Specialisti Fagu: Është ulur për këtë vit pragu i pikëve për fituesit e fundit

554
Sigal

MAS shpall listën paraprake të fituesve sipas degëve përkatëse. Ja procedurat e regjistrimit

 Pas shpalljes nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e fituesve në universitetet publike, ajo çka vihet re është ulja e pragut të pikëve për fituesit e fundit në degët përkatëse për vitin akademik 2014-2015. Krahasuar me vitin e kaluar, maturantët këtë vit janë shpallur fitues me të paktën 20 pikë më pak se maturantët e vjetshëm. Këtë e konfirmon në një prononcim për gazetën “Telegraf” specialisti i Agjencisë Kombëtare të Provimit, z. Arben Fagu. “Ka ulje të pragut të pikëve për fituesit e fundit, për këtë vit akademik. Ulje që reflektohet ndryshe nga programi në program. Nëse marrim Mjekësinë, si një nga degët më elitare, pragu është ulur me 15-20 pikë”, shprehet z. Fagu, ndërsa shton se ky proces shkoi shumë mirë dhe realizoi pritshmëritë. Më tej, Fagu shpjegon se pasi kandidatët, të shpallur fitues në universitetet publike, të kryejnë regjistrimet në degët, ku janë shpallur fitues, brenda datës 29 shtator 2014, do të shpallet edhe lista përfundimtare e kandidatëve fitues. Më pas, të gjitha universitetet publike janë të detyruara të deklarojnë pranë AKP-së kuotat e mbetura bosh, të cilat do të jenë pjesë e formularit A3, që sipas Fagut mendohet të shpallet nga data 20-25 tetor. A3 do të jetë dhe faza e fundit e pranimeve në universitetet publike.

  Kandidatët fitues zgjedhin nëse do konfirmojnë apo jo regjistrimin në preferencën e fituar

Sipas Udhëzimit të MAS nr. 30 për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015, kandidatet fitues në listat paraprake, kanë të drejtë të bëjnë dy zgjedhje në momentin e regjistrimit on-line: a. të konfirmojnë dhe kryejnë regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar në listat paraprake të shpallura, duke ndërprerë konkurrimin;b. të vazhdojnë konkurrimin për të fituar një preferencë më të larte duke bërë zgjedhjen përkatëse gjatë procedurave të regjistrimit on-line. Këta kandidatë, së bashku me kandidatët që nuk janë shpallur fitues në listat paraprake, konkurrojnë për vendet e mbetura bosh të kandidatëve fitues, të cilët nuk kanë kryer regjistrimin on-line.

 Regjistrimi në programin fitues

Kandidati fitues në listat paraprake, për t’u regjistruar dhe ndjekur më pas studimet në programin përkatës të studimit në IAL, ndjek: Procedurat e regjistrimit on-line (vetëm për fituesit në listat paraprake); Procedurat e regjistrimit me dokumentacion pranë sekretarive të IAL-ve publike, ku janë shpallur fitues me listën përfundimtare. Vetëm pas përfundimit të kësaj procedure brenda afateve të parashikuara, kandidati do të rezultojë i regjistruar në programin e studimit, ku ishte shpallur fitues në listat paraprake.

 Procedurat e regjistrimit on-line

Kandidati i shpallur fitues ndjek procedurën e regjistrimit on-line në programin e studimit që ka fituar, në portalin e Maturës Shtetërore, sipas procedurës së mëposhtme:

a. Regjistrimi on-line kryhet ne cilindo kompjuter qe ka akses intemeti, nga data 17 Shtator 2014 deri në orën 24:00 të datës 22 Shtator 2014, për të bërë zgjedhjen e tij. Kur kandidati nuk arrin të realizojë procedurën e regjistrimit on-line, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit, ku është shpallur fitues, e cila do te kryeje procedurën e regjistrimit on-line të kandidatit. Regjistrimi on-line pranë sekretarive mësimore bëhet nga data 17 Shtator 2014 deri me date 22 Shtator 2014, nga ora 08:00, deri në orën 18:00. Kandidati që paraqitet për të kryer regjistrimin on-line pranë sekretarisë mësimore, duhet të paraqesë vetëm një dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Sekretaria mësimore pajis menjëherë kandidatët me fletë regjistrimin në preferencën e përzgjedhur, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak (on-line ose në sekretaritë mësimore) brenda datave të përcaktuara për çfarëdo lloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve.

 Shpallja e listës përfundimtare dhe dokumentet për regjistrimin

AKP shpall, brenda datës 29 shtator 2014, listën përfundimtare të kandidatëve fitues.

Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga data 1 Tetor 2014 deri më 7 Tetor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin plotësues për të gjithë kandidatet fitues. Kandidatet dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues:

a) Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm

fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, (e pa noterizuar);

b) 2 fotografi personale;

c) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare, për llogari të IAL-së përkatëse;

d) Deklaratën, e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit.

 Ndriçim Mehmeti: Do kemi studentë më të dobët në auditoret e universiteteve tona

 Edhe pse për të njëjtat rezultate, maturanti i këtij viti, sipas formulës së MSH-së merrte gati 50 pikë më shumë se maturanti i vitit të kaluar, në vend që, sipas kësaj logjike, pragu i pikëve të fituesit të fundit të rritej, ka ndodhur e kundërta. Pragu i pikëve të fituesit të fundit për këtë vit është ulur minimalisht me  20 pikë, duke u dhënë kështu mundësinë që të fitojnë studentë me cilësi edhe më të dobët se ata të vitit paraardhës. Dr. Ndriçim Mehmeti, ish Drejtori i Agjencisë së Monitorimit të Cilësisë në Ministrinë e Arsimit, radhit dhe arsyet se pse është ulur pragu i pikëve të fituesit të fundit për këtë vit akademik. “Pragu i pikëve të fituesit të fundit është ulur për këto arsye: Së pari, për shkak të notave të ulëta që janë. Së dyti, për faktin se dhe në lëndët me zgjedhje, ndonëse nuk kishte shumë mbetës, në krahasim me mbetësit e provimeve të detyruara, kishte nota shumë të ulëta. Pra, në fakt kemi maturantë me një cilësi më të dobët. Po të kemi parasysh që këtë vit vetëm gjysma e maturantëve kaluan, atëherë edhe niveli i maturantëve le për të dëshiruar”, shprehet për “Telegraf” Mehmeti. Madje, sipas Mehmetit, pikët e fundit edhe mund të ulen ende, nëse i referohemi edhe faktit që kemi edhe një përzgjedhje të dytë të studentëve, pas përfundimit të regjistrimit paraprak e më pas kemi edhe A3-n.

Ledjana Saliu