Sot, 540 mijë nxënës i rikthehen bankave

518
Sigal

Urojnë për fillimin e vitit të ri shkollor: Lindita Nikolla, Myqerem Tafaj, Arjana Maçi dhe Majlinda Keta

Sot nis shkolla për të gjithë sistemin parauniversitar në vend. Në banka do të ulen rreth 540.000 nxënës, ndërsa për herë të parë do të jenë 32 mijë fëmijë që do të provojnë emocionin e bankave të shkollës. Ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit vjen lajmi se të gjitha shkollat në kryeqytet do hapin dyer për nxënësit. Rikonstruksionet kanë përfunduar në disa shkolla, ku infrastruktura ishte e amortizuar. Edhe këtë vit në gjimnazet më të mëdha si: Ismail Qemali, Sami Frashëri, Petro Nini Luarasi do të bëhet mësimi me turne, për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe kapaciteteve jo të mjaftueshme që ka shkolla. Në vend numërohen gjithsej 2137 shkolla publike dhe jo publike.

Urimi i ministres Nikolla: Mbështetje për 35 mijë mësues

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla uron të gjithë nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. Në mesazhin e saj të urimit Nikolla thekson se viti shkollor 2014-2015 është një vit i veçantë pasi përkon me fillimin e një sërë reformash. “Lejomëni të ndaj me ju emocionet e mia të një mësueseje dhe të një nëne. Viti shkollor 2014-2015 është një vit i veçantë pasi përkon me fillimin e një sërë reformash. Në emër të MAS dërgoj urimet më të ngrohta. Me emocion të veçantë ju drejtohem 32 mijë vogëlushëve. Mbështetje si ministre e Arsimit për 35 mijë mësues. Mësuesi është shkolla dhe shkolla ka në duar fëmijët. Të dashur nxënës, flas me secilin prej jush 540 mijë nxënësit që nesër do t’i drejtoheni shkollës. Ne po punojmë për ndërtimin e shkollës që përgatit qytetarë për “shoqërinë e dijes”, që ju përgatit ju për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, si të barabartë me bashkëkohësit tuaj, kudo ku ata ndodhen. Të dashur prindër, tashmë me kuadrin e ri normativ, ju keni një rol vendimtar në administrimin e shkollës shqiptare. Kjo sepse shkolla na përket të gjithëve, shkolla është e komunitetit. Ne do të punojmë fort në rrugën e cilësisë në çdo shkollë duke e bërë standard transparencën e punës së çdo mësuesi e çdo shkolle. Edhe një herë, urimet e mia më të mira dhe punë të mbarë të gjithëve! Do jem me ju në çdo orë e çdo ditë të jetës së shkollës. Suksese nga zemra!”- shprehet ministrja Nikolla në mesazhin e urimit për vitin e ri shkollor.

Urimi i ish ministrit Tafaj: Solidarizohem me mësuesit e larguar padrejtësisht nga puna

Edhe këtë vit nuk mund të mungonte urimi për të gjithë mësuesit e nxënësit për vitin e ri shkollor 2014-2015 nga ish ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Në një prononcim për “Telegraf” ish ministri, përpos urimit, nuk la pa përmendur edhe mësuesit e larguar nga puna, të cilët, sipas tij, janë larguar në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore. “Çdo vit i ri shkollor është një ngjarje e madhe si për nxënësit, ashtu dhe për mësuesit. U uroj të gjithë nxënësve dhe mësuesve në mbarë vendin: 1 vit të mbarë shkollor! Ndërkohë që, ndjehem afër dhe solidarizohem me të gjithë ata mësues që janë larguar padrejtësisht nga puna. Problematika më e madhe a arsimit sot është largimi nga puna i shumë mësuesve, në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi. Nga informacionet që na vijnë nga rrethet, numri i mësuesve të larguar nga puna është shumë i madh. Gjithashtu, dua të theksoj se ende nuk ka filluar plani i ri mësimor. U fol kaq shumë për planin e ri mësimor! Por, edhe këtë vit shkollor nuk u vunë në zbatim planet e reja mësimore, edhe pse të gatshme, gjë kjo, shumë e dëmshme për arsimin e mesëm dhe atë 9-vjeçar. Gjithsesi, sot po mbetem te urimi për ditën e parë të shkollës. Edhe një herë, urimet më të përzemërta për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në vitin e ri shkollor 2014-2015!”, u shpreh ish ministri i Arsimit Tafaj nw urimin e tij.

Urimi i drejtores së shkollës “Misto Mame”, Arjana Maçi: Suksese të gjithëve!
Drejtorja e shkollës “Misto Mame”, Arjana Maçi uron nëpërmjet gazetës “Telegraf” të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe gjyshërit për një fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor. Në mënyrë të veçantë ajo u drejtohet prindërve të nxënësve me probleme, që janë regjistruar këtë vit në shkollën e saj, duke u premtuar atyre se do ta fitojnë së bashku sfidën. “Sot unë kam kënaqësinë të përshëndes të gjithë miqtë e mi të vegjël, që për fatin tim të madh janë të shumtë. Nga zemra, u uroj të gjithëve, fillim sa më të mbarë! Të jeni të sigurtë që e gjithë shoqëria jonë, shteti dhe çdo institucion përkatës, deri në minutën e fundit kanë vënë të gjitha forcat që juve të mos ju mungojë asgjë. Një nga risitë e këtij viti shkollor është angazhimi maksimal për rritjen tuaj të shëndetshme nëpërmjet një aktiviteti fizik të domosdoshëm për ju të dashur. Unë ju siguroj që ne të gjithë po përpiqemi fort që shkollën ta bëjmë sa më të dashur, me sa më shumë lojëra dhe aktivitete për ju dhe familjet tuaja. Dua të përshëndes dhe t’i uroj punë të mbarë gjithë armatës së të palodhurve arsimtarë. Një urim special për të gjithë prindërit, gjyshet e gjyshërit që me siguri sivjet do jenë më shumë pranë nesh. Duke qenë se në shkollën ku unë punoj janë regjistruar një numër i konsiderueshëm i fëmijëve me probleme të ndryshme, u uroj prindërve të këtyre fëmijëve fillimin e vitit shkollor si dhe i premtoj që së bashku do ia dalim. SUKSESE TË GJITHËVE!” uron drejtorja e shkollës “Misto Mame”.

Majlinda Keta: Nisje të mbarë e plot kënaqësi!
Sot miqtë e mi të vegjël fillojnë të ndërtojnë apo rindërtojnë ditën e tyre në kopshte apo shkolla. Pushimet mbaruan. Nisje të mbarë e plot kënaqësi paçi! Të gjithëve ju, që nisni parashkollorin, ju uroj shumë lodra dhe shokë, edukatore të ëmbla dhe ushqim të mirë! Për ju bukuroshë/e të klasës së parë, ju uroj që të takoni mësuese dhe shokë klase qe ta ndjeni shkollën si kënaqësi! Uroj që çanta mos t’ju lëndojë shpinat tuaja të njoma! Dua që të ndjeni që për mësueset tuaja, JU jeni të parët dhe mbi gjithçka!
Kolegeve të mija mësuese, u uroj devotshmëri dhe kënaqësi nga puna juaj, vlerësim shpirti dhe nga financat e shtetit apo të privatit! Të gjithëve neve, i uroj një edukim, një shkollë që zhvillon inteligjencën dhe qytetarinë plot moral të fëmijëve tanë!

 Ledjana Saliu