Skandali, drejtori i komanduar dhe kreu i ZA-së Sarandë “mbajnë peng” shkollën e Ksamilit

874
Sigal

Emërimi i drejtorit të Shkollës së Bashkuar Ksamil, ZA Sarandë fillon “gjuetinë” ndaj mësuesve “të pabindur”

Vazhdon skandali me emërimin e drejtorit të Shkollës së Bashkuar Ksamil. Edhe pse drejtori i komanduar nga ZA Sarandë, z. Resmi Saliu është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave, ai vazhdon të jetë në pozicionin e drejtorit të Shkollës së Bashkuar Ksamil. Këtë fakt e denoncojnë në “Telegraf” mësuesit e kësaj shkolle, të cilët ngrejnë pikëpyetjet dhe dyshimet e tyre për këtë shkelje flagrante të Udhëzimit të MAS nr.57, datë 12.11.2013 “Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të institucionit publik të arsimit parauniversitar”. Edhe pse kanë kaluar 3 javë nga dita, kur kryetari i komisionit të vlerësimit, sipas udhëzimit të mësipërm, i ka dorëzuar në ZA Sarandë dosjet e aplikimit dhe vlerësimin me pikë për dy kandidatët me shumë pikë, përgjegjësi i zyrës arsimore ende nuk ka vendosur se kush do ta drejtojë Shkollën e Bashkuar Ksamil, edhe pse afatet ligjore, të përcaktuara në udhëzim, kanë skaduar. “Titullari i njësisë arsimore vendore shqyrton dokumentacionin e dy kandidatëve me më shumë pikë dhe i interviston, lidhur me platformën e secilit për zhvillimin e institucionit. Intervistat mbahen shënim nga sekretari i titullarit të njësisë arsimore vendore dhe arkivohen. Brenda pesë ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit nga komisioni, titullari i njësisë arsimore vendore shpall në një vend publik të njësisë arsimore vendore kandidatin e përzgjedhur për drejtor. Kandidati që nuk ka fituar ka të drejte t’i paraqesë ankesë titullarit të njësisë arsimore vendore brenda tri ditëve nga shpallja e kandidatit fitues. Titullari i njësisë arsimore shqyrton ankesën dhe jep përgjigjen brenda dy ditëve pas përfundimit të afatit për ankim. Titullari i njësisë arsimore emëron drejtorin e institucionit publik të arsimit parauniversitar, vendimi i emërimit i komunikohet zyrtarisht drejtorit të sapoemëruar, kryetarit të komisionit dhe drejtorit zëvendësues”, thuhet në udhëzimin e MAS, përsa i përket procedurës së emërimit të drejtorit nga titullari i njësisë arsimore vendore. Drejtori i Shkollës së Bashkuar Ksamil z. Resmi Saliu, i komanduar nga përgjegjësi i ZA-së Sarandë (me të cilin ka marrëdhënie shoqërore) u skualifikua nga komisioni i vlerësimit, pasi nuk plotësonte kriteret e aplikimit për drejtor, sepse sipas udhëzimit të MAS, “Kandidati për drejtor i institucionit publik të arsimit parauniversitar duhet: a) të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9741, datë 21. 5. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; b) të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar”; c) të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij”. Ndërsa z. Saliu në edukimin e tij, ka vetëm diplomën Bachelor të Institutit të Gjirokastrës. Mësuesit e shkollës së Bashkuar Ksamil tregojnë për “Telegraf” se dy kandidatët, të vlerësuar me më shumë pikë nga komisioni janë: Ardjan Çaka, mësues i vjetër matematike dhe Ilda Mitro, nëndrejtorja aktuale e shkollës, e cila më herët ishte dhe mbështetësja kryesore e kandidaturës së drejtorit të komanduar, z. Saliu, kur dhe u hodh dyshimi nga mësuesit e shkollës për një konkurs fiktiv dhe se kandidatura e saj ishte thjesht në mbështetje për të emëruar në drejtim z. Saliu, drejtor i komanduar nga ZA Sarandë.

Historia

Pas denoncimit në “Telegraf” nga vetë mësuesit e Shkollës së Bashkuar Ksamil, që ngritën shqetësimin e mundësisë së konkursit fiktiv për drejtor në shkollën e tyre, pati reagime si nga instancat përkatëse arsimore ashtu dhe nga vetë stafi pedagogjik i kësaj shkolle. Pas kësaj, sipas mësuesve të shkollës, pati një procedurë normale të zhvillimit të konkursit me dosje, në respektim të dispozitave ligjore përkatëse. Kështu, u zgjodhën anëtarë të komisionit të vlerësimit 2 mësues që gëzonin respektin e gjithë stafit pedagogjik, duke eliminuar ata mësues të cilët ishin zgjedhur nga vetë drejtori i komanduar për të përzgjedhur si fitues kandidaturën e tij, në shkelje flagrante të udhëzimit të MAS, ku thuhet se “anëtarët e komisionit nuk duhet të jenë në konflikt interesi me aplikantin, në kuptim të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit te interesit”. (Kujtojmë se, sipas mësuesve të shkollës, me njërën prej 2 mësuesve, (anëtarë të komisionit), drejtori i komanduar z. Resmi Saliu ka lidhje farefisnore, kurse tjetri z. Pëllumb Dyrmishi, është dhe personi që ka dhënë rekomandimin për z. Saliu, për aplikimin e tij si drejtor, njëkohësisht dhe kryetari i komisionit të vlerësimit). 2 mësuesit e zgjedhur me votë si anëtar të komisionit të vlerësimit shtynë afatin për fazën përfundimtare të emërimit të drejtorit, duke i lënë kohë edhe personave të tjerë të paraqesin kandidaturën e tyre. Më pas, komisioni vlerësoi dosjet përkatëse të kandidatëve për drejtor të Shkollës së Bashkuar Ksamil, duke nxjerrë dy emra: Ardjan Çaka dhe Ilda Mitro, të cilat ia paraqiti dhe ZA-së Sarandë. Por, megjithëse u kualifikuan dy kandidatura, përgjegjësi i ZA-së Sarandë po mban peng drejtimin e kësaj shkolle me qëllimin e vetëm, për të emëruar drejtorin e komanduar prej tij, z. Saliu.

Emërimi i drejtorit të shkollës, kreu i ZA-së Sarandë, Llanaj-mësuesve: Po pres konfirmimin nga MAS. Janë emëruar të tjerë drejtorë shkolle me 3-vjeçare

 Në institucionet arsimore të arsimit parauniversitar janë emëruar drejtorë me 3-vjeçare (Bachelor), (edhe pse në kundërshtim me udhëzimin e MAS). Kështu u ka thënë përgjegjësi i Zyrës Arsimore Sarandë, z. Astrit Llanaj (ish-kryetar i PS-së Sarandë) mësuesve të shkollës së bashkuar Ksamil, të cilët i kanë kërkuar llogari, se pse ende nuk është zgjedhur drejtori i shkollës nga dy kandidaturat e kualifikuara nga komisioni i vlerësimit. “Presim konfirmimin nga MAS, pasi ka dhe raste të tjera analoge me rastin në fjalë, ku janë emëruar drejtorë shkolle më 3-vjeçare”, u kanë thënë mësuesve në ZA Sarandë. Kjo, është e papranueshme, sipas mësuesve, pasi tregon se çdo përpjekje e tyre, për një proces konkurrimi të rregullt e ligjor, të shkojë dëm, në rast se emërohet drejtori i komanduar aktual z. Saliu në shkollën e tyre. Ndërkohë, mësuesit tregojnë për “Telegraf” se ndaj atyre që u “rebeluan” dhe denoncuan parregullsitë e procesit të konkurrimit, ka filluar “gjuetia” nga ZA Sarandë. Mësuesit tregojnë se përgjegjësi i ZA-së, z. Llanaj dhe drejtori i komanduar z. Saliu po mbajnë peng shkollën e bashkuar të Ksamilit. Ata shkojnë më tej kur hedhin dyshime për afera korruptive nga an e drejtuesit aktual. Edhe pse ata kanë kërkuar nga drejtori të publikohet borderoja, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndaj dyshimi i tyre shkon se në shkollën e tyre janë regjistruar mësues të cilët nuk e kanë poarë ndonjëherë derën e shkollës porse paguhen rregullisht çdo muaj. Ata kërkojnë nga ministrja e Arsimit znj. Lindita Nikolla të ndërhyjë dhe të zhbllokojë këtë situatë absurde në shkollën e tyre.