Strategjia/Në 2016-n zhduket Alterteksti, në 2017-n gjithë mësuesit me licencë

487
Sigal

Pas “testimit” alternative të shumta lë librit shkollor të dhe debateve për përmbajtjet e tyre, në 2016 pritet të shënohet fundi i Altertekstit. Ministria e Arsimit nëpërmjet Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar do të heqë alternativat e shumta të tekstit për të shkuar drejt monotekstit apo maksimumi 2 alternativave. Po sipas këtij drafti klasat e para dhe klasat e gjashta në Shqipëri dhe në Kosovë do të kenë të njëjtin tekst për vitin e ri shkollor 2015-2016. Ky është hapi i parë i Ministrisë së Arsimit për të unifikuar jo më një lëndë, por kurrikulat e dy klasave. Për këtë ka një strategji të zhvillimit të arsimit parauniversitar drafti i hartuar nga dy grupet e punës mes 2 vendeve shqipfolëse. Ky do të jetë projekt pilot dhe më pas njësimi do të vijojë për arsimi parauniversitar. Në draft parashikohen edhe ndryshimet në maturën shtetërore, administrim më i fortë në këtë proces të rëndësishëm me masa sigurie më të forta dhe në anën tjetër do të ketë ndryshime për nivelin e gjuhës së huaj që do jepet në provim.

Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave

MAS kërkon të forcojë profilin profesional të mësuesve, të drejtuesve të shkollave dhe të pedagogëve. Sipas strategjisë, për të arritur këtë duhet riparë cilësia e formimit fillestar akademik dhe pedagogjik të mësuesit, si dhe me ngritja e sistemeve të duhura për rekrutimin, përzgjedhjen, stazhin dhe zhvillimin profesional të stafit mësimor, bazuar në kompetenca të përcaktuara qartë, të nevojshme në çdo fazë të karrierës. Në strategji, ajo çka konsiderohet sfidë për arsimin parauniversitar, është zhvillimi i kapaciteteve për aftësimin e mësuesve (në aspektet shkencore dhe profesionale) dhe të drejtuesve (për udhëheqje dhe menaxhim). Në këtë aspekt, sipas draft-strategjisë, sfidë e madhe mbetet ndërtimi i kapaciteteve për zhvillimin profesional dhe ofrimi i shërbimeve. Aktualisht, edhe sipas udhëzimeve të trajtuara më lart nga “Telegraf”, kërkohet që secili mësues të ndjekë 18 orë trajnim në vit, baraz me një kredit. “Procesi i zhvillimit të kurrikulave të reja, i cili filloi në shtator 2014, kërkon përvetësimin e kuptimeve dhe të metodave të reja për ndërtimin e njohurive dhe të kompetencave. Nevojitet, së paku, dyfishimi i kapaciteteve, nëse kërkohet plotësimi i nevojave për zhvillimin profesional” thuhet në strategji. Mësuesit, gjithashtu, duhet të kenë mundësi të përditësojnë rregullisht kompetencat në fushën e risive teknologjike. Ata duhet të njohin praktikat e klasave miqësore për fëmijët dhe të marrin pjesë në programet aftësuese për kuptimin e thellë të dallimeve individuale, të mosdiskriminimit dhe të tolerancës, si mjete për të parandaluar sjelljet e dhunshme në shkolla etj..

Në këtë kontekst, në fokus të kësaj përparësie strategjike janë:

* aftësimi i mësuesve të rinj;

* hartimi dhe zbatimi i kurrikulave cilësore për zhvillimin profesional;

* krijimi i mekanizmave për t’i ndihmuar mësuesit të arrijnë standardet profesionale dhe të zbatojnë kurrikulën e re;

* licencimi i mësuesve të rinj dhe licencimi periodik i të gjithë mësuesve në shërbim.

Rezultatet e pritshme:

1. Nga viti 2015, funksionojnë kapacitetet për vlerësimin e nevojave për zhvillimin profesional.

2. Nga viti 2017, ka përfunduar licencimi i të gjithë mësuesve në sistem dhe 5% e tyre zotërojnë më shumë se një licencë.

3. Nga viti 2016, akreditohen të paktën 50 programe për zhvillimin profesional, bazuar në nevojat.