Si do të shpallen fituesit e universiteteve dhe rëndësia e Librit të Transparencës

622
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, për daljen e fituesve


Maturantët që kanë plotësuar Formularin A2 së shpejti do të njihen me të dhënat që do të jenë të publikuara në librin e transparencës. Një fakt të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë së Provimeve, Alfons Harizaj. Sipas zotit Harizaj brenda datës 20 gusht do të dali libri i transparencës me të gjitha informacionet e maturantëve. Ndërkohë që përsa i përket daljes së fituesve zoti Harizaj ka theksuar se :“Ato do të dalin në datën 12-13 shtator”. Theksin zoti Harizaj e ka vënë tek faza e regjistrimit, ku ka sqaruar se fituesit duhet të kenë shumë kujdes në këtë fazë dhe se duhet të regjistrohen për të mos humbur mundësinë për të studiuan në universitete për vitin e ri akademik.

 

-Zoti Harizaj, kur pritet të dali Libri i Transparencës për maturantët që kanë plotësuar Formularin A2?

Po, libri i transparencës do të dali së shpejti, nuk ka një datë fikse ende, por do të jetë brenda datës 20 gusht. Pastaj janë konkurset për shkollat sportive dhe për disa degë të veçanta që janë me konkurs, pasi ashtu e kanë rregulloren e tyre. Konkretisht më datë 27 gusht fillojnë konkurset në gjithë universitetet, për programe studimi që janë të parashikuara me konkurse. Maturantët njihen nga mesi i shtatorit me listën e parë. Pas mbarimit të konkurseve që mbarojnë në datën 5, më datë 6 ne sjellim rezultatet e konkurseve. Më pas të dhënat futen në sistem dhe pastaj bëhet përpunimi sipas parimit meritë- preferencë për të shpallur listat paraprake.

-Mund të na thoni një datë të saktë për daljen e listës së fituesve?

-Pas daljes së librit të transparencës dhe zhvillimit të konkurseve siç ju thashë dhe më lart do të dalin rezultatet, ose më saktë listat me emrat e fituesve për në universitete. Në  datat 12-13 shtator do të  shpallen fituesit në  universitete. Sepse kalohen në disa faza dhe puna e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në këtë periudhë është shumë e ngjeshur. Pra po e ritheksoj që pas publikimit të Librit të Transparencës dhe pas  mbylljes  së  konkurseve në  degën e arkitekturës dhe në disa degë të tjera të universitetit të sporteve, do të nisin procedurat për llogaritjen e  pikëve.

-Pas daljes se së fituesve vjen faza e regjistrimit, çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në fazën e regjistrimit?

-Po, pas daljes së rezultateve do të fillojë faza e regjistrimit dhe që është shumë e rëndësishme për çdo maturant. Duhet të kenë kujdes maturantët në këtë fazë, pasi asnjë maturant nuk duhet të neglizhojë në regjistrim. Sepse nëse një maturanti i ka dalë alternativë e tretë dhe atij nuk i pëlqen dhe për këtë nuk pranon të regjistrohet dhe kështu atij i digjen të tëra mundësitë për të shkuar në alternativën e dytë e kështu më radhë. Nëse kemi 250 studentë që kanë fituar mjekësinë, nga këto është e padiskutueshme që një pjesë kanë aplikuar paralelisht edhe jashtë shtetit, kështu që është e sigurt që do të ketë lirime të vendeve tek mjekësia. Kështu që nëse maturanti ka bërë regjistrimin në alternativën që ka fituar fillimisht ka mundësi që më pas të ngjitet në alternativën tjetër. Por duhet të theksoj që kjo ngjitje mund të bëhet gjithmonë nëse maturanti është regjistruar fillimisht në degën që ka fituar në fillim dhe më pas mund të ndryshojnë degët. Regjistrimi është i domosdoshëm sikur të jetë edhe në alternativën e dhjetë ky regjistrim duhet bërë me patjetër nga maturanti. Në të kundërt, atij i digjet çdo mundësi për të vazhduar studimet këtë vit akademik, nëse nuk do të bëjë regjistrimin ai nuk do të ketë më asnjë shans. Por ama nëse maturanti do të bëjë regjistrimin pasi të ketë lëvizje ai mund të arrijë në preferencën që do, pasi nga praktika e viteve të kaluara ka pasur ndryshime të preferencave të maturantëve.

-Si u mbyll faza e dytë e plotësimit të Formularit A2, a pati probleme?

-Faza e dytë nëse do ta quanim kështu për plotësimin e Formularit A2 u mbyll mjaft mirë dhe pa probleme, ashtu si edhe faza e parë e plotësimit. Në këtë fazë pati një ndryshim të vogël të rinjtë e rretheve në një farë forme u detyruan  të vijnë në Tiranë për të aplikuar, pasi  procesi ishte lehtësisht  më i kontrollueshëm duke shmangur kështu abuzimet që mund të bëheshin në sistem. Kjo u bë për faktin se nuk mund të hapej sistemi në të gjithë Shqipërinë, ishte e pamundur të monitoroheshin 100-200 veta që s’kanë qenë prezent.

 

 

Publikimi i librit të transparencës

Maturantët do të kenë në dorë brenda kësaj jave librin e transparencës. Pas përfundimit dhe të afatit të dytë të për plotësimin e Formularit A2, këtë javë pritet që të shpërndahen nëpër shkolla libri ku çdo maturant gjen elementët përbërës të rezultateve, mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, notat e gjimnazit, rezultatet e provimeve, preferencat e përzgjedhura etj.. Në libër jepet dhe totali i pikëve. Në konsultim me të, dhe preferencave të tij maturanti bën një përllogaritje se në cilën prej preferencave ka më shumë shanse për të fituar.

 

 34 mijë maturantë, në garë për në universitete

Janë rreth 34 mijë maturantë, të cilët kanë hyrë zyrtarisht në garë. Me mbylljen e afatit për korrigjimin e gabimeve të Formularit A2, Agjencia Kombëtare e Provimeve jep shifrat e paraprake të konkurrentëve në shkollat e larta publike të vendit. Nga ky kontingjent, një pjesë ka vendosur të studiojë jashtë vendit, ose të ndjekë një nga universitetet private. Në këtë mënyrë gara zbutet për pjesën tjetër të kandidatëve.

Ata që nuk do të munden të fitojnë ciklin e studimeve me kohë të plotë, kanë si opsion edhe sistemin me kohë të pjesshme.