Skandali në Universitetin e Durrësit, pedagogia në emigracion, e ëma merr në provim studentët

563
Sigal

Burimi nga stafi i pedagogëve. Kërkohet hetim nga titullarët e institucionit, policia e prokuroria

 DURRËS- Paradokset, çuditë dhe skandalet e denja për në “Guinness”, në universitetet shqiptare nuk kanë të sosur. Faktit që ata janë renditur në fund të listës botërore të universiteteve, fenomeni që mund të shiten diplomat dhe pa qenë asnjë ditë në shkollë, të marrësh notë apo të mbrosh master pa hapur libër, të marrësh me qira një objekt mijëra euro në muaj (që me qiratë e disa muajve mund të ndërtosh një godinë të re), tashmë nuk ngjallin kureshtjen më tek ne. Po ka dhe skandale të tilla, si ai i denoncuar nga radhët e stafit të pedagogëve të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku pedagogia ndodhet në emigracion (ndoshta dhe diku tjetër, sipas denoncimit nga stafi akademik), e në vend të saj, studentët i merr në provim e ëma e saj, ish-mësuese në pension!?

SKANDALI

Pa marrë parasysh të provojmë të vërtetën në, gjë e cila i takon drejtuesve të universitetit, Ministrisë së Arsimit, policisë dhe prokurorisë, po japim informacionin konfidencial nga radhët e stafit akademik. “Në universitetin publik ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, provimet organizohen çdo 7 javë. Në periudhën e fundit të dhjetorit të vitit që shkoi, pra në 7-javëshin e fundit të vitit 2013, në Departamentin e Ekonomisë është organizuar një provim në të cilin titullari i lëndës që po kryhej testi nuk ishte i pranishëm dhe në vend të saj ka dërguar mamanë e vetë (ish- mësuese në pension). Studentët nuk kanë qenë të lajmëruar se do të vinte e ëma e mësueses së tyre për t’i mbikëqyrur gjatë testimit dhe habia ka qenë e madhe për ‘ta. Si lejohet të ndodhi ky skandal nga dekani dhe rektori i universitetit të Durrësit, i cili në një renditje botërore të universiteteve më të mira në botë, ka dalë në listën e top 10 më të mirëve në Shqipëri. Godina e Universitetit të ri është e pajisur me kamera sigurie në korridoret e saj, kështu që drejtuesit e këtij universiteti shumë mirë mund ta konfirmojnë, nëse dyshojnë për vërtetësinë e këtij fakti, nëse mamaja e kësaj profesoreshe ka qenë e pranishme ditën që është kryer provimi”,- konfirmon burimi.

HETIMI

Rasti, sipas denoncimit nga radhët e mësimdhënësve të universitetit, përbën një skandal në vetvete që nuk duhet të kaloj në heshtje nga instancat përkatëse. Përveç studentëve që kanë pasur atë ditë mamanë e pedagoges së lëndës si vlerësuese provimi, ka dhe mënyra të tjera që mund të zbardhet plotësisht e vërteta. Së pari, drejtuesit e universitetit, janë ata që duhet ta bëjnë këtë. Minimalisht, dhe për reputacionin e institucionit që ata drejtojnë. Së dyti, nëse përflitet se pedagogia ka qenë në emigracion atë ditë, mund të vërtetohet fare lehtë dhe zyrtarisht. Dita e provimit dihet, e mund të verifikohen dhe hyrje-daljet në pikat e kalimit kufitar për hyrje-dalje të pedagoges, nëse është kështu. Këtë duhet ta bëjë policia dhe prokuroria. Misioni i medias është përcjellja tek lexuesi e tek ata që janë të interesuar të informacionit të ardhur nga stafi i pedagogëve të këtij universiteti. Të tjerat, u takojnë organeve kompetente.