Skandali në Universitet, rekrutohen pedagogë në kundërshtim me ligjin

1877
Sigal

Skandali në universitet

 Faksimilet e listave zyrtare të universitetit “A.  Moisiu” në Durrës, ku pedagogë të skualifikuar, me notë nën 8, futen në konkurrim e shpallen fitues

 Rekrutimi i kandidatëve në stafin akademik me kohë të plotë jashtë kritereve ligjore, përkatësisht me mesatare nën 8 dhe të skualifikuar më parë zyrtarisht, përbën skandalin e radhës në universitetin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Më e dukshme është kjo në degën e këtij Universiteti në Peshkopi. Për të ilustruar këtë, “Telegraf” ka siguruar listat zyrtare përkatëse, ku në shumë raste, kandidatë të skualifikuar pasi nuk plotësojnë kriteret ligjore, me një listë të dytë (shkelje ligjore e rëndë), janë futur në konkurrim dhe kanë fituar. Pa marrë parasysh të bëj komente, “Telegraf” paraqet faksimilet e shkresave zyrtare, ku cilido, mund të konstatoj shumë raste abuzimi… Për të qenë sa më transparent, gjatë ditës së djeshme u tentua të kontaktohej me telefon me Rektorin e Universitetit të Durrësit, zotin M. Mema, por qe e pamundur…

 

THELBI I SKANDALIT

Për të qenë më të qartë për abuzim të mundshëm të ligjit për Arsimin e Lartë dhe të procedurave e rregullores për rekrutimin e personelit akademik me kohë të plotë 2013-2014 në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), konkretisht Fakulteti i Peshkopisë. Thelbi i çështjes është si më poshtë vijon: Më datë 19.09.2013 në ambientet e Fakultetit të Peshkopisë është zhvilluar konkursi për rekrutimin e personelit akademik me kohë të plotë për vitin akademik 2013-2014, në bazë të kërkesës për vende pune të shpallur nga UAMD… Në ëebsite-in zyrtar të UAMD-së janë publikuar listat zyrtare të: a) Kandidatëve Aplikues, b) Kandidatëve të Kualifikuar për Intervistim, dhe c) Kandidatëve të Skualifikuar për Konkurrim, për tërë fakultetet e UAMD-së, përfshirë këtu dhe Fakultetin e Peshkopisë. Listat e Kandidatëve të Skualifikuar (për tërë fakultetet e UAMD-së përfshirë dhe Fakultetin e Peshkopisë) janë publikuar bazuar:  në kërkesën e UAMD-së mbi kriteret e kualifikimit për rekrutimin e personelit akademik me kohë të plotë, konkretisht paragrafi A, pika 3 ku cilësohet që kandidati: “Të ketë mesataren e notave në të gjitha ciklet e studimeve minimalisht 8 (tetë)”, në kriterin përjashtues po në këtë kërkesë ku “Mosplotësimi i njërës prej pikave të më mësipërme përbën kriter përjashtues për mos marrjen në konsideratë të paketës së aplikimit”… Po realiteti, reflektuar faksimileve të botuara në këtë shkrim (shkresa zyrtare), rezulton e kundërta. Më konkretisht:

ABUZIMI I PARË

Referuar dokumenteve zyrtare (faksimilet në këtë faqe), evidentohet një nga abuzimet në rekrutimin e stafit akademik në Universitet.

Çuditërisht në konkursin e datës 19.09.2013 në listat e komisionit të vlerësimit janë përfshirë, njoftuar, thërritur dhe paraqitur për intervistim disa individë emrat e të cilëve janë në Listën Publike zyrtare të kandidatëve të skualifikuar për Konkurrim pikërisht për notën mesatare të studimeve nën notën 8-të. Mësohet se Komisionet e Vlerësimit të Fakultetit të Peshkopisë kanë kryer procedurën e konkurrimit bazuar në lista të tjera të ndryshuara (jopublike) të ardhura nga Dega e Burimeve Njerëzore në UAMD dhe jo me Listat e Publikuara në website-in Zyrtar të UAMD-së. Këtu, duhet verifikuar se kush e ka dhënë konkretisht këtë urdhër. Në mbështetje të kësaj, lexuesi mund të e-mail-in e Degës së Burimeve Njerëzore të UAMD-së dërguar kandidatëve të tjerë të cilët nuk jemi pranuar për tu punësuar. Në e-mail ndodhen edhe adresa e-mail-esh të kandidatëve që kanë qenë të skualifikuar për shkak të mesatares por që morën pjesë në konkurrim. Për fat të keq ka dhe emra kandidatësh që kanë qenë më se të kualifikuar në pozicionet e kërkuara por që çuditërisht nuk janë pranuar për t’u punësuar.

ABUZIME TË TJERA

Skandali, referuar vetëm këtyre listave, merr përmasa të tjera të cilat lexuesi mund ti verifikoj në faksimilet që janë pasqyruar në dy faqet e këtij shkrimi. Kështu, listat zyrtare rezulton se ka emra kandidatësh që gjenden njëkohësisht në listën e Kandidatëve të Kualifikuar për Konkurrim dhe në listën e Kandidatëve të Skualifikuar. Po  ashtu, disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit por dhe lektorë të tjerë aktualë, kanë patur dhe kanë akoma aktualisht statusin Lektor me kohë të plotë në Fakultetin e Peshkopisë. Këtë status e rifituan pas rinovimit të kontratave në muajt e verës nga ana e UAMD-së. Nga një kontroll i rastësishëm i listave të kandidatëve të skualifikuar për konkurrim për tërë fakultetet e UAMD-së rezultoi se disa prej emrave të këtyre lektorëve me kontrata të rinovuara ndodheshin në këto lista pikërisht për shkak të mesatares nën notën 8-të. Ose e thënë ndryshe disa prej këtyre lektorëve janë Skualifikuar për konkurrim në Fakultetet e UAMD në Durrës për shkak të mesatares, por çuditërisht janë punësuar në Fakultetin e Peshkopisë. Pra aktualisht presupozohet se ata ndodhen të punësuar në shkelje të hapur me ligjin.  Gjithashtu, një mundësi për abuzim me ligjin mund të konsiderohet faza e rekrutimit dhe konkurrimit për Personel akademik me kohë të pjesshme që është bërë në ditët e para të Tetorit 2013 në Fakultetin e Peshkopisë (ndoshta dhe në Fakultetet e tjera të UAMD-së), dhe ka mundësi që vijon akoma dhe sot. Duke njohur burimet njerëzore të disponueshme në rrethin e Dibrës ka shumë mundësi që të rekrutohen dhe aktualisht janë rekrutuar si Lektorë të Jashtëm, kandidatë që nuk plotësojnë kriterin e sipërpërmendur (mesataren mbi 8-të), si dhe kritere të tjera të domosdoshme për tu punësuar në IAL në Shqipëri.