë “shkeljet e rënda të ligjit dhe akteve nënligjore të konstatuara gjatë kryerjes së detyrës, bazuar në rekomandimet e dhëna nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”. Pas kësaj mase, ka reaguar rektori në një të përditshme, i cili fajëson Drejtorinë e Auditit që ka kryer auditimin e institucionit që ai drejtonte. Sipas tij, ai është i njëanshëm dhe me të dhëna jo të sakta. “Është bërë një auditim. Rezultatet e tij janë dhënë 5 muaj e 9 ditë pas kryerjes së auditimit, në shkelje të hapur, të rëndë dhe flagrante të procedurës ligjore të auditimit, pavarësisht rezultateve dhe konkluzioneve. E dyta është se procedura e auditimit nënkupton një fazë të rëndësishme që është ballafaqimi me observimin. Në qoftë se auditimi ka përfunduar në 20 dhjetor, ligjërisht ne pas dy javësh duhet të japim me shkrim kontestimin. Unë e kam dorëzuar më 3 janar, sipas protokollit të ministrisë. Së bashku me 6 anëtarë, profesorë, nuk kemi qenë dakord me rezultatet pjesore, pra secili për pjesën e tij. Po ashtu kemi dorëzuar edhe një kontestim të zyrës juridike të Universitetit të Sporteve. Kjo është në datën 3 janar, ndërkohë që përgjigjen e këtij kontestimi, pa bërë ballafaqimin, ne e marrim në 12 maj dhe shohim që absolutisht këto kontestime nuk janë marrë në konsideratë”, është shprehur rektori Rizvanoli