Sindikatat nisin bisedimet me MAS për nënshkrimin e kontratës kolektive për mësuesit

505
Sindikatat e mbrojtjes së interesave të mësuesve në vend, kanë nisur bisedimet për nënshkrimin e kontratës kolektive të punës. Bisedimet nisën menjëherë pas plotësimit të dokumentacionit të kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS). Ndërkohë, mësuesit në shkallë vendi janë pa një kontratë kolektive që nga fillimi i vitit 2015. Sa i takon këtij fakti, MAS sqaron se vazhdon të qëndrojë në fuqi kontrata e mëparshme. Ndërkohë sindikatat e arsimit vazhdojnë të kërkojnë të njëjtat kushte nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e mësuesve.
Ja çfarë kërkojnë sindikatat e arsimit lidhur me kontratën kolektive:
– Personi që merret në punë për herë të parë pajiset nga punëdhënësi me Librezë Pune, e cila është unike për të gjithë të punësuarit, sipas modelit të përcaktuar nga organi kompetent.
– Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën e punës pa shkaqe të arsyeshme.
– Zgjidhja e marrëdhënieve kontraktuale të punës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme është e pavlefshme. Në këtë rast punëdhënësi detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim punëmarrësit të barabartë me një vit pagë. 
– Për të punësuarit në arsimin publik, me kërkesën e Sindikatave Qendrore nënshkruese të kësaj Kontrate ose me vendim gjykate të formës së prerë, punëdhënësi është i detyruar ta rikthejë punëmarrësin e larguar nga puna pa shkaqe të arsyeshme, në punën e mëparshme. 
– Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për zgjidhjen e marrëdhënieve kontraktuale të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë ndaj punëmarrësit këto afate njoftimi: 
a) Një muaj për të punësuarit që kanë një vit pune. 
b)Dy muaj për të punësuarit që kanë dy deri në pesë vjet punë
c) Tre muaj, për të punësuarit që kanë me shume se 5 vjet punë. 
Në mungesë të njoftimit të këtyre afateve punëdhënësi është i detyruar t’i paguajë punëmarrësit pagën mujore që i korrespondon afatit të njoftimit.(neni 143 i Kodit të Punës)”, – janë disa nga kërkesat e sindikatave, kërkesa që janë dhe në kontratën kolektive të nënshkruar në 2010-n. 
Ministria e Arsimit më herët ka theksuar se sa i përket nënshkrimit të kontratës kolektive të punës, ajo do të nënshkruhet me sindikatën që ka më shumë anëtarë të regjistruar. Gjithashtu MAS ka theksuar se i gjithë procesi i nënshkrimit të kontratës kolektive do të mbështete ne bisedime me sindikatat e mbrojtjes së interesave të mësuesve në Shqipëri.
Ministrja Nikolla takohet me Ambasadoren e Kinës, Jiang Yu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla priti në një takim Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Znj. Jiang Yu, të cilën e falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe për projektet e përbashkëta në fushën e arsimit dhe sportit. Ministrja Nikolla, vlerësoi bashkëpunimin jo vetëm në fushën e arsimit të lartë, siç është edhe hapja e qendrës “Konfuzi” për mësimin e gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës, por edhe në arsimin parauniversitar, në shkollat 9-vjeçare në të cilat mësohet gjuha kineze që në klasë të 5-të. Ndërsa nga ana e saj, ambasadorja Jiang Yu, theksoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve, duke cilësuar si shumë të rëndësishme që në fushën e arsimit dhe sportit bashkëpunimi të zgjerohet edhe më tej me projekte të reja.
Sigal