Skandali me tenderët. Kur do të pajisen universitetet me regjistrat themeltarë?

455
Sigal

Universitetet publike po fitojnë të njëjtin status me universitetet private të mbyllura nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Edhe pse ka dy muaj e gjysmë që ka filluar viti akademik 2014-2015 në universitetet publike mungojnë regjistrat themeltarë. Të mos harrojmë që një nga kriteret e mbylljes së 38 universiteteve private nga MAS ishte se në shumë prej tyre nuk kishte regjistra të studentëve që janë shkolluar e diplomuar aty, parregullsi ose paplotësi të regjistrave themeltarë, të progresit akademik apo të diplomimit të studentëve. Burime konfidenciale bëjnë me dije për “Telegraf”se tenderi i zhvilluar për regjistrat themeltarë u anulua, edhe pse u shpall fituesi (pra, kompania që ofroi çmimin më të ulët). Por një shqetësim serioz lind nga ky fakt: Nuk përjashtohet mundësia që mungesa e regjistrave themeltarë, mund të lerë shteg që nesër, kur të sigurohen këta regjistra (askush nuk e di këtë), të bëhen falsifikime, duke regjistruar fiktivisht persona që aktualisht nuk ndjekin këto universitete.

Tenderi

Tenderi i anuluar për regjistrat themeltarë të arsimit të lartë u zhvillua rreth 1 muaj e gjysmë më parë. Fondi limit i ofruar nga MAS për 3000 regjistra ishte 4 milionë lekë të reja, ku morën pjesë 3 shtëpi botuese, të cilat dhanë dhe ofertat e tyre. Komisioni duke vlerësuar 3 ofertat, në zbatim të ligjit, zgjodhi atë me vlerë dhe më të vogël (mësohet të ketë qenë rreth 2 milionë, pra gati sa gjysma e fondit limit të ofruar nga MAS). Por, edhe pse, ndër të rrallat raste që zbatohet ligji i prokurimeve, çuditërisht tenderi anulohet. Kështu që fituesit iu dha një njoftim i dytë për anulimin e tenderit, pa arsye dhe pa shkak. Porse nga burime të sigurta në MAS bëhet e ditur se tenderi u anulua pikërisht për faktin se nuk u shpall fitues subjekti i parazgjedhur, i cili duhej të ndante fitimin (rreth 2 milionë lekë të reja) me një nga drejtuesit e MAS, garanti i subjektit të parazgjedhur, i cili anuloi dhe tenderin. Ndërsa studentët e arsimit të lartë shtetëror vazhdojnë të studiojnë në të zezë…

Shkeljet

MAS duhet të forcojë kontrollet për prokurimet publike që bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në mënyrë që komisioni i vlerësimit të shpallë fitues, atë që plotëson të gjitha kriteret sipas ligjit të prokurimeve. Dhe jo të anulojë tenderët se nuk shpallet fitues kompania e parazgjedhur e x-it që pret të rimbursojë paratë për fjalën e dhënë. Gjithashtu, ndoshta MAS duhet të vlerësojë si duhet edhe fondin limit, pasi në rastin konkret u shpall fitues (edhe pse u anulua) subjekti, i cili ofroi gjysmën e shumës së ofruar nga MAS. Pra, siç duket fondet limit janë të fryra me qëllim ndarjen e fitimit në mes fituesit dhe garantuesit (x-it, drejtues në MAS). Ndërsa ajo çka duket më shqetësuese është mungesa e transparencës. As në faqen zyrtare të MAS, as në prokurimet Publike nuk është njoftuar tenderi për regjistrat themeltarë të arsimit të lartë.

Lind pyetja: Aq vështirë është të sigurohen në kohë regjistrat?! Kujt i intereson kjo situatë?!

Ç’thotë Ligji për Arsimin e Lartë?

Neni 58

Regjistri i studentëve

1. Një institucion i arsimit të lartë duhet të mbajë regjistër bazë të studentëve me të dhëna

personale të tyre, vlerësimet e marra gjatë ndjekjes së programit të studimit, të dhëna mbi

diplomën ose diplomat e marra bashkë me suplementin e diplomës etj., të formatuara këto sipas standardeve shtetërore.

2. Regjistri i studentëve plotësohet në formë të shkruar dhe elektronike dhe mbahet në

ruajtje të përhershme.

3. Çdo studenti, në regjistrimin fillestar në një institucion të arsimit të lartë, i jepet një

numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës ose certifikatës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës përcakton rregullat për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit.