Sot afati i fundit për regjistrimin paraprak. Kush nuk regjistrohet, humb shkollën e lartë

455
Sigal

Të gjithë ata që nuk regjistrohen paraprakisht deri në orën 24.00 të ditës së sotme, do të humbin të drejtën për të fituar statusin e studentit në një nga fakultetet e universiteteve publike. Pas shpalljes së fituesve të fazës së parë, ata do të kenë afat deri më 23 shtator ora 24.00 për regjistrimin paraprak. Ministria e Arsimit nëpërmjet udhëzimit sqaron se, në rast se nuk e bëjnë, humbin automatikisht të drejtën për të vijuar shkollën e lartë. “Nëse konfirmohet regjistrimi përfundimtar në preferencën e parë, kandidati nuk ka mundësi të ndryshojë degën. Nëse kandidati do të vazhdojë garën, duhet të shtypë butonin “Vazhdoj konkurrimin në një preferencë më të lartë” dhe më pas “Ruaj”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Edhe nëse nuk u pëlqen dega që kanë fituar, ata duhet të regjistrohen online në këtë preferencë, por me opsionin “vazhdoj garën për një preferencë” më të lartë. Ky sipas specialistëve është kusht, në mënyrë që pas mbylljes së regjistrimeve, maturantët të jenë në sistem. “Duke u regjistruar, kandidatët kanë shanse për t’u ngjitur në preferencat që kanë zgjedhur. Në të kundërt, ata përjashtohen nga sistemi dhe i humbasin të dyja shanset”, thonë specialistët. Regjistrimi online kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kur kandidati nuk arrin të realizojë regjistrimin online, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues, deri më datë 23 shtator 2013. “Studentët që duan të mbeten në preferencën e fituar në fazën e parë, nënshkruajnë një deklaratë në sekretarinë mësimore”, sqaron MASH. Pas kësaj faze, lista përfundimtare dërgohet sërish në AKP deri më datë 25 shtator. Lista përfundimtare e fituesve shpallet më 2 tetor, ndërsa nga datat 8-13 tetor bëhet regjistrimi i të gjithë studentëve me dokumentacionin e plotësuar.

Lista e dytë, shans për 4000 kandidatë

Janë rreth 4000 fitues në shkollat e larta, të cilët pritet të jenë jashtë listës përfundimtare, për t’u dhënë mundësinë po kaq të tjerëve. Sipas burimeve nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, kjo kategori studentësh u përket atyre që largohen jashtë vendit. “Bilanci përfundimtar pritet të bëhet në përfundim të regjistrimeve, por çdo vit kaq është numri i studentëve fitues që preferojnë të mos regjistrohen”, thonë burime nga AKP-ja.

Formulari A3

Pas 23 shtatorit pritet të shpallet lista përfundimtare e fituesve në universitete dhe vetëm pas kësaj faze do të shpallen kuotat që nuk janë realizuar. Në këtë fazë pritet  ashtu si dhe në vitet e kaluara t’u jepet një mundësi atyre që nuk kanë fituar një vend në universitete, nëpërmjet formularit A3. Megjithatë ende nuk dihet se do të ketë të njëjtin format  dhe  si do të plotësohet ai. Fituesit e fazës së parë sipas listës të shpallur nga Ministria e Arsimit janë rreth 31 mijë. Por ky nuk do të jetë numri  përfundimtar i atyre që do të ndjekin arsimin e lartë, pasi gjatë fazës së parë ka të rinj që nuk regjistrohen, por edhe nga ata që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, të cilët përafërsisht shkojnë në rreth 4 mijë studentë që kanë shfaqur preferencat për të ndjekur studimet jashtë vendit.

 Dokumentet e regjistrimit

– Dokument identifikimi

– 2 fotografi

– Mandat arkëtimi i tarifës 1600 lekë të paguar në

zyrat e postave