Starton plotësimi i A2, “sulmi” për 334 degët në universitetet publike

573
Sigal

Intervistë/ Kreu i AKP-së, Alfons Harizaj: 40 mijë maturantë për 30 mijë kuota. Sot e kanë fjalën maturantët e Tiranës

Sot fillon “lufta” midis maturantëve për të fituar të drejtën e studimit në një nga degët e universiteteve publike. AKP dhe MASH kanë publikuar Formularin A2, i cili mund të plotësohet nga të gjithë ata maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet universitare. “Sivjet formulari A2 do të plotësohet nga çdo maturant në mënyrë individuale, nuk është nevoja të shkojë në shkollë. Në shkollë do të shkojë, vetëm nëse nuk arrin ta plotësojë vetë individualisht, nëse ka një problem në të dhënat e veta dhe nuk di ku të drejtohet. Maturanti do ta ketë një stacion ku të drejtohet dhe stacioni është Drejtoria Arsimore Rajonale ose Zyra Arsimore, e cila ka marrë udhëzimin përkatës se si do të veprojë në këtë rast” shprehet për “Telegraf”, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, z.Alfons Harizaj. Në formularin e këtij viti, kandidatët për institucionet publike të arsimit të lartë mund të përzgjedhin midis 334 degëve, të cilat janë të shpërndara sipas universiteteve në të gjithë vendin. Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit janë shtuar 31 degë, ndërkohë që ashtu siç është publikuar edhe më parë, në vitin akademik 2013- 2014 do të pranohen 30 mijë studentë të rinj. Po ashtu, maturantit do t’i duhet të përzgjedhë 10 degë të preferuara, ndërsa renditja do të bëhet sipas programit të studimit që ai dëshiron më tepër.

Maturantët sot fillojnë plotësimin e formularit A2, çfarë duhet të kenë kujdes ata në plotësimin e tij?

Sot fillon startimi i plotësimit të formularit A2, online. Sivjet formulari do të plotësohet nga çdo maturant në mënyrë individuale, nuk është nevoja të shkojë në shkollë. Në shkollë do të shkojë, vetëm nëse nuk arrin ta plotësojë vetë individualisht, nëse ka një problem në të dhënat e veta dhe nuk di ku të drejtohet. Maturanti do ta ketë një stacion ku të drejtohet dhe stacioni është Drejtoria Arsimore Rajonale ose Zyra Arsimore, e cila ka marrë udhëzimin përkatës se si do të veprojë në këtë rast. Maturantët do të plotësojnë në bazë të një grafiku të ndarë për çdo Drejtori Arsimore dhe deri në fund të javës është planifikuar të përmbyllet ky proces. Janë 30 mijë kuota që janë shpallur nga Vendimi i Qeverisë. Ndërsa, maturantët pritet të jenë rreth 40 mijë për këto 30 mijë kuota. Pas përfundimit të aplikimit vjen faza e shpalljes së fituesve, por kjo është më pas, për momentin maturantët janë të shqetësuar për fazën e përzgjedhjes së preferencave dhe dihet që çdo maturant ka të drejtë të përzgjedhë deri në dhjetë programe studimi. Ne me kohë kemi shpallur paketën informuese të formularit A2, në faqen elektronike të AKP-së dhe në MASH. Materiali kryesor për maturantin janë kuotat për çdo program studimi, janë 334 programe studimi gjithsej dhe 30 mijë kuota që e thamë më sipër. Më tej është udhëzuesi teknik se si do të veprojnë maturantët për të plotësuar formularin A2, i shpallur së fundmi.

Sa e ka ndihmuar maturantin kjo paketë informuese për të ardhur deri në këtë pikë sot që është plotësimi i formularit A2?

Maturantët me kohë kanë pasur formulën e llogaritjes së pikëve për çdo program studimi, kjo është e lidhur me 5 rezultatet që ka dhe me koeficientin e shkollës dhe me koeficientin e çdo programi të zgjedhur. Koeficientet e shkollave për çdo program studimi janë të shpallura gjithashtu dhe janë të përfshira në paketën informuese për maturantët, që do të thotë që çdo maturant e ka të mundur të llogarisë pikët për çdo program që zgjedh, mandej mund t’i krahasojë me pikët minimale të fituesit të vitit të kaluar që të bëjë një përllogaritje të mundësisë, ose të shansit që ka për t’u shpallur fitues në atë program studimi apo jo. Ne kemi shpallur pikët minimale të fituesve të programeve të studimit që nga 2009 deri në 2011, por baza më e mirë krahasuese është ajo e vitit 2012, pasi ka qenë viti i parë ku maturantët me kurikulën e re në vend të notave mesatare kishin pikët mesatare. Të gjitha këto, por dhe plotësimi i formularit online të ofron dhe këtë mundësi këshillimi që thamë, që në çdo preferencë të përzgjedhur ai të jep sa pikë grumbullon, përveç llogaritjes që maturanti ka bërë jashtë sistemit. Aty ai shikon dhe një herë se ç’mundësi ka në lidhje me sivjet dhe me vitin e kaluar, pra ka mundësi të kontrollojë se sa pikë ka grumbulluar dhe t’i krahasojë ato me ato të vitit të kaluar. Në qoftë se pikët janë aty aty, ose ka më shumë se ato të vitit të kaluar, atëherë ai ka shans më të madh për të fituar, në qoftë se ato janë 100 pikë më pak se vitin e kaluar do të thotë që je në kufi. Për çdo vit, niveli i pikëve minimale fituese, është kërkesë-ofertë.

A mund të korrigjojnë maturantët ndonjë gabim të mundshëm gjatë plotësimit të A2, a mund t’i rikthehen plotësimit?

Po,po, ata mund të rikthehen sa herë të duan me kushtin që në finale mos t’i japin save, ok, ose konfirmoj. Për sa kohë që nuk i kanë dhënë “save” të dhënave që kanë zgjedhur, ose përfundimit të plotësimit të formularit nuk i kanë dhënë statusin, “dërgoj, miratoj” ato mund ta ndërrojnë dhe të bëjnë veprime përzgjedhëse disa herë.

A mund të ketë probleme faqja ku maturanti do të plotësojë formularin dhe si veprohet në këtë rast?

Jo, faqja është e provuar. Vjet maturantët plotësuan në këtë faqe, në të njëjtën fazë që po flasim sivjet, një vit më parë, dallimi i vetëm është që kishte mbikëqyrës shkollën. Po në raundin e plotësimit të A3, që ishte pas sesionit të dytë të provimeve, ose provimeve të vjeshtës, për rreth 16 mijë maturantë, sistemi u provua individual pra tërësisht online, nga çdo pikë që kishte internet dhe ka funksionuar në të dyja mënyrat dhe sivjet nuk ka pse të mos funksionojë.

A2/Udhëzimi, si do përcaktohen fituesit

Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime universitare të ciklit të parë, do të bëhet sipas parimit meritë–preferencë, pra sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje) dhe për programe studimi të caktuara, nga rezultatet e arritura në konkurs. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet jo më shumë se 10 preferencave të zgjedhura prej tyre. Maturanti mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por sistemi e shpall atë fitues në preferencën më të lartë (të sipërme) të shprehur prej tij. Kjo është arsyeja që në plotësimin e formularit A2 është shumë e rëndësishme jo vetëm përzgjedhja e programeve të studimit (preferencat) por dhe renditja e tyre. Të gjitha programet e studimit të Universitetit të Arteve, Arkitekturës dhe Sporteve, programet e studimit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, si programet e studimit të Akademisë së Arteve Shkodër, u nënshtrohen konkurseve të pranimit, të organizuar nga vetë universitetet. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve të maturantit kandidat merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit.

Formulari A3, kush ka të drejtë ta plotësojë

Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, do të bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të  arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të  drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:

a) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;

b) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013;

c) kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore;

ç) kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje. Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.