Si llogariten pikët për t’u shpallur fitues në Universitetin e Arteve

1547
Sigal

INTERVISTA/Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Petrit Malaj flet për pikët e konkurrentëve

Në konkursin e Universitetit të Arteve pati prurje mjaft interesante këtë vit. Një gjë e tillë është pohuar nga vetë Rektori i Universitetit të Arteve Prof. Petrit Malaj, në një intervistë për “Telegraf”. Pasi janë shpallur pikët që ka marrë çdo konkurrent në konkursin e bërë pritet që të dalin fituesit përfundimtar në datën 18 shtator. Sipas rektorit të universitetit një konkurrent mund të bëjë një përllogaritje në bazë të pikëve që ka marrë nëse mund të jetë fitues ose jo.

-Zoti Malaj si shkoi faza e konkurseve në Akademinë e Arteve, e cila u zhvillua para pak ditësh?

Janë disa momente të rëndësishme të punës si akademike, por edhe të punës krijuese që ka Universiteti i Arteve. Sepse duke qenë një shkollë e veçantë ne kemi aktivitete të shumta. Në këtë sens një nga momentet më të rëndësishme që ka Universiteti i Arteve është konkursi i pranimit për vitin e ri akademik. Sivjet të tre fakultetet e universitetit kanë pas marrë masat e duhura. Ne na intereson që ti bëjmë të ditura me kohë kriteret që duhen për këtë universitet, për të gjithë ata të rinj që ushqejnë një ëndërr për të studiuar në universitetin tonë.

 -Në çfarë niveli ishin konkurrentët që u paraqitën në konkursin e universitetit që ju drejtoni?

– Në këtë sens pati një prurje goxha interesante përsa i takon numrit të përgjithshëm që erdhën për të konkurruar në universitetin tonë. Konkursi u zhvillua sipas urdhrit të ministrit nga data 27 gusht -1 shtator. Më pas konkluzionet e nxjerra nga secila degë ne i dërguam rezultatet pranë  Agjencisë së Pranimit të Studentëve që është pranë MASH dhe edhe në drejtorinë e Arsimit të Lartë po pranë MASH. Po ashtu për të pasur një transparencë i kemi shfaqur rezultatet tona në faqen e internetit po ashtu i kemi publikuar edhe në ambientet tona.

 -Çfarë risish do të ketë këtë vit të ri akademik për studentët tuaj?

-Mund të ju them që këtë vit kemi vitin e dytë të masterit. Vjet kemi pasur vitin e parë të masterit, ndërsa këtë vit do të kemi nxjerrjen e parë të studentëve që do të mbarojnë masterin. Kjo padyshim që përbën një sfidë sidomos për një shkollë arti. Jo të gjitha shkollat e artit janë të përfshira në kartën e Bolonjës, ka qenë një hap i guximshëm për të hyrë në këtë kartë. Kjo është bërë për të rritur fleksibiletin dhe për tu përqasur sa më afër me programet që kanë simotrat tona në perëndim, por kjo bëhet edhe për të rritur fleksibilitetin për studentët. Ka pasur një punë të madhe për këtë gjë. Por kjo nuk i ka vënë vulën punës tonë për këtë vit, këtu çdo ditë punohet për të përmirësuar punën dhe nivelin e shkollës tonë. Ky është një proces në çdo vit. Këtë vit nuk do të ketë hapje të programeve të reja të studimit. Ne do mundohemi që të konsolidojmë këto programe që kemi, pasi për hir të së vërtetës ne kemi mjaft programe të reja. Gjithçka do të jetë në dobi të këtij procesi. Por ne përpiqemi që çdo atelie dhe çdo ambient këtu të vihet në dispozicion të të rinjve që zgjedhin për të studiuar këtu.

 -Ju si universitet keni shpallur pikët që ka marrë çdo konkurrent në ditën e konkursit. Duke ditur pikët e marra dhe përqindjen që zë nota mesatare a mund të përllogarisë një kandidat nëse mund të shpallet fitues?

– Normalisht që është bërë e ditur të tërë kandidatëve përqindja që zënë pikët e marra në konkurs dhe përqindja që zë nota mesatare. Pikët maksimale që mund të merrte një konkurrent në konkurs janë 240 pikë dhe minimalja janë 60 pikë. 60 pikët e tjera do të merren nga mesatarja e maturës shtetërore. Prandaj ne nuk shpallim fituesit ne nxjerrim pikët e atyre që na paraqiten në konkurs më pas merret institucioni tjetër me këtë çështje. Pra në total duhet të jenë 300 pikë maksimale së bashku me pikët e mesatares për të qenë i pari në listat e fituesve. Por që gjithsesi nëse një konkurrues ka më pak se 60 pikë atëherë ai nuk mund të pretendojë për të qenë fitues, nëse ka më shumë ka shanse që të shpallet fitues.

 -Cila ka qenë dega më e kërkuar për këtë vit, ku ka pasur më shumë konkurrentë të regjistruar?

Konkurrencë të madhe kishim në Fakultetin e Artit Skenik, në degën aktrim, regji. Ndërsa në fakultetin e muzikës që nuk janë paraqitur kandidatë ose janë paraqitur ata që nuk kanë fituar nga vitet e kaluara. Në kemi pasur një problem, i cili ka ardhur nga kalimi i ciklit 9 dhe 3 vjeçar. Ky kalim dha një rezultat jo të mirë, sepse nuk nga shkolla e baletit dhe e muzikës nuk kishim shumë prurje. Por që ne besojmë që vitin tjetër do të rregullohet kjo.

 -Sa është numri total i kuotave që është miratuar për universitetin e Arteve, a kanë pësuar ndryshime ato në krahasim me vitin e kaluar?

Kuotat e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë 213 kuota. Ato janë të ndara në 101 në Fakultetin e Muzikës, 56 në Fakultetin e Skenikut dhe 66 tek Fakulteti i Arteve të Bukura. Po ashtu kemi edhe kuota të miratuara për studentët që vijnë nga trojet. Duhet të shtoj që studentët e trojeve kanë konkurruar mes tyre, ndërsa studentët e Shqipërisë kanë konkurruar mes tyre. Unë di të them që kuotat plotësohen, nëse do të kemi nëvojë për ndonjë shtesë ne do t’i kërkojmë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të na bëjë shtesa.

 -A është e plotësuar infrastruktura në këtë universitet?

-Po, ky është një tjetër moment i rëndësishëm i cili ka marrë dhe po merr një vëmendje të madhe. Që nga koha që jam rektor i Universitetit të Arteve, unë përveç ngritjes së nivelit akademik, unë kam struktura të ngritura që nga zëvendësrektori apo departamentet në Fakultete për të për ti kushtuar rëndësi anës strukturore. Sepse një vajzë apo një djalë për tu bërë artistë të ardhshëm të paktën duhet të kenë edhe kushtet optimale për të studiuar. Universiteti i Arteve ka një strukturë të mirë, por që po ti hysh thellë –thellë, vende -vende lë për të dëshiruar. Përpjekjet tona kanë qenë të jashtëzakonshme. Po ju them që nuk kam pasur projekte, por kam kontaktuar studio arkitektësh këtu në Tiranë, për të paraqitur një projekt më të mirë,i cili të jetë për vitet e tjera në vazhdim.

Universiteti i Arteve dhe kostoja për të studiuar

Tarifa nuk ka pësuar rritje, është po aq sa ka qenë. Ajo është 30000 lekë të reja për një vit. Por unë ju siguroj një gjë që kostoja e studimit është shumë e madhe. Këto nuk janë të vendosura nga ne, ato janë të vendosura nga ne, ajo vendoset nga qeveria, sepse jemi një universitet publik. Por di të them që një student në universitetin tonë ka një pagesë të madhe, nga 100 % që duhet të paguhet vetëm 10% paguhet. Kjo është kostoja më madhe që mund të paguhet në universitetet publike në Shqipëri.